Shërbimi social: Më pak fëmije të braktisur në maternitet
Fëmijët që vijnë nga familje me probleme socio-ekonomike dhe nga ato që u riskojnë jetën për shkak të dhunës, keqtrajtimit, neglizhencës apo shfrytëzimit të tyre në rrugë përbëjnë shumicën e mbi 400 të miturve që jetojnë aktualisht në institucionet e përkujdesit social rezidencial.
Kështu konstaton Shërbimi Social Shtetëror, sipas së cilit pjesa më e madhe e fëmijëve pa kujdes prindëror janë mbi 6 vjeç.
“Në përgjithësi vijnë raste të referuara nga punonjësi për mbrojtjen e fëmijëve, nga grupe teknike ndërsektoriale që ngrihen në çdo bashki që ngrihen për të vlerësuar situatën e fëmijëve. kryesisht këto fëmijë vijnë nga familje me probleme të theksuara sociale, të riskuara ku ka të bëjë një dhunë ndaj tyre apo një neglizhim total”, tha Ermelinda Spaho, përgjegjëse e sektorit për fëmijët, Shërbimi Social Shtetëror.
Në raportin vjetor të 2023-të, Avokati i Popullit konstaton se fëmijët e dhunuar kanë nevojë edhe për shërbime të specializuara.
“Në institucionet e përkujdesit shoqëror publik të inspektuara nga Avokati i Popullit, ende nuk ka filluar puna për transformimin/zhvillimin e tipologjive të reja të shërbimeve me bazë komunitare”, tha Avokati i Popullit.
Sa i përket braktisjeve të fëmijëve që në maternitet, shërbimi social shtetëror thotë se janë në rënie.
“Prej gati 10 vitesh, më parë kishim rreth 50 fëmijë të braktisur në maternitete, ndërsa sot numri i fëmijëve është reduktuar deri në 15 fëmijë, janë kryesisht nga nënat e reja”, tha Spaho.
Para 10 vitesh në institucionet e përkujdesit social rezidencial numëroheshin rreth 600 fëmijë, sot ky numër ka rënë me 42%.