Rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit parashikohet të përfundojë në fund të vitit 2030. Referuar planit, procesi i prokurimit për projektin hekurudhor që lidh Shqipërinë me Malin e Zi është parashikuar të vazhdojë deri më dhjetor 2024, me nënshkrimin e kontratës së punimeve, që do të duhet të nisin në dhjetor të këtij viti e të zgjatin 6 vjet.
Gjithcka bëhet me dije në relacionin, që shoqëron marrëveshjen e kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillimit të mbërritur në Kuvend për miratim. Dokumenti jep detaje edhe për projektin që parashikohet të zbatohet për këtë linjë hekurudhore.
Më konkretisht, thuhet se projekti konsiston në përmirësimin e kësaj linje, duke rritur shpejtësinë e lëvizjes së trenave deri në 120 km/orë në një linjë hekurudhore të elektrifikuar, sipas kategorisë UIC D4, 22.5 ton/aks dhe 8.0 ton/m.
Po ashtu, projekti parashikon ndërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, ndërtimin e një tuneli me gjatësi 320 metër, ndërtimin e 12 urave, etj. Gjithashtu, sipas relacionit me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet një fluks udhëtarësh prej 2 300 000 udhëtarësh/vit dhe volum mallrash prej 900 000 ton/vit. Ndërkohë që, koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit pritet të jetë 2 orë.
Marrëveshja e kredisë me BERZH, që pritet të miratohet në Kuvend kap një vlerë prej 98.75 mln euro. Po ashtu, në dokument specifikohet se BERZH synon të vërë në dispozicion një grant investimi kapital në një shumë totale deri në 125,813,039 Euro të financuar nga Platforma e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), për të ndihmuar në financimin e pjesës së parë të projektit.
Paralelisht, qeveria synon të aplikojë për një grant investimi në një shumë totale deri në rreth 28,05 mln euro financuar po nga WBIF për të ndihumar në financimin e pjesës së dytë të projektit, teksa një tjetër marrëveshje kredie prej 100 mln euro është firmosur me Bankën Evropiane të Investimeve. Ola Mitre / SCAN