BallinaKryesoreBujtina Goleci, destinacion i ri turistik në Dibër. Si mund të shkohet...

Bujtina Goleci, destinacion i ri turistik në Dibër. Si mund të shkohet në Rabdisht? Ja kontaktet…

spot_img
spot_img

Shërbimit turistik në Dibër i shtohet edhe një bujtinë e re, Bujtina Goleci, e cila, pas një rikonstruksioni të plotë, është gati të presë miqtë dhe vizitorë.
Bujtina Goleci u hap për herë të parë në vitin 2019. Ajo ndodhet në fshatin Rabdisht, 4.5 km larg nga Peshkopia, duke ndjekur rrugën që të çon te Llixhat, ose siç quhet kohët e fundit “Lugina e Shërimit”. Ky fshat është në projektin e qeverisë shqiptare të “100 fshatrat turistikë” dhe vitin e fundit është asfaltuar edhe rruga që të çon në fshat.
Bujtina është një shtëpi karakteristike, ndërtuar në vitin 1998 me mure guri nga vetë i zoti i shtëpisë, Haki Goleci. Shtëpia dy katëshe ka pesë dhoma. Të gjitha janë të mobiluara dhe kanë një kapacitet pritës nga 10-18 persona.
Një nga dhomat e bujtinës është karakteristike në zonë, pasi e ka ruajtur strukturën e gurit natyral dhe kjo e bën shumë tërheqëse për vizitorët. Secila dhomë ka banjo më vete, të pajisura në mënyrë bashkëkohore.
Shtëpia nisi të përshtatet për bujtinë në vitin 2018, funksionoi për një kohë të shkurtër dhe gjatë vitit 2019 u ndërpre për shkak të pandemisë. Me kapacitete të kufizuara ka funksionuar gjatë vitit 2020-2022. Kjo periudhë shërbeu edhe për të kuptuar më mirë kërkesat e klientëve dhe nevojat e shtuara për të ofruar një shërbim turistik të pëlqyeshëm për klientët.
“Kërkesat në rritje nga prenotimet përmes rrjeteve sociale dhe telefonatave, na ka nxitur për të riinvestuar në shtëpi, për të rritur kapacitetet pritëse”, thotë i zoti i Bujtinës, Fitim Goleci.
“Bujtina më parë ofronte shërbim nga pranvera deri në vjeshtë dhe kërkesat në rritje për një turizëm gjithëvjetor, nxitën nevojën për një riinvestim tjetër në bujtinë, duke shtuar kapacitetet pritëse, por edhe duke ofruar një shërbim më cilësor në kuzhinë dhe mjediset e përbashkëta të bujtinës”, thotë ai.
Bujtina i është kryer këtë vit një rikonstruksioni total, është shtuar numri i shtretërve, janë rregulluar mjediset rreth shtëpisë, oborri si dhe mjediset e përbashkëta të shërbimit. Oxhaku në mjediset e përbashkëta ofron ngrohtësi jo vetëm rreth tij, por është i lidhur me sistemin e ngrohjes të gjithë shtëpisë, çka do ta bëjë bujtinën të ngrohtë edhe gjatë muajve të dimrit. Panelet diellore ofrojnë ujë të ngrohtë në çdo kohë. Bujtina do të ofrojë shërbime gjithëvjetore, jo vetëm për turistët që do të kalojnë natën në bujtinë, por edhe atyre që mund të vizitojnë fshatin për disa orë gjatë ditës.
Bujtina ofron fjetje, ushqim tradicional të zonës, guidë malore si dhe disponon një fermë me produkte të frutikulturës: mollë, kumbull, qershi, dardhë etj. Ferma, e vendosur në mes të pyllit në një lartësi rreth 800 metra, është një destinacion i veçantë në natyrë për të gjithë familjen.
Tashmë në Rabdisht funksionojnë dy bujtina pritëse. Më herët është hapur dhe është në funksion të plotë “Guest House Sabriu” dhe të dyja bujtinat së bashku ofrojnë mundësi dhe cilësi shërbimesh për më shumë vizitorë, nga vendi dhe Europa, të pasionuar pas udhëtimeve në mal dhe ushqimeve të zonës.
Fëmijët mund të luajnë në oborrin e gjelbëruar të shtëpisë ose mund të dalin në natyrë në periferi të fshatit, ndërsa më të rriturit mund të ngjiten në bjeshkë – në kufirin me Maqedoninë e Veriut brenda 2-3 orëve, pa qenë nevoja e një përgatitje të veçantë fizike.
“Ne u ofrojmë vizitorëve ushqime të fshatit dhe fshatrave përreth”, thotë Fitim Goleci.
“Përmes këtij investimi synojmë të ngjallim interes për prodhimin e produkteve të vendit edhe të bashkëfshatarët tanë, pse jo, të ofrojmë së bashku mundësi për të pritur më shumë turistë”, thotë ai.
Rabdishti është një nga fshatrat e veçantë, ku janë ruajtur ndërtimet e shtëpive karakteristike me gurë. Rrugët e brendshme të shtruar me kalldrëme ofron një peizazh natyror të rrallë dhe të veçantë. Prej fshatit mund të kapësh brenda dy orëve majën e malit, ndërkohë që rreth e rrotull fshatit natyra është e prekshme për të gjithë vizitorët, për të gjithë familjen, pavarësisht përgatitjes fizike”.
Në rikonstruksionin e Bujtinës Goleci ka kontribuar edhe “Projekti Perspektiva të Reja / New Perspectives”, një projekt që zbatohet nga Swisscontact në bashkëpunim me TAG International, dhe që financohet nga Qeveria Britanike nëpërmjet British Embassy Tirana.

Si mund të shkohet në Rabdisht?
Për të shkuar në Rabdisht, së pari duhet të shkoni në Peshkopi. Pastaj ndjek rrugën përgjatë Luginës së Shërimit drejt Llixhave. Fshati është larg 4.5 km dhe rruga është e asfaltuar.

Si mund të rezervoni?
Bujtina funksionon vetëm për rezervimit. Për momentin mund të telefononi në numrin 00355 69 642 9888 (gjendet edhe ne Whatsapp), përmes faqes në Facebooku dhe shumë shpejt do të gjendet edhe në Booking.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular