BallinaOP EDPrefekti, drejt një dimensioni të duhur

Prefekti, drejt një dimensioni të duhur

spot_img
spot_img

PËLLUMB NAKO

Këto ditë të fundit, ministri i Brendshëm ka diskutuar në Parlamentin shqiptar disa ndryshime ligjore lidhur me institucionin e Prefektit. Sipas tij, Prefekti duhet të propozojë ngritjen pranë tij të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike. Nisma nuk është pasuar nga një zhurmë mediatike, megjithëse ajo në thelb përbën një hop mjaft cilësor në drejtim të ndërtimit të një qeverisjeje të sigurisë në përditshmëri për qytetarin, të përbërë nga shumë aktorë vendorë dhe qendrorë me shtrirje në territor. Në lidhje me sigurinë e qytetarëve në përditshmëri, kjo nismë ligjore përbën një risi të vërtetë në reformimin konceptual të sigurisë së qytetarëve. Në aspektin politik, pavarësisht problematikave të panumërta të qeverisjes së sotme, pavarësisht se flitet shpesh për inkriminim të organeve të sigurisë publike, nisma duhet mbështetur sepse ndryshimi ligjor në vetvete përbën një hop cilësor.

Në thelb Institucioni i Prefektit duhet të jetë në krye të këtij Këshilli, sepse e tillë është jo vetëm filozofia e profilit doktrinor të këtij institucioni, por edhe pozicioni i tij konkret, administrativ në territor. Një mision i tillë vjen mëse natyrshëm për funksionin e Prefektit. Kjo sepse në detyrat e tij që ushtron, Prefekti nuk duhet parë thjesht si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në qarkun ku vepron, as si përfaqësues material i ministrive në territor, sepse në vetvete Prefekti përfaqëson unitetin e shtetit shqiptar si një e i pandarë, ku ai përputh interesat kombëtare me ato lokale në qarkun ku vepron. Kjo do të thotë se Prefekti garanton përparësinë e interesave kombëtare mbi ato lokale, duke u kujdesur që përparësitë e politikave lokale ku ai ushtron autoritetin e tij, të mirinkuadrohen brenda interesave kombëtare. Për nga natyra, Prefekti përbën institucionin, i cili garanton decentralizimin e pushtetit ekzekutiv, duke e zbritur këtë të fundit në territor, afër qytetarëve. Në një kontekst të tillë, kur garantimi i sigurisë në përditshmëri për qytetarin është e para nga liritë e tij themelore, e kthen institucionin e Prefektit si autoritetin më të natyrshëm edhe në aspektin ligjor në raport me sigurinë në qark.

Një fakt të tillë, bazuar në disa doktrina të vendeve ku ekziston institucioni i Prefektit e kam përshkruar edhe në librin tim “Siguria dhe ndjenja e pasigurisë”: “Nisur edhe nga detyrat e ligjit organik, edhe të atyre të ngarkuara me ligj, Prefekti ka pozicionin me ideal për të vënë në bashkëveprim të plotë gjithë aktorët lokalë në funksion të sigurisë në përditshmëri për qytetarin. Me pak mangësi (pra mungonte rregullimi i mësipërm ligjor), ky institucion ka mjaft hapësira ligjore për të ndërtuar një sistem të përhershëm sigurie duke qëndruar vetë në krye. Prefekti mund të vendosë në të njëjtën tavolinë kryetarin e një bashkie, kryetarin e një njësie administrative, koordinatorin e lagjes, Policinë Bashkiake si segmente të pushtetit vendor me agjencitë e ndryshme shtetërore të sigurisë, me shtrirje në territor si drejtorin vendor të policisë, drejtuesit e shkollave, të transportit publik dhe aktorë të tjerë”.

Kjo nismë ligjore, nëse ndiqet nga akte administrative të mirëmenduara, do të krijojë mundësinë që institucioni i Prefektit të mos mbetet vetëm në përmasat me profil politik të një kujdestari mbi pushtetin vendor, duke u mjaftuar me detyrat e një institucioni koordinativ, që kënaqet me një transmetim mekanik të direktivave ministrore në drejtim të agjencive shtetërore apo komunitare me shtrirje në territor. Gjithë hapat në vazhdim të këtij ndryshimi ligjor do të ndikojnë që Prefekti të kthehet në një aktor lokal mjaft aktiv dhe të rëndësishëm që i përshtat direktivat e pushtetit qendror në përputhje me specifikat e qarkut, ku ai ushtron kompetencat.

Sanksionimi me ligji i “Këshillit Vendor të Sigurisë Publike” të kryesuar nga Prefekti krijon mundësinë që diagnostikimi i problemeve që shqetësojnë komunitetin lidhur me sigurinë në përditshmëri të mos kryhet vetëm nëpërmjet raportimeve të policisë në territor, as nëpërmjet kontakteve të saj me qytetarët në komisariate dhe stacione policore si qelizat më afër territorit, por nëpërmjet një serie institucionesh të zgjedhura dhe të ekzekutivit të shtrira në territor dhe të specializuara në shumë fusha të shërbimit publik. Një fakt i tillë do të bënte që edhe organi i Policisë të humbasë monopolin si institucion i vetëm në raportimin e gjendjes së sigurisë në një qark të caktuar, sepse një raport i tillë mund dhe duhet hartuar edhe nga ana e Prefektit për qarkun që mbulon. Në këtë mënyrë pushteti qendror do të ketë dy raporte dhe një problem eventual ka pak, ose aspak mundësi të mbulohet. Kjo sidomos në raport me shkelje penale të lidhura me ambientin, pyjet, peshkimin, ndërtimet pa leje, kultivimin e kanabisit, konsumatorët e drogës.

Po ashtu, prania e pushtetit vendor në këtë Këshill do të përbënte një kontribut të paçmueshëm jo vetëm në raport me ndarjen e detyrave ndërmjet Policisë Bashkiake me Policinë e Shtetit sipas ligjeve përkatëse, por sidomos do të mundësonte orientimin nga Komisioni i investimeve publike të pushtetit vendor, me drejtim zhdukjen e rrënjëve të mikrokriminalitetit apo të incivilitetit që ngjallin pasiguri të qytetari, siç është për shembull rikualifikimi urban për të jetësuar ambiente të degraduar në zona të ndryshme urbane. Kjo sepse është mjaft e rëndësishme të kuptohet se zgjidhja e problemeve të sigurisë komunitare nuk mund të kryhet vetëm me masa policore, por edhe nëpërmjet orientimeve financiare publike të pushtetit vendor si dhe ato private. Dhe në drejtim të presionit mjaft të madh që ushtron degradimi urban mbi sigurinë e qytetarit, pushteti vendor është i vetmi institucion me kompetenca dhe detyra në mirëmbajtjen e mjediseve urbane. Pa folur këtu për aspektin e ndihmës për shtresat e cenueshme shoqërore apo përdoruesit e lëndëve narkotike.

Duke qenë se Ministria e Brendshme në këto kohë është edhe duke konsultuar në publik ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit”, do të ishte mjaft koherente dhe e dobishme që këtë ligj ta përputhte me këtë ndryshim ligjor të institucionit të Prefektit. Një përputhje e tillë kërkon ndër të tjera edhe ridimensionimin e detyrave të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, i cili nuk duhet të mjaftohet vetëm me drejtimin e Policisë së Shtetit, por edhe me qenien e tij si kryetar i Komisionit të Sigurisë Publike në nivel qendror, të përbërë nga drejtues të organeve të tjera të sigurisë qytetare.

Le të shpresojmë që ky hap ligjor, i cili krijon mundësinë e një “qeverisjeje të integruar të sigurisë” në vendin tonë, do të çojë në një nivel më të lartë ndjesinë qytetare për sigurinë në përditshmëri, duke mos u kënaqur vetëm me sigurinë e jetës dhe të pronës, por edhe duke u zhveshur nga frika dhe nga nevoja, kjo sepse siguria duhet të kthehet edhe në vendin tonë në një të drejtë themelore.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular