Një lajm i bujshëm është duke qarkulluar se fundmi. Sulmuesi Vedat Muriqi mund të kthehet të luajë sërish në Fenerbahce, sipas mediumit turk “Ajansport”.
Drejtuesit e skuadrës verdhezi besojnë se mund ta bindin Muriqin t’u bashkohet gjatë verës. Bëhet e ditur se Fenerbahçe tashmë po bën gati ofertën për Majorkën dhe sulmuesin 29-vjeçar.
“Muriqi shihet si zëvendësim ideal për belgun Miçi Batshuai, të cilit kontrata me Fenerbahçen i skadon këtë verë”, shkruan sajti turk.
Sulmuesi i Kosovës me Majorkën ka kontratë deri në vitin 2027, ndërsa këtë sezon me fanellën e ekipit spanjoll ka shënuar pesë gola dhe ka bërë dy asistime. Muriqi ishte te Fenerbahçe në edicionin 2019/2020, përpara se të transferohej te Lacio.
Ai ka luajtur edhe për klube si Rizespor, Gençlerbirligi, Giresunspori, Teuta, Besa (Kavajë) dhe Liria ku e nisi karrierën.