BallinaTe tjeraKujtimet e ish-prokurorit, miku i “vagabondëve” të Shkodrës: Si i lirova nga...

Kujtimet e ish-prokurorit, miku i “vagabondëve” të Shkodrës: Si i lirova nga salla e gjyqit katër shokët e mi të fëmijërisë, që kishin rrahur e plagosur përgjegjësin e tyre

spot_img
spot_img

Nga Sokol Parruca

– Dëshmitë e rralla të juristit të njohur Sokol Parruca, për ikonat e futbollit shkodran ndër vite, si; Halepiani, Hasa, Rragami, Rakiqi, Bizi, Dani, Zhega, etj.,artistëve si Vasija, Tërshana, Aliaj, Ljarja, etj., si dhe personazhe të tjerë emblematikë të atij qyteti, etj. –

Memorie.al /E vështirë të shkruash për ish-futbollistët e ekipit “Vllaznia” të Shkodrës ndër vite, pa qenë studiues dhe specialist futbolli, por unë po hedh im-presionet, për ata që njoha, preka e i pashë, për trajnerët e moshave, pa pretenduar se po them gjithçka që meritojnë. E padyshim gjykoj se është e pamundur të mos përmendsh, Ernest Halepianin.  Kam qenë rreth 9 vjeç, nuk e mbaj mend me cilin shok të lagjes kam shkuar për herë të parë, te “Parku i Pionierëve”, pranë ish-shkollës “11 Janari”, për të filluar stërvitjen në sportin e futbollit. Aty ishte trajner për fëmijët, një burrë i shkurtër, flokë me kaçurrela të imët, me një fytyrë që i ndrinte nga mirësia.

KAMPI I RIEDUKIMIT (BURGU) TOROVICË

Kur mbarova fakultetin, më erdhi mirë që më caktuan në Lezhë, pasi ishte afër me Shkodrën dhe mund të shkoja atje, sa herë që të doja. Prokuroria e Lezhës kishte në juridiksion dhe Kampin e Riedukimit Torovicë. Aty ishin kryesisht të rinj, të dënuar për krime ordinere.

Gjithsej, mund të bëheshin rreth 1500 persona. Kishte shumë nga Shkodra, të cilët i njihja mirë, me disa prej tyre më lidhte një miqësi e kahershme, që në moshë fëmijërore. Lojërat dhe prapësitë e moshës, i kishim ndarë së bashku. Ata i njihja si djem të shkathët, të guximshëm, që vështirë të futeshin “në rresht”, me personalitet të pavarur, që nuk duronin dot urdhrat, shtrëngimin, detyrimin, fyerjet.

Prandaj, shumica e tyre kishin përfunduar në burg, për vepra të tilla penale, si; kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë, goditje për shkak të detyrës, plagosje, etj. Kampi ishte i vendosur përballë fshatit Torovicë, rrëzë malit, me ca ndërtesa të ndërtuara enkas për këtë qëllim.

Rrugën automobilistike me kampin e ndante një fushë e pafundme e Ndërmarrjes Bujqësore Lezhë, ku mbillej grurë, misër, luledielli dhe në parcela të veçanta dhe shalqi e pjepër, ëmbëlsia e të cilëve ishte e njohur në gjithë vendin.

Ditët e para të mbërritjes time në Lezhë, m’u desh të merresha me sistemimin e fjetjes në zyrë, me njohjen e kolegëve dhe me detyrën që do të kryeja. Menjëherë në ato ditë, u nisa për në Kampin e Riedukimit Torovicë. Rrugës, më silleshin ndërmend copëza kujtimesh, që më mbanin të lidhur fort me to.

Kur ‘u afrova kampit, pashë kudo tela, tela me gjemba, rrethimi i madh me tela, rrethimi i vogël brenda kampit me tela. U ndjeva ligsht, se bash aty ndodheshin edhe shokët e mi, të cilët ishin të detyruar të shtynin ditë, javët, muajt e vitet brenda atij rrethimi.

Si takova drejtorin dhe personelin, u thashë se do të hyja brenda. Sa u futa, më ra në sy ndarja në grupe. Ka një “rregull” në kamp, janë disa grupe të fortësh, të paprekshmit, që komandonin. Në Torovicë ishin shkodranët, që bënin “ligjin”.

Menjëherë dallova grupin e tyre, se si m’u duk, sikur ata donin të më shmangeshin, fshiheshin pas njëri-tjetrit, që mos t’i shihja, por unë i njihja aq mirë, sa mjaftonte t’i shihja majën e flokëve, njërën anë të profilit të tyre dhe t’i dalloja.

Shkova drejt tyre, i thirra me emër që në distancë e pastaj, puthje, përqafime, shtrëngime duarsh e biseda malli me nesh. E kisha bërë zakon, një herë në dhjetë ditë, të shkoja në kamp. Dhe vizitën e parë do ta bëja tek birucat, në dhomat e izolimit pra, izolim brenda izolimit.

Këto biruca ishin në kushte mjaft të këqija, të sajuara enkas, si masë torturuese, ndaj atyre që shkelnin rregulloren e brendshme të kampit, duke i detyruar të qëndronin si dënim disiplinor, 30 ditë. Si rregull, ata që përfundonin më shpesh aty ishin shkodranët, ndaj bëja ç’bëja, u hidhja nga një sy birucave ose, i kisha mësuar të më thërrisnin vetë.

Kisha dëgjuar të më thërriste Bepini, Kujtimi, T., etj. Dhe ata menjëherë liroheshin. Një ditë, aty nga viti 1976 apo 1977, pesë shkodranë, plagosën rëndë një të dënuar, që bënte rolin e përgjegjësit, kur dilnin në fushë për të punuar.

Frroku, kishte qenë përgjegjës sektori i Ndërmarrjes Bujqësore Lezhë, para se të dënohej e ishte mësuar me disiplinë dhe u kërkonte të njëjtën gjë bashkëvuajtësve të dënuar. Ishin acaruar aq shumë me të, saqë të pesë shkodranët e rrahën keqas, derisa e lanë thes, të mbuluar me gjak, të plagosur e sakatosur.

I morën të pandehur dhe i akuzuan për plagosje të rëndë në bashkëpunim, që i binte secili të dënohej minimumi edhe pesë vjet heqje lirie. Deri atëherë, në detyrën time të prokurorit, ligji e zbatimi i tij, ishte parimi bazë që ndjeja brenda vetes.

Por tek u ballafaqova me këtë rast, u çorientova, m’u errësua arsyetimi, u tjetërsova dhe mendimi që mbizotëroi tek unë, ishte veç një; si të ndihmoja shokët e fëmijërisë?! Nuk mund të lejoja të dënoheshin ata, edhe pesë, shtatë apo dhjetë vite të tjera, çka i binte të ngrysnin rininë e jetën, në burg.

Kështu që, pashë se po më lindte së brendshmi e po më nxirrte krye një parim më i fuqishëm, se sa ai i zbatimit të ligjit, po mbisundonte krejt papritur, pa u lëkundur, parimi i të sakrifikuarit, për shoqërinë e fëmijërisë sime.

Shoqëria e miqësia në këtë moshë, është diçka krejt tjetër gjë, ti je ende i vogël, pa qenë i aftë të kesh vetëdijen e zgjedhjes së shokëve. Ata thjesht të bien në hise e, kurrë më nuk mund të shkëputesh, paçka drejtimit që merr jeta e pastajme, e secilit. Pra, me një fjalë ata i ke gjak, i ke vëllezër, i ke në zemër.

Pas disa ditësh do të bëhej gjyqi. Akuza ishte plagosje e rëndë në bashkëpunim. Prokurori i çështjes isha unë. Dy ditë para gjyqit shkova në kamp. I mblodha të pesë të dënuarit e akuzuar. Ata qëndronin kokulur para meje. E kuptonin se e kishin pisk dhe mua gjithashtu më kishin vënë në pozitë të vështirë.

U thashë se duhet ta merrte përsipër njëri prej tyre, të deklaronte se e kishte kryer i vetëm veprën penale, për të cilën akuzohej, pa ndihmën e bashkëpunëtorëve, pastaj e dija unë se çdo të bëja, pra ndryshimin e kualifikimit të veprës penale, nga plagosje e rëndë, në plagosje të lehtë dhe do të kërkoja dënimin, me 9 muaj heqje lirie.

Kaq u thashë dhe heshta pak, në pritje të reagimit të tyre. Ata, njëherësh folën; unë, unë, unë, unë, unë…! Çfarë solidariteti. Kot nuk thonë, në burg del në pah karakteri. Më erdhi mirë, tek ishin të gatshëm t’i hiqnin barrën shokut e, ta mbanin për vete. M’u desh të vendosja, për njërin prej tyre.

Syri më ndali tek vëllai i Agim Arifit dhe i Ferit. Kishim qenë në një lagje, banonim në katin e parë, te pallati pranë Degës së Brendshme, te Tano Banushi. Kishte dhe pak muaj për t’u liruar. Ishte dënuar për largim pa leje nga ushtria, pra pozitat i kishte më të lehta se të tjerët, kështu që, kishte hapësira procedurale, për ta favorizuar.

– “Merre ti përsipër”, – i thashë

Gjyqi u bë pas dy ditësh. Sa filloi seanca, aty për aty, m’u desh të bëja një ndryshim të qëndrimit, u përpoqa të vishja maskën e prokurorit, me tërë pompozitetin që më jepte ky funksion. Përjetova sërish një seriozitet të shtirur, ballë të rrudhur, kordat e zërit morën shtrirjen e vet, duke i dhënë vetes një ngjyrim autoritar.

Gjyqi po shkonte siç e kisha parashikuar. Të gjithë po luanin rolin më së miri, sikur të ishte një trupë teatri, me aktorë profesionistë. Në përfundim, u ngrita për të mbajtur pretencën. Kërkova pafajësi për katër të akuzuarit dhe dënimin e Arifit, me 9 muaj heqje lirie. Kështu, vendosi dhe gjykata.

Sa mbarova, mora frymë thellë dhe u qetësova disi. E lashë veten të kthehesha në gjendjen e mëparshme, me të cilën mund të qeshja me veten, me pozën e time qesharake, që m’u desh të merrja pak më parë. Sidoqoftë, vrenjta, se brenda vetes sime po ndieja emocione të ndryshme, ku secili prej tyre, kishte ngjyrimin e tij emocional.

Ajo që ndihmova shokët, ishte lehtësim, kënaqësi, detyrim shpirtëror, ndërsa tjetra, ajo që shpërdorova detyrën, përdhosa profesionin, shpërdorova besimin, më bënte të ndjehesha i turpëruar. Ishte e gjitha kjo gjendje, një çështje kundërvënie për ndërrimin e emocioneve, për të cilën e kuptoja fare mirë.

Megjithatë, isha i bindur, se kisha bërë gjënë e duhur, se po të ndodhesha përsëri në të njëjtën situatë, do veproja njëlloj, njëherësh, duke ia njohur vetes këtë dobësi, për miqësinë e vjetër, po bindesha se nuk isha tipi duhur, për të qenë prokuror.

* * *

Në mëngjes më ra zilja e telefonit të zyrës:

– “Jam Thomai, shoku prokuror, drejtori i Kampit të Riedukimit Torovicë. Kam nevojë të vini këtu, sepse i dënuari Ndoc Liqejza, që ju e njihni mirë, ka tre ditë që është futur në grevë urie dhe po përkeqësohet gjendja e tij shëndetësore. Dje, janë futur dhe tre të dënuar të tjerë, nga Shkodra”.

Vërtetë e njihja mirë Ndocin. E kishte pasur shok të mirë e të besës, që në fëmijëri. Ja njihja karakterin, temperamentin, ishte trim dhe i vendosur. E kisha të qartë si drita, se ky qëndrim, vrazhdësia e tij, ishte me paramendim, se sjellja e tij rebeluese, kishte shtytje të brendshme, ajo i vinte nga mungesa e lirisë, kufizimet në gjithçka që ishte i detyruar, të mos i kishte në kushtet e një të dënuari.

E kisha takuar shumë herë, e dija ç’donte dhe ç’mendonte. E kuptoja fare mirë, madje Ndoci ma kishte thënë, që pushtohej shpesh herë nga dëshira, të vraponte si i çmendur, të ikte nga ky izolim që e kishte mbërthyer e, nuk e linte të merrte frymë, të linte brengat, vuajtjet, të ikte diku, s’kishte rëndësi se ku, veç të thithte ajrin i lirë, jashtë këtij rrethimi me tela dhe shpirti i sëmurë i tij, të ngopej me liri e gëzim.

Ndjenja ime e parë, qe pikëllimi dhe keqardhja. Më fort, ka të ngjarë që kjo të vinte nga vetëdija, se isha i paaftë të shëroja shpirtin e tij, teksa vuante. Unë mund t’i jepja gjithçka, mund t’ia plotësoja çdo kusht që ishte në mundësitë e drejtuesve të kampit, mirëpo ai nuk vuante fizikisht nga kushtet e këqija, që detyrohej t’i kalonte në burg.

Trupi i tij i fuqishëm ishte në gjendje të përballonte çdo vuajtje fizike, shpirti i tij ndjeshëm vuante, por shpirti i tij ishte thellë-thellë i paarritshëm, sado të përpiqej për të arritur diku, të paktën sa të mundte për ta qetësuar disi.

I zhytur në këto mendime, as e kuptova që isha në kamp. Takova drejtorin, i cili më sqaroi hollësisht situatën.

– “T’i thërrasim këtu në zyrën tënde”, i thashë.

I sollën, Ndoci e kishte humbur forcën e gjallërinë, dukej se ditët i pangrënë dhe i pa pirë, e kishin bërë punën e vet. I lodhur mezi qëndronte në këmbë. Ndërsa, unë fillova t’i flisja, Ndoci nuk reagoi, vështrimi i tij ishte ngulur diku tjetër. Ndërkohë, që fytyra ishte e egërsuar dhe kishte mbetur si e ngrirë. U dëgjua më në fund zëri i prerë dhe i vendosur i Ndocit:

– “Nuk dua të flas, as që dua t’ju takoj”!

Për një çast mbeta i habitur, nuk po e dalloja mikun e vjetër me të tjerët, po fundja kisha të drejtë, ndonëse nuk më erdhi mirë. A nuk isha dhe unë një prokuror, një përfaqësues i diktaturës, njëlloj si gjithë të tjerët?! Por, megjithatë, më lëndoi toni i tij. Nuk kishte rëndësi nga i vinte ky qëndrim i akullt, por një qëndrim i tillë, tingëllonte gati si mosmirënjohje, për çka kisha bërë për të.

Ndonëse më zemëroi sjellja e tij, ndonëse kisha ardhur aty i vendosur për ta bindur që të hiqte dorë nga greva e urisë, një zë i brendshëm më fliste, i thosha, se duhej të ishte i qetë, i duruar, se do të ishte njeriu më katil, po ta lëndoja me fjalë këtë njeri, këtë të dënuar, këtë mik, me të cilin kisha ndarë vitet e vegjëlisë së bashku dhe që tani ishte krijesa më fatkeqe në këto çaste, që ishte gati të vetëflijohej. Atëherë, ç’duhej bërë?

Shtyva karrigen më shumë drejt tij, iu afrova fare pranë. – “E po mirë o Ndoc…”, – fillova t’i flisja. As vetë nuk po dija çfarë t’i thosha, vetëm flisja e flisja pa pushim, duke qenë tepër moralizues…, bla, bla…! Artikuloja fjalët, sikur të isha duke mbajtur një diskutim, në format e edukimit.

Duket se kjo drejtorit po i pëlqente dhe ai më miratonte me gjeste herë pas here dhe priste me padurim efektin e tyre. Në këtë monolog të gjatë, që m’u desh të mbaja, vetëm Ndoci arrinte të më kuptonte, i cili i çuditur, filloi të më shikonte dhe vështrimi im u ndal e ngeci gjatë te Ndoci. Nuk po ia ndanim sytë njëri-tjetrit. Ngjante si ajo loja e syve, kush ulë sytë humbet.

E ndërsa vazhdoja të flisja, pa e shkëputur vështrimin nga Ndoci, vura re që ai po skuqej, damarët e qafës, filluan t’i fryheshin, aq sa dukej se do t’i pëlcisnin, ndërsa unë vetë, ndjeva një afsh, si zjarr nga brenda, por nuk e shihja dot veten.

Me siguri dhe fytyra ime do ishte bërë flakë nga skuqja, por ngaqë e kisha pak të zeshkët, ajo nuk e tregonte, zëri im, pak nga pak, po fikej, derisa edhe pak sekonda, kur të dy njëherësh, Ndoci dhe unë, ia plasëm një të qeshure të zhurmshme me ulërimë, të pambarimtë, që kumboi aq fort, saqë muret e asaj zyre, nuk mund ta mbanin, pa u shpërndarë nëpër korridore e kushedi deri ku…!

Një moment, pashë që dhe tre të dënuarit e tjerë po qeshnin, instinktivisht. I vetmi, që po heshtte, i befasuar nga ajo që po ndodhte brenda kësaj zyre, disi i fyer, ishte drejtori. Atëherë, si u qetësova pak, i hodha krahun drejtorit, e përqafova dhe i thashë: – “Nuk ka kuptim t’u flas kështu e t’u bëj moral këtyre, pasi unë kam qenë si ata, unë jam si ata”.

Pas kësaj, një kontroll i Ministrisë së Brendshme, organi nga vareshin asokohe kampet dhe burgjet, e kishin konsideruar shkelje të rëndë, futjen time brenda rrethimit të dytë, aty ku rrinë vetëm të dënuarit, pasi për të tjerët, sidomos për ne prokurorët, ishte rreptësisht e ndaluar, mbasi rrezikohej marrja peng e jona, nga të dënuarit.

E tek po e kritikonin drejtorin që kishte lejuar këtë shkelje, fjala ime, i shtangu në heshtje: – “Kush do të më merrte peng mua prokurorin, shokët e mij?! Unë i kam shokë, të gjithë ata”! Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular