Nga Prof. Dr. Bardhyl Çipi
Prof. Çipi: “Ju tregoj rastet kur jam thirrur për të bërë ekzaminimet mjeko-ligjore të personave të vrarë në kufi, në tentativë për t’u arratisur nga Shqipëria”!
PROVA SHKENCORE TË VDEKJEVE MBRESËLËNËSE
(Persona publikë, viktima të diktaturës, ngjarje të tjera)
Bardhyl Çipi, një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Disa nga pacientët e tij, janë: viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, por i ndihmuar nga qeni i tij besnik, për zbulimin e kufomës së tij të fshehur, gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, sepse kërkonin të jetonin të lirë, për të mos u poshtëruar dhe torturuar prej tyre, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, etj. Një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe gjenocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara. Dokumentet e vdekjeve të personave të shquar; Kenedit, Linkolnit, Napolonit, Leninit, Trockit, etj., dhe ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm. Njohuri mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe ekzaminimit të kufomave në botë dhe në vendin tonë, nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore, juridike. Disa nga librat e tij të fundit janë; “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania nowadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020).
Krimet: vrasjet, vetëvrasjet dhe të tjera ndaj personave të persekutuar nga regjimi komunist
Të gjitha pjesët kockore të ekzaminuara paraqiteshin të thara, të ç’dhajmosura, të ngrëna e të shkatërruara dhe pak a shumë të brishta.
Në fillim u kërkua të bëhej përcaktimi i numrit të personave që u takonin këto pjesë skeletike, që në pamundësi për të rindërtuar skeletet e plota të veçanta, ishte e pamundur të bëhej me saktësi.
Megjithatë, duke pasur parasysh që numri i pjesëve unike p.sh., i kafkave ka qenë 15, këto pjesë skeletike u përkisnin me siguri 15 personave, pa u përjashtuar mundësia që numri i viktimave që u takonin këto pjesë kockore të ketë qenë më i madh, në përputhje kjo me rrethanat e ngjarjes të këtij rasti dhe me faktin se terreni i zonës ku u gjetën këto skelete ka pasur zhvendosje dheu gjatë punimeve bujqësore.
Më pas u shqyrtuan veçoritë moshatare, seksuale të eshtrave, u përcaktua gjatësia trupore e viktimave, dëmtimet kockore, të cilat paraqiteshin si vijon:
Përcaktimi i seksit: Të gjitha pjesët skeletike paraqiteshin me veҁori seksuale mashkullore, me përjashtim të një kafke me veçori tipike femërore.
Përcaktimi i moshës: duke u mbështetur në veçoritë moshatare të suturave të kapakut të kafkës, dhëmbëve dhe pjesëve të tjera të skeletit (në disa vertebra me osteofitozë shumë të shprehur), mosha e përafërt e personave që u takonin këto pjesë skeletike duhet të ketë variuar nga 25-30 vjeç deri në 47-70 vjeç.
Përcaktimi i shtatit: në bazë të metodave Telkka, Trotter-Gleser dhe Rollet, me anën e matjes së gjatësisë së eshtrave të gjata, këto skelete kanë qenë në përgjithësi me shtat 1.70 m., me luhatje ± 10 cm.
Përcaktimi i kohës së vdekjes: koha e përafërt e vdekjes së viktimave që u takonin këto pjesë skeletike ka qenë mbi 25-30 vite më parë.
Ekzaminimi i dëmtimeve: Përveç dëmtimeve në trajtën e ngrënieve dhe shkatërrimeve nga ndikimi i lagështirës, insekteve nga qëndrimi i tyre në tokë për një kohë të gjatë, u vunë re edhe disa dëmtime në trajtë vrimashe të ngjashme me vrimat e hyrjes dhe ato të daljes nga armët e zjarrit, të cilat së bashku me gëzhojat e gjetura bashkë me kockat, dëshmonin se viktimat që u takonin këto skelete janë vrarë nga qitje me armë zjarri.
Materiali skeletik i ekzaminuar u mendua se i takonte viktimave të pushkatuar pa gjyq në vitin 1951 (vendimi i gjyqit është bërë më pas), nën akuzën e rreme të vendosjes së një bombe në ambasadën sovjetike në Tiranë.
Nga krahasimi i të dhënave të materialit skeletik të këtij rasti me ato të masakrës të vitit 1951, u vu re që:
-mosha e skeleteve të tij ishte brenda kufirit të moshave të viktimave të kësaj ngjarjeje;
-seksi i skeleteve, ku të gjitha janë të seksit mashkull, me përjashtim të një të seksit femër, përkonte me viktimat e pushkatimit, ku vetëm njëra prej tyre ka qenë e seksit femër;
-koha e vdekjes të personave të materialit skeletik mbi 25-30 vjet, e përfshin edhe vitin 1951 kur ndodhi kjo ngjarje;
-ekzaminimi odontologjik krahasues i një proteze dentare të një kafke që u njoh nga i biri se i përkiste njërës prej viktimave të kësaj masakre;
-gjetja e dy unazave me mbishkrime që u njohën se u përkisnin dy viktimave të tjera të kësaj ngjarjeje;
-prania e dëmtimeve me armë zjarri në kafkat e disa prej skeleteve, dëshmonte për vrasje me armë zjarri, sikurse ka qenë edhe pushkatimi i viktimave të kësaj ngjarjeje;
-gjetja e lidhur me kordon elektrik e disa prej kockave të gjymtyrëve të sipërme tregon se ato janë pushkatuar të lidhur.
Të gjitha këto të dhëna krahasuese dëshmuan në mënyrë të plotë që këto pjesë skeletike t’u përkisnin viktimave të kësaj masakre.
Megjithatë, ishte e pamundur për të rindërtuar skeletet e plota të veçanta që të bëhej njëkohësisht edhe përcaktimi i numrit të personave që u takonin këto pjesë skeletike, kjo për shkak, jo vetëm të hedhjes së trupave në gropë pas pushkatimit mbi njëri tjetrin, por ndofta edhe me faktin se terreni i zonës ku u gjetën këto skelete ka pasur zhvendosje dheu gjatë punimeve bujqësore.
Për këtë arsye këto mbetje skeletike, të 22 viktimave të njërës prej masakrave më të rënda të regjimit komunist në Shqipëri, ashtu sikurse kishin qëndruar së bashku në varrin e panjohur të krimit të vrasjes së tyre përmbi 40 vjet, u rivarrosën përsëri së bashku në Varrezat e Dëshmorëve të kombit në Tiranë.
Këto viktima u përkisnin intelektualëve të njohur të vendit tonë, të përgatitur në shumicën e tyre në universitetet e vendeve perëndimore.
Në këto ekzaminime që zgjatën për një kohë të gjatë për më shumë se një muaj e gjysmë, më ka mbetur në mendje djali i njërës prej këtyre viktimave, Tefik Shehut, Ai, Hysen Shehu u bë pjesë e ngushtë e ekipit mjekoligjor të drejtuar prej meje, i papërtuar për të ndihmuar për ҁdo nevojë që dilte gjatë aplikimit të procedurave identifikuese.
Të atin e tij Tefik Shehu, njëri prej të 22 të pushkatuarve të kësaj masakre, ai nuk e kishte njohur, sepse lindi pas vrasjes së tij. Por për shkak të kësaj ngjarjeje tragjike, të gjithë jetën e tij deri në vitin 1990, ai e kaloi në kushtet e internimit dhe persekutimit të egër të regjimit komunist.
Një rast tjetër, është ai identifikimit dhe ekzaminimit antropologjik në vitin 2000, të mbetjeve skeletike të tri gjeneralëve, drejtues kryesorë të ushtrisë: Beqir Balluku ish-ministër i mbrojtjes, Petrti Dume, dhe Hito Cako, të cilët në bazë të akuzave false, ishin dënuar me vdekje dhe pushkatuar në vitin 1975.
Kufomat e tyre u gjetën në një varr të përbashkët pa emër, në fshatin Vranisht të rrethit Vlorës. Eshtrat paraqiteshin pa mbeturina indesh të buta, pa insekte, me ngrënie dhe shkatërrime të shumta. Bashkë me eshtrat kishte dhe mbeturina teshash, në këqyrjen e të cilave u vu re se ato përbëhen nga pjesë teshash dhe këpucësh të kalbura, të cilat u njohën nga të afërmit se ishin prodhime të punëtorisë ushtarake, nga ato për oficerët madhorë.
Eshtrat, së bashku me mbeturina teshash, u dërguan në shërbimin e mjekësisë ligjore në Tiranë, ku u krye ekzaminimi i plotë antropologjik e tyre. Nga ky ekzaminim, që zgjati më shumë se dy javë, rezultoi sa vijon:
Beqir Balluku
Nga ekzaminimi i mbetjeve skeletike që mendohej se i takonin kufomës së Beqir Ballukut, ku kafka ishte shumë e dëmtuar, u përcaktua se ato i takonin në një personi të seksit mashkull, me moshë të kaluar mbi 50 vjeç, me gjatësi trupore 1.78 m, i racës së bardhë dinarike, të dhëna grupore këto që përputheshim me ato të viktimës Beqir Balluku.
Përveҁ kësaj, në eshtrat e ekzaminuara u konstatua prania e një kallusi kockor në njërën nga kockat e parakrahëve, gjë që u përputh me pohimin e të afërmve të viktimës, që viktima kishte pësuar një frakturë të parakrahut në moshë të re.
Po kështu në ekzaminimin odontologjik, u vu re prania e një këllëfi floriri në njërën prej dhëmballëve pre-molare, gjë që përputhej me pohimin e të afërmve që viktima kishte pasur një dhëmballë të përparme, të veshur me flori.
Petrit Dume
Mbetjet kockore që mendohej se i takonin Petri Dumes, kishin në kafkë një vrimë e ngjashme me atë të vrimës së hyrjes së një plage me armë zjarri.
Nga ekzaminimi antropologjik rezultoi se ky skelet i takonte një personi të seksit mashkull, me moshë të kaluar mbi 50 vjeç, me gjatësi trupore 1.68 m, i racës së bardhë, të dhëna identifikuese grupore këto që përputheshin me ato të viktimës Petrit Dume, gjeneral madhor i shtetit komunist. Përveç kësaj, denticioni i viktimës që kishte mbushje floriri, ishte pasqyruar edhe në kartelën dentare dhe u u njoh nga njëra prej vajzave të viktimës.
Hito Çako
Kufoma e tretë e viktimës Hito Çako, përbëhej nga kafka me një vrimë hyrjeje plage arme zjarri në pjesën anësore të parietales së djathtë, etj. Nga ekzaminimi antropologjik, rezultoi se ky skelet i takonte një personi të seksit mashkull, me moshë rreth 50 vjeç, me gjatësi trupore 1.65 m, i racës së bardhë dinarike (adriatike), të dhëna identifikuese grupore këto, që përputheshin me ato të viktimës Hito Çako , gjeneral madhor i shtetit komunist.
Në ekzaminimin e dhëmbëve u vu re në nofullën e sipërme prania e mjaft boshllëqeve midis dhëmbëve (diastema), gjë që u përputh me pohimin e të afërmve të viktimës, që i kishte pasur ato që në të gjallë të tij, konstatim ky i pasqyruar edhe në kartelën dentare të Hito Çakos.
Pra nga ky ekzaminim antropologjik mjekoligjor, u përcaktua në mënyrë të saktë, identiteti i tri viktimave të mësipërme, të ekzekutuara 25 vjet para gjetjes së tyre, si dhe dëmtimet e shkaktuara nga qitje me armë zjarri. .Pas kësaj u kryen varrimet ceremoniale të tyre.
Dua të shtoj se kur erdhën në fillim eshtrat e tri viktimave, për shkak se ato ishin varrosur së bashku, duke u hedhur në gropën e varrit mbi njëra tjetrën, pjesët e tyre ishin të përziera.
U desh një punë shumë e kujdesshme, duke u mbështetur në diferencat e gjatësive trupore të ҁdo viktime dhe shenja të tjera, që të arrinim të realizojmë identifikimin e saktë të pjesëve kockore të ҁdo viktime.
Përveҁ këtyre gjatë këtyre viteve, kam kryer në bashkëpunim edhe me kolegë të tjerë mjeko-ligjorë, përveҁ atyre të 13 mbetjeve të gjetura në një varrezë masive afër malit të Dajtit, këto ekzaminime të tjera, për identifikimin e viktimave të diktaturës komuniste.
Identifikimi në vitin 2004, të viktimave F.T., S.N. dhe Y.L., të rinj të ekzekutuar në vitin 1958, për tentativë arratisjeje.
Zhvarrimi i tyre u krye në bregdetin e rrethit të Durrësit, në një pyll pishash, në vendin e quajtur “Katund i Ri”. Eshtrat ndodhen të vendosura në një gropë, të ndara në tre grupe të dalluara nga njëri tjetri, që u korrespondonin 3 viktimave.
Në identifikimin e tyre, përveç të dhënave hetimore dhe njohjes së këpucëve të viktimës F.T., shërbyen edhe të dhënat e matjeve të gjatësisë të eshtrave të gjata, për shkak të diferencave të shtateve të viktimave (F.T. – 1.8 m, Y.L – 1.7 m. dhe S.N. – 1.6 m).
Identifikimi në vitin 2011, nga Dr. Admir Sinamati, i kufomës së skeletizuar të viktimës Z.M., i ekzekutuar në vitin 1983, për arsye politike. Zhvarrimi u krye në një varr sekret në fshatin Kuҁ të rrethit të Shkodrës, brenda të cilit u gjet skeleti i kërkuar. Eshtra ishin të lidhura me tela dhe në kafkë u vu re një defekt kockor (vrimë hyrje plagë, AZ).
Në ekzaminimin antropologjik të tij, u përcaktua se të dhënat identifikuese grupore të seksit, moshës, gjatësisë, përputhen me ato të viktimës Z.M.
Identifikimi në vitin 2011 nga Dr. Admir Sinamati, i kufomave të skeletizuara të viktimave S.S. dhe T.N, të burgosur politikë në kampin “Qafa e Barit”, ku u dënuan u keqtrajtuan dhe u ekzekutuan në vitin 1984, për shkak të pjesëmarrjes në revoltën e të burgosurve që u zhvillua atje, në vitin 1984.
Zhvarrimi u krye në një varr sekret në fshatin Kuҁ të rrethit të Shkodrës, ku u gjetën skelete të vendosura mbi njëri tjetrin. Në ekzaminimin antropologjik të tyre, përveҁ dëmtimeve, u përcaktuan të dhënat identifikuese grupore të seksit, moshës, gjatësisë, që përputheshin me ato të viktimave.
Përveҁ tyre, në identifikimin e viktimës S.S., shërbeu gjetja e një letre ku ishte shkruar emri i viktimës S.S., brenda një shisheje të vogël. Identifikimi i kufomës shtetasit M.SH.K., i dënuar, i vdekur në burgun e Ballshit, në vitin 1974, i varrosur atje në një varr pa emër.
Në ekzaminimin antropologjik të këtij skeleti, u përcaktua se shenjat grupore identifikuese të seksit, moshës, gjatësisë, racës, përputheshin plotësisht me ato të viktimës M.SH.K.
Përveҁ tyre, në identifikimin e viktimës, shërbeu gjetja e një letre, ku ishte shkruar emri i viktimës M.SH.K, brenda një shisheje.
Ky ka qenë aktiviteti tim, në drejtimin e sektorit të identifikimit të antropologjisë mjekoligjore të Institutit të Mjekësisë Ligjore, për viktimat e regjimit komunist, deri në vitin 2015, kur më larguan nga ky sektor.
Shpresoj se kjo punë e filluar dhe kryer prej meje, që mesa jam informuar , pas këtij viti, ka arritur në zbulimin, identifikimin dhe ekzaminimin e mbetjeve kufomore të disa viktimave të tjera të regjimit komunist, të vazhdojë përsëri me sukses nga kolegët mjeko-ligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Memorie.al