Nga Bujar Leskaj
Megjithë kundërshtitë me argumenta kokëfortë, që nga viti 2021, të shoqatave të juristëve, avokatëve dhe kontabilistëve në vend, ndaj projektligjit të përfshirjes në tatimin mbi fitimin të dhjetëra mijëra profesionistëve të lirë, Rama me sektin e tij në qeverisje vijoi projektin e tij.
Me ligjin Nr. 29/2023, që nga 1 Janari 2024, të 29 mijë personat fizikë dhe të vetë-punësuarit e rregjistruar në tatime, trajtohen jo më si sipërmarrje e vogël me zero perqind tatim mbi fitimin, por taksohen rëndë me normën tatimore 15% për fitimin deri në 14 milionë lekë në vit dhe 23% për fitimin mbi 14 milionë lekë.
𝗣𝗿𝗼𝗳𝗲𝘀𝗶𝗼𝗻𝗲𝘁 𝗲 𝗹𝗶𝗿𝗮 𝗽𝗼 𝗽𝗮𝗴𝘂𝗮𝗷𝗻𝗲 𝘀𝗮 𝗻𝗷𝗲 𝗯𝗶𝘇𝗻𝗲𝘀 𝗽𝗿𝗼𝗱𝗵𝘂𝗲𝘀!
Në këtë mënyrë, profesionet e lira do të paguajnë njësoj tatim sa një sipërmarrje e madhe prodhuese. Ky taksim godet shtresën e mesme, veçanërisht të rinjtë, duke shkatërruar planet e tyre të ndërtimit të jetës dhe qëndrimit në atdhe, përmes një punë intelektuale të ndershme. Ai do të nxisë orë dhe çast emigracionin, pasi profesionistët e rinj nuk mund të përballojnë detyrimin e ri tatimor.
Ligji nr. 29/2023,datë 30 mars 2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” dhe Akt Normativ Nr. 7, datë 14 dhjetor 2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, “Për Tatimin mbi të ardhurat” përbëjnë shkelje flagrante të Kushtetutës, duke diferencuar përpara ligjit një kategori të caktuar të qytetarëve, duke favorizuar një profesion dhe sektor(biznesin e vogël tregtar), në deformim të vullnetit të zgjedhësve dhe për vota elektorale, ndërkohë që diskriminon duke e trajtuar me taksa të rënda një profesion tjetër, edhe ai biznes i vogel, që janë profesionet e lira dhe kanë “fatin e keq” të jenë tre herë më të pakta në numër, se bizneset e vogla tregtare.
Ky trajtim dëmton rëndë moralin shoqeror, pse konsideron informalitetin dhe evazionin e profesionistëve të lirë si të keqen e sistemit fiskal në Shqipëri. Nuk janë profesionet e lira delja e zeze e sistemit tonë tatimor, por janë oligarkët e Ramës ata që punojnë me dy ose tre bilance dhe kryejnë evazionin më të madh fiskal në vend.
𝗗𝘆 𝗺𝘂𝗮𝗷 𝗻𝗲 𝘃𝗶𝘁 𝗽𝘂𝗻𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶𝗻?!
Që nga ky prill, mjekë, infermierë, fizioterapistë, dentistë, juristë, avokatë, kontabilistë, arkitektë dhe 161 profesione të tjera të lira, do të parapaguajnë në nëntë këste tatimin për 9 muaj, me nga mesatarisht 1 mijë euro këstin, sipas llogaritjeve të tatimeve, bazuar në vetedeklarimet e vitit 2023.
Që në vitin e parë të këtij ligji skandaloz, sekti Rama është i aftë të prodhojë vetëm vakuum ligjor, paqartësi ligjore dhe mangësi e gabime të rënda në llogaritjen e nivelit të kësteve të tatim fitimit, të cilat dëmtojnë rëndë të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Mënyra e llogaritjes së parapagimit të tatim fitimit jo vetëm që është e padrejtë, por niveli i caktuar i detyrimit paraqitet tej mase i lartë. Me këto nivele këstesh parapagimi të tatim fitimit, profesionet e lira janë të detyruara të punojnë të paktën 2 muaj në vit, vetëm për shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit!
Ekspertët kontabël vlerësojnë me shqetësim se forma dhe përmbajtja juridike e zbatimit të ligjit Nr. 29/2023 nuk janë aspak korrekte. Sipas tyre, njoftim-vlerësimet për parapagimet, jo vetëm që paraqiten me referenca ligjore të pasakta, por në të shumtën e rasteve, janë të llogaritura edhe gabim.
Administrata tatimore, në njoftimet e vlerësimit, dërguar shumë bizneseve për këstin e parapagimit, e ka përshkruar detyrimin si tatim fitimi i thjeshtuar, duke e konsideruar të ardhura personale, llogaritur me vitin 2023. Për llogaritjen e këstit të parapagimit, tatimet i referohen nenit 63 “Parapagimi”, pika 2, të ligjit nr.29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” i ndryshuar, si dhe Udhëzimin nr.26 datë 08.09.2023. Adresimi është totalisht i gabuar, pasi nuk mund të bëhen llogaritjet me një ligj që nuk qëndron për profesionet e lira! Nuk ka tatim fitimi të thjeshtuar për këto profesione.
Në disa raste të tjera, në llogaritjen e këstit të parapagimit, organet tatimore i referohen shqyrtimit të të dhënave që disponojnë, në mbështetje të nenit 15 “Parapagimet“ pika 1,2,3,4 dhe nenit 16 “Deklarimi”, të ligjit Nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për Sistemin e Taksave Vendore” i ndryshuar. Edhe në këtë rast, baza ligjore e përdorur, duke iu referuar ligjit “Për Sistemin e Taksave Vendore”, është tërësisht e gabuar.
Në janar 2024, nisja e zbatimit te ligjit nr. 29/2023 i gjeti organet tatimore krejtësisht të papërgatitura për të. Edhe pse kishin patur nëntë muaj kohë që nga publikimi në mars 2023 i draftligjit për konsultim publik, ato as edhe në janar 2024 nuk arritën të bënin gati formularin e ri i deklarimit të të ardhurave për profesionet e lira!
Sekti Rama miratoi një akt normativ në ligjin e ri nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili përcakton se deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, por “sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024”!. Kjo përbën një kundërsens të pastër ligjor dhe fiskal.
Situata krijoi një kaos i vërtetë për vetë tatimorët dhe profesionet e lira, ngaqë deklarimi i të ardhurave po bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, por me normat e reja tatimore, që nisën zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Në formularët ekzistues, nuk përfshihet përzgjedhja e një regjimi të veçantë për njohjen e shpenzimeve apriori në masën 30%. Vetë ligji i ri është shkelur me të dyja këmbët nga organet tatimore, pasi nuk kanë marrë në konsideratë zbritjen me 30% të shpenzimeve fikse nga të ardhurat, për të përcaktuar fitimin e profesionistëve të lirë. Shpenzimet e shumicës prej tyre janë të ulëta, në nivele 10 apo 5 përqind të të ardhurave, për shkak të profesionit që bëjnë. Rezulton që ata pothuajse janë tatuar mbi të ardhurat e deklaruara!
Kjo situatë ka krijuar një lumë ankesash nga profesionistët e lirë, drejt administratës tatimore
Ekonomistët mbajtës të bilanceve të profesionistëve të lirë, kanë pohuar se ishin informuar nga tatimet që zbritja e shpenzimeve fikse nuk do të kryhej përmes formularëve të vjetër të deklarimit që plotësohen online, pasi ky model të lejon deklarimin e shpenzimeve me kontabilitet dhe nuk ofron atë të përzgjedhjes së opsionit të shpenzimeve fikse.
Ata mbetën të befasuar dhe e quajtën pabesi, që ky parashikim ligjor nuk u zbatua nga administrata tatimore dhe u vendos parapagimi i tatimit, ndryshe nga çfarë parashikohej në ligj dhe nga orientimet e dhëna nga vetë tatimet, përmes trajnimeve të zhvilluara.
xxx
Të gjithë qytetarët tanë, jo vetëm profesionistët e lirë, tashmë e kanë të qartë se pabesitë janë në kodin gjenetik të Ramës dhe te sektit te tij ne qeverisje.
Në këtë situatë, shumë prej të vetëpunësuarve të profesioneve të lira rrezikojnë të mbyllin aktivitetin, pasi këstet e parapagimit të tatim fitimit për këtë vit janë në nivele të papërballueshme.
U ngelet vetëm të largohen në masë nga vendi, të zhgënjyer dhe mashtruar, me projekte të derformuara rende dhe gati të shkatërruara, për shkak të pabesisë dhe keqqeverisjes së Ramës dhe kloneve të tij në administratë.