BallinaOP EDPolitika si përdorim i “veseve” njerëzore!

Politika si përdorim i “veseve” njerëzore!

spot_img
spot_img

Nga Namir Lapardhaja
Duke qenë një popull i varfër dhe ngushtësisht i lidhur me politikën, si mundësi përfitimi dhe punësimi, shpeshherë, politika ka ditur të përdorë “veset” e njerëzve për t’i shfrytëzuar dhe për të realizuar planet e saj.

Këtë gjë bën Edi Rama, kur synon që të gjithë popullin shqiptar ta anëtarësojë në Partinë Socialiste, duke mos harruar se të vetmen gjë që bën është anëtarësimi dhe politizimin në ekstrem i administratës shtetërore, duke i dhënë asaj një “leje” partiake për të vjedhur dhe për të shkelur ligjin, me premtimin “kujdes po ju kapi SPAK-u, se ne nuk ju denoncojmë”.

Të njëjtën gjë ka bërë për një kohë të gjatë Ilir Meta, i cili ka qenë “kampion” i përdorimit të “veseve” më të ulëta të njerëzve, duke qenë model i shkatërrimit të administratës shtetërore dhe të përmbysjes së hierarkisë së vlerave, gjë që ka “detyruar” në shumë raste edhe aktorë të tjerë politikë që të ndjekin modelin e tij të “suksesshëm”.

Sigurisht që nga ky përdorim i përbrendësisë më të errët të natyrës njerëzore nuk ka shpëtuar as Sali Berisha, për të cilin për një kohë të gjatë ka ekzistuar legjenda se për të gjithë bashkëpunëtorët e vet ka pasur në sirtar nga një dosje. Se sa e vërtetë është kjo, nuk është se ka shumë rëndësi për këtë shkrim, por vlen për t’u përmendur si përdorim i “veseve” njerëzore për të bërë karrierë dhe për të pasur sukses.

Ky përdorim i suksesshëm i “veseve” në politikë, nuk mund të ketë produkt tjetër nga ky që shohim përditë.

E njëjta situatë që ndodh në rrethe, është edhe në Tiranë, duke mos ndryshuar asgjë, përveçse babëzisë dhe oreksit të madh, sipas parimit se sa më të mëdha të jenë “veset”, aq më i madh është edhe përfitimi nëpërmjet politikës.

Ndaj në kushtet e një qeverie thellësisht të korruptuar dhe të një opozite të marrë peng për hallin personal të një njeriu, rreth së cilit janë mbledhur bashkë një numër i madh bashkëpunëtorësh me plot “vese”, që shpresojnë se duke qëndruar pranë tij në këtë periudhë do të kenë mundësi që nesër të jenë ata vjelësit e frutave të pemës që do bjerë medoemos në shportën e tyre, situata është e pashpresë dhe pa kurrfarë drite në fund të tunelit.

Prej kësaj situate nuk mund të dilet, duke konkurruar në të njëjtin “regjistër vesesh”. Politika nuk mund të jetë një garë virtytesh, por e keqja është thelluar aq shumë në këtë vend saqë për të bërë diferencën dhe për të kthyer shpresën dhe besimin, duhet bërë një thyerje dhe një lëvizje e madhe.

Se sa mundësi do të ketë PD zyrtare apo lëvizjet e reja politike për të koordinuar dhe për të qenë në sintoni të plotë të këtij shqetësimi, ngelet për t’u parë.

E sigurt është nevoja për ta nxjerr politikbërjen nga bataku i “veseve” njerëzore dhe për t’i dhënë asaj qoftë edhe disa nuanca të lehta virtyti, njerëzillëku dhe humanizmi.

Vetëm nëse do të arrihet kjo, mund të thuhet se është dhënë një kontribut i rëndësishëm në politikë dhe shoqëri.

Në të kundërtën, “veset” do t’ia lënë vendin njëri-tjetrit dhe e keqja thjesht do të shumëfishojë vetveten në forma më të rënda se më parë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular