Me kampionatin që është në fazën më të nxehtë, presioni sa vjen dhe shtohet jo vetëm te skuadrat, por gjithashtu tek arbitrat. “Panorama Sport” zbulon se FSHF-ja prej disa javësh ka marrë një vendim me urdhër të drejtuesve që askush prej gjyqtarëve të Superiores të mos e mësojë para kohe se cilën ndeshje do të gjykojnë.
Më konkretisht, arbitrat njoftohen vetëm pak orë para zhvillimit të ndeshjes. Pra, vetëm në ditën e ndeshjes dhe duhet të jenë në gatishmëri në orët e mëngjesit, në mënyrë që edhe ata kanë udhëtime të largëta, të nisen në momentet e fundit. Ky vendim është marrë për të shmangur interferencat tek arbitrat dhe ndërhyrjet që mund të ketë në këtë periudhë shumë të nxehtë, ku luhen fatet e sezonit për skuadrat.Edhe për derbin e kryeqytetit, Tirana-Partizani, sigurisht që do të veprohet kështu, por gjasat më të mëdha janë që kryesor të jetë një që mban stemën e FIFA-s. Edhe pse nuk ka diçka të sigurt, favorit për të qenë arbitër kryesor në derbi mësohet se është ndërkombëtari Eldorian Hamiti. Gjithashtu, kandidat është edhe Juxhin Xhaja, por FSHF-ja do të vendosë edhe duke pasur parasysh precedentët që ata kanë me dy ekipet. PANORAMASPORT.AL