Grupi OSHEE do të vijojë investimet në sistemet smart të matjes, përmes Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, shoqëri e cila ka lidhur së fundmi kontratën për instalimin e 1622 matësave inteligjentë në 4 rajone të vendit.
Prioritetet e matësave inteligjentë (sistemi smart i matjes së energjisë elektrike) janë të shumta për të dyja palët: OSHEE-Abonent.
Matësi inteligjent realizon faturim korrekt dhe cilësor të konsumit, si edhe ndjek në kohë reale fluksin e kilovatëve në rrjetin elektrik.
Konsumatorët mund të kontrollojnë në kohë reale ecurinë e konsumit dhe faturimin; po ashtu, problemet që mund të shfaqen nga ndonjë defekt identifikohen dhe marrin zgjidhje të shpejtë.
Matësat e rinj do të instalohen në kabinat elektrike dhe tek abonentët e rajoneve: Durrës, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.
Matësat e parë u vendosën në zonën e Kasharit dhe Vorës, pjesë e rëndësishme e rajonit të Tiranës, ku janë përqendruar biznese të shumta.
Pas instalimit të 3500 matësave inteligjentë në këto dy zona, reduktim i nivelit të humbjeve rezultoi në 7.5%, duke i hapur rrugë zbatimit të planit strategjik për investime në sisteme të matjes përmes përdorimit të teknologjisë inovatore.
Paralelisht me nisjen e investimit të radhës, administratori i OSHEE Group, zoti Enea Karakaçi, i shoqëruar nga drejtuesit e OSSH-së dhe FSHU-së, zhvilloi së fundmi një vizitë pranë zyrave të EDF-së, në Francë, ku pikë e rëndësishme diskutimi ishte zhvillimi i projekteve në “smart grid”.