Reforma në Drejtësi/ Ambasadori i BE: Nëse Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në BE, rruga që duhet të ndjekë është e qartë! Lufta ndaj korrupsionit, prioritet kyç
Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzata në një deklaratë nga Shkodra, është shprehur se Reforma në Drejtësi është shumë e rëndësishme.
Ai theksoi se Reforma “jo vetëm garanton pavarësinë e sistemit të drejtësisë, por siguron që edhe sistemi i drejtësisë të jetë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve”.
Sipas ambasadorit të BE, lufta ndaj korrupsionit është e vetmja rrugë për t’u integruar në BE, duke theksuar se duhet të jetë prioritet kyç në vendin tonë. Ndërsa shprehu besimin e tij të plotë në institucionet e reja të drejtësisë shqiptare.
“Jam këtu në Shkodër me studentë të drejtësisë për të folur për sistemin e drejtësisë, reformën në drejtësi dhe rolin që ka edhe shoqëria civile për të siguruar që reforma që u ndërmor në vitin 2016 është një reformë që jo vetëm garanton pavarësinë e sistemit të drejtësisë, por siguron që edhe sistemi i drejtësisë të jetë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve.
Sepse qëllimi i reformës ishte pikërisht ai që t’u jepte njerëzve besim, besim te institucioni, besimi veçanërisht te drejtësia e Shqipërisë, sepse kjo është ajo që na duhet për të promovuar një mjedis të shëndetshëm biznesi, të sigurohemi që njerëzit të duan të investojnë në Shqipëri, por edhe të sigurohemi që njerëzit të marrin drejtësinë”, tha ai.
A po ndikojnë rastet e korrupsionit?
Mendoj se është shumë e rëndësishme që, institucioni i posaçëm që u krijua pikërisht për t’u marrë me rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, tani po sjell disa rezultate. Mendoj se i jep besueshmëri vendosmërisë së Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, sepse korrupsioni është i dëmshëm për shoqërinë, është i dëmshëm për ekonominë, kështu që nëse Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, është e qartë rruga që duhet ndjekur.
Ky duhet të jetë një nga prioritetet e Shqipërisë dhe duhet të çojë në rezultate konkrete. Pra, e dini, unë kam besim në sistemin e drejtësisë shqiptare. Mendoj se thjesht duhet ta lëmë të bëjë punën e vet dhe të shohim se në çfarë do të sjelle.
Si po e përballon SPAK presionin e madh të politikës?
Shikoni, reforma e 2016-ës synonte konkretisht të garantonte që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, të jetë i vetëqeverisur dhe prandaj është rezistent dhe elastik ndaj presioneve politike. Kështu që unë i diskutova këto gjëra edhe me z. Dumani dhe ai është i bindur, po bën punën e tij dhe mendoj se duhet të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë.
A ka presion nga politika?
Nuk më takon mua ta them, por ai (Dumani) nuk duket se ishte i shqetësuar për këtë.