Kryebashkiaku i Tiranës u paraqit të martën në SPAK pas një fletë-thirrje të javës së kaluar për të dëshmuar në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u pyet të martën për gati 7 orë për aferën e inceneratorit të Tiranës nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK.
Rreth orës 09:00 të mëngjesit, Veliaj u paraqit në ambjentet e SPAK me një dosje në dorë dhe kur doli pas dëshmisë, deklaroi para gazetarëve se kishte shkuar si ‘bashkëpunëtor’, pasi kishte kohë që e kishte kërkuar vetë një takim.
Duke i quajtur hetuesit e SPAK si “dy kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar”, Veliaj tha ndër të tjera se kishte patur një ezaurim total të çështjes së incineratorëve. Ai shtoi se ishin thënë edhe disa detaje të tjera, por u tregua i rezervuar me argumentin se për shkak të sekretit hetimor i ishte “kërkuar dashamirësisht që të mos i ndante me gazetarët”.
I pyetur nga BIRN mbi cilësinë e marrjes në pyetje, kreu i SPAK, Altin Dumani dha një version tjetër të paraqitjes së Veliajt në Prokurorinë e Posaçme.
“I është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës,” tha Dumani.
Projekti koncesionar për inceneratorin e Tiranës u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 100 milionë euro – ndonëse punët mbetën përgjysmë dhe inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme caktoi 15 masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në këtë aferë, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish- deputeti socialist, Alqi Bllako dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha.
Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy incineratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.
Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, projekti koncesionar i trajtimit të mbetjeve në Tiranë mori jetë pasi kryebashkiaku Veliaj i dërgoi qeverisë në janar të vitit 2016 një studim fizibiliteti të IFC-së për zgjerimin e landfillit të Sharrës bashkë me propozimin për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane në kryeqytet.
Projekti u udhëhoq më pas nga Ministria e Mjedisit, ku u përfshinë edhe dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto përmes një oferte të pakërkuar./BIRN