Rritja e çmimeve të referencës së apartamenteve për Tiranën jo vetëm shtoi detyrimin e qytetarëve për taksën e ndërtesës, por dha efekt të menjëhershëm te kostot e aktivitetit të ndërtimit, pasi mbi këto çmime përcaktohet vlera e taksës në infrastrukturë.
Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e pjesshëm të vendimit të miratuar korrikun e kaluar me rritjen e çmimeve të referencës. Seanca e parë që do të jetë publike është përcaktuar të zhvillohet më 18 Qershor 2024.
Referuar objektit të padisë nga Shoqata e Ndërtuesve kërkohet shfuqizimi i aneksit 1 të vendimit ku përcakton çmimet e ndryshuara të referencave të shitblerjes së apartamenteve dhe shkronjës “dh” të aneksit 2 të vendimit që përcakton veprime prapavepruese për “çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimore për ndërtimet e reja regjistruar sipas lejes së përdorimit në ASHK, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të indeksohet me koeficientin 0.2 (zero pikë dy) herë më i lartë se çmimi i sipërfaqes së apartamentit të banimit sipas listës së përcaktuar aneksin 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi, për 5 vitet e para pas regjistrimit të lejes së përdorimit në ASHK.
“Shfuqizimin e pjesshëm të vendimit nr. 457, datë 26.07.2023 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime në vendimin nr. 132, datë 07.03.2018 të Këshillit të Ministrave “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës”, të ndryshuar” (VKM nr. 457/2023) shkronjës “dh” të Aneksit 2, si dhe në pjesën që ka emërtuar të përcaktoje në Aneksin 1, pika a.2) se çmimet mesatare referuese të shitblerjes së ndërtesave që përdoren për qëllime banimi për Bashkinë Tiranë, do të zbatohen për lejet e ndërtimit të dhëna pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
2. Pezullimin e zbatimit të shkronjës “dh” të Aneksit 2, si dhe pikës a.2) të Aneksit 1, për lejet e ndërtimit të dhëna përpara hyrjes në fuqi të VKM-së nr. 457/2023 deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, citohet në objektin e padisë dërguar Gjykatës Kushtetuese.
Shtoi 40% detyrimet e taksës së infrastrukturës dhe deri 300 euro/m2 çmimet
Taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja i nënshtrohen të gjitha subjektet që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera. Taksa paguhet nga ndërtuesit para zbardhjes së lejes së ndërtimit.
Për Tiranën është në nivelin 8% dhe llogaritet për metër katror mbi çmimet e referencës të cilat nga gushti i vitit të kaluar u rritën nga 5 deri 76% për 32 zonat kadastrale të Tiranës.
Rritja të tyre pati edhe për 5 komuna të kryeqytetit, si: Kashar, Petrela, Preza, Farka dhe Dajti.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve Erjon Harizi tha se pas ndryshimeve të referencës detyrimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë u rrit mesatarisht 40% për metër katror në Tiranë.
Nga rritja e kostos së taksave çmimet e apartamenteve në Tiranë sipas Shoqatës së Ndërtuesve janë rritur 200 deri 300 euro për metër katror.
Në 2022 nga taksa e ndikimit në infrastrukturë Bashkia më e madhe në vend arkëtoi 7,4 miliard lekë dhe 7 miliardë lekë për 2023.
Parashikimet e arkëtimeve për këtë taksë referuar të dhënave nga buxheti pritet të jenë për 2024 në vlerën e 6,3 miliardë lekëve dhe periudhën 2025-2026 nga 6,5 miliardë lekë.
Shoqata e Ndërtuesve edhe në letrën dërguar në muajin shtator kryeministrit Edi Rama paralajmëroi se me hyrjen në fuqi të vendimit për rritjen e çmimeve fiskale do të shtohet barra fiskale si te individët dhe ndërtuesit.
Përveçse efekteve të rritjes së taksës së pasurisë vendimi për rritjen e çmimeve të referencës, sipas shoqatës së Ndërtuesve do të rrisin edhe detyrimin e tatimit mbi të ardhurat për rastet e transaksioneve të shitblerjes, edhe te ata individë që kanë kryer rivlerësimin e shtëpive.
“Në kushtet ku VKM-ja nr. 457 ka hyrë në fuqi me publikimin në Fletore Zyrtare nr. 112 në datë 28.07.2023, për zonat ku është rritur çmimi i referencës, ndryshimi do të jap një efekt të menjëhershëm në financat e individëve dhe subjekteve juridik, pronar të pasurive të paluajtshme.
Por njëkohësisht, çmimet e referencës të parashikuara në këtë VKM, gjejnë përdorim për përcaktimin e çmimit të referencës për efekte të aplikimit të taksës për kalimin e pronësisë të parashikuar në Ligjin “Për të ardhurat”, duke dhënë kështu një impakt të menjëhershëm mbi individët që do të kryejnë transaksione me pasuri të paluajtshme, përfshirë edhe ata që kanë kryer rishtazi rivlerësimin sipas Ligjit nr. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme.
Vendimi, jep një impakt të menjëhershëm edhe mbi aktivitetin e ndërtimit, duke qenë se këto çmime shërbejnë si faktor kryesor për përcaktimin e vlerës së taksës në infrastrukturë dhe në vlera monetare zëvendësuese e taksës 3% të kontributit në strehimin social (sipas praktikës të adaptuar nga Bashkia Tiranë me VKB nr. Nr.105, datë 25.10.2019) dhe për pasojë edhe mbi Tatim Fitimin”, citohej në letrën e Shoqatës së Ndërtuesve.
Shoqata e Ndërtuesve propozoi që hyrja në fuqi e vendimit me çmimet e rritura fiskale të jetë graduale ose aplikimi kundrejt zhvilluesve të lidhet vetëm me projekte që nisen dhe përfundojnë pas hyrjes në fuqi te vendimit.