BallinaEkonomiINTERVISTA/Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania: Sfida e bankave,...

INTERVISTA/Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania: Sfida e bankave, të mbajnë hapin e përmirësimit të bizneseve

spot_img
spot_img
Intervistë me Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania
Në fazën që po kalon turizmi shqiptar, atë të investimit intensiv, mbështetja e bankave është jetike për investitorët. Jo vetëm për projektin e radhës, por dhe në perspektivën e zhvillimit të 10 viteve të ardhshme.

Bizneset shqiptare, në vitet e fundit, po shfaqin aftësinë për ta përmirësuar ndjeshëm veten dhe aktivitetin e tyre.

Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania, thotë se sfida e bankave do të jetë ta mbështesin këtë tendencë në mënyrë të qëndrueshme, me të njëjtën shpejtësi që bizneset vetë po përmirësohen.

Z.Shella thotë se dixhitalizimi i mëtejshëm i sektorit bankar është mjaft i rëndësishëm në kuadrin e ofrimit të platformave cilësore me të drejta të plota për produktet dhe shërbimet bankare ndaj klientëve.

Zhvillimi i mëtejshëm i dixhitalizimit do të sjellë shërbim më të shpejtë në kohë dhe me kosto më të ulëta kundrejt klientëve, megjithatë ai thekson nevojën për një kuadër ligjor dhe rregullator të mirëstrukturuar dhe një bashkëpunim më proaktiv me organet ligjhartuese për plotësimin e këtij kuadri, veçanërisht në lidhje me identifikimin fillestar në distancë (online onboarding) të klientëve, njohjen e firmave elektronike nga të gjitha institucionet, etj.

Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit të Bankës OTP Albania gjatë vitit të kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme për sektorin bankar në vitin 2023?

Banka OTP Albania përjetoi një vit të jashtëzakonshëm gjatë 2023; rezultatet e shkëlqyera financiare u gërshetuan në mënyrë të përsosur me finalizimin e suksesshëm të bashkimit teknik të dy Bankave (OTP Albania dhe Alpha Bank Albania).

Dinamikat makroekonomike që solli viti i kaluar, me norma interesi në rritje, norma inflacioni relativisht të larta në Shqipëri, por dhe globalisht, gjeneruan natyrshëm nevojën e ndjekjes së strategjisë sonë në “agile mode”.

Performanca financiare njohu nivelet më të larta historike të bankës sonë, ku Fitimi Neto (i rregulluar me kostot ‘one off’ te bashkimit) arriti në nivelin 44 milionë euro.

Kthimi nga Kapitali arriti në 23.5% dhe raporti Kosto / Të ardhura arriti në nivelin 44.7%, të gjitha këto ndjeshëm mbi parashikimet dhe pritshmëritë tona.

Volumet e reja të gjeneruara gjatë vitit 2023 tejkaluan aktivitetin komercial të vitit 2022 dhe kjo falë angazhimit maksimal të punonjësve tanë, por edhe mbështetjes së OTP Group.

Aktualisht, OTP Albania gëzon pozicionin e tretë si banka më e madhe në vend për portofol kredie, vendin e dytë për kreditë për shtëpi dhe prona të paluajtshme, si dhe të tretin për kreditë e segmentit të biznesit, duke u bashkërenditur ndër bankat më të mëdha për kredidhënie.

Sinergjia nga bashkimi i bankave u përshpejtua në raport me planin e biznesit, me qëllimin kryesor optimizimin e kostove, e cila është ndër shtyllat kryesore të strategjisë sonë.

Ne vazhduam të investojmë në përmirësimin e sistemeve tona dixhitale, rritjen e numrit të ATM dhe POS, si dhe shtimin e produkteve bankare.

Sektori bankar gjatë 2023 pati gjithashtu një vit shumë të suksesshëm në aspektin financiar. Fitimi Neto ishte në nivele shumë të kënaqshme, kreditë e reja u rritën ndjeshëm, si dhe cilësia e kredive është në përmirësim të vazhdueshëm.

Sistemi bankar ka treguar qëndrueshmëri shumë të mirë dhe në përmirësim të vazhdueshëm. Ai po mbështet kënaqshëm ekonominë shqiptare nëpërmjet kreditimit.

Kapitalizimi i sektorit bankar është i kënaqshëm dhe më i lartë se një vit më parë, duke arritur në nivelin 19.63%. Rezultatet e provës së rezistencës kanë rikonfirmuar elasticitetin e sektorit bankar kundrejt çdo lloj sfide apo dinamike makroekonomike.

Pas pandemisë, po vërehet një rritje e ndjeshme e rolit të turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme në ekonomi. Si po ndikojnë këto zhvillime në sektorin bankar?

Turizmi është një nga shtyllat kryesore të Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë nxit dhe zhvillon edhe sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë.

Numri i lartë i turistëve nxiti shtimin e kapaciteteve akomoduese në vend dhe kjo rrjedhimisht përkthehet në një kërkesë në rritje në kredidhënie në të dyja segmentet kryesore.

Në fazën që po kalon turizmi shqiptar, atë të investimit intensiv, mbështetja e bankave është jetike për investitorët. Jo vetëm për projektin e radhës, por dhe në perspektivën e zhvillimit të 10 viteve të ardhshme.

Ne si bankë kemi krijuar një portofol të rëndësishëm kredish në këtë sektor, por mbi të gjitha, përvojën dhe ekspertizën humane për ta replikuar me shpejtësi këtë sukses në investimet e reja.

Me zgjerimin e sektorit, rritjen e numrit të turistëve e shtimin e hotelerisë, ka lindur dhe nevoja për modernizim dhe automatizim të sa më shumë proceseve të punës të hotelerisë dhe për këtë arsye, ne ofrojmë edhe leasing për pajisje apo kapital për ngritjen më lart të logjistikës së hotelerisë.

Këtu përfshihet edhe gjenerimi i energjisë nga burime të rinovueshme, si fotovoltaikët. Në këtë mënyrë, subjektet turistike optimizojnë kostot e tyre dhe fokusohen te rritja e cilësisë së shërbimit.

Nga ana tjetër, është rritur niveli transaksional, qoftë nëpërmjet rrjetit të degëve dhe kanaleve dixhitale. Përdorimi i kartave në POS dhe ATM është rritur ndjeshëm, kjo e evidentuar edhe në përdorimin e kartave të huaja.

Në kuadër të sinergjisë së grupit, OTP Group miratoi unifikimin e gjeografisë së bankave OTP në Europë, duke mundësuar përdorimin e Kartave me brandin OTP falas në nivel ndërkufitar.

Pra, kartat OTP të lëshuara në secilin nga shtetet ku OTP operon mund të tërheqin falas në ATM-të e OTP kudo ku janë, pavarësisht shtetit.

Cilat mendoni se do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në vitin 2024?

Siç e vëmë re çdo ditë, bizneset kanë një ritëm të respektueshëm të përmirësimit të vetes, gjetjes së rrugëve të reja për t’u përshtatur me tregun dhe rritjen e aktivitetit të tyre. Besoj se jemi në një dekadë shumë interesante të jetës së bizneseve në Shqipëri.

Sfida e bankave sot është ta mbështesin këtë trend, me po të njëjtën shpejtësi që bizneset po përmirësohen e rriten dhe ta mbështetin biznesin në formë të qëndrueshme.

Thënë ndryshe, të mos bëjmë vetëm biznesin e sotëm bankar e të shohim rezultatet e momentit, por të jemi të përgatitur për atë që do të ndodhë në këtë dekadë.

Në linjë me trendin dhe zhvillimet globale, sektori bankar duhet të prioritizojë tranzicionin ESG, ose financimet e gjelbra.

Pozita gjeografike e vendit tonë, e shoqëruar me burimet natyrore dhe ditët e gjata me diell, ofron potencial shumë të lartë për zhvillimin e mëtejshëm të projekteve për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Bankat duhet të jenë promotori kryesor, duke ofruar produkte lehtësuese, jo vetëm në segmentin korporatë që operon në sektorin “e gjelbër”, por edhe në segmentin e individëve, i cili kërkon financim për hua në pasuri të paluajtshme, e certifikuar si “e gjelbër”.

Për ta ilustruar, investimi që ndërtesat të jenë të standardeve “green” apo investimet për të qenë të vetëmjaftueshëm në energjinë e pastër, janë jo vetëm të mirëpritura për mjedisin, të vlerësuara nga klientët fundorë, por edhe fitimprurëse dhe të qëndrueshme.

Dixhitalizimi i mëtejshëm i sektorit bankar është mjaft i rëndësishëm në kuadrin e ofrimit të platformave cilësore me të drejta të plota për produktet dhe shërbimet bankare ndaj klientëve.

Parimisht, zhvillimi i mëtejshëm i dixhitalizimit do të sjellë shërbim më të shpejtë në kohë dhe me kosto më të ulëta kundrejt klientëve.

Megjithatë duket theksuar se dixhitalizimi ka nevojë për një kuadër ligjor dhe rregullator të mirëstrukturuar dhe një bashkëpunim më proaktiv me organet ligjhartuese për plotësimin e këtij kuadri, veçanërisht në lidhje me online onboarding të klientëve, njohjen e firmave elektronike nga të gjitha institucionet, etj.

Një sfidë tjetër lidhet me investimet në sigurinë kibernetike; sulmet kibernetike të ndodhura gjatë 2023 në Shqipëri duhet të shërbejnë si një kambanë alarmi për të zhvilluar më tej sistemet e sigurisë dhe për të forcuar barrierat hyrëse. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular