Intervistë me Maltin Korkuti, Drejtor i Përgjithshëm i Credins Bank
Sfidat me të cilat do të përballet sektori mbeten menaxhimi i vazhdueshëm i riskut si rezultat i ndryshimeve ekonomike, përshtatja ndaj teknologjive të reja dhe kërkesave të konsumatorëve për shërbime bankare më të përmirësuara dhe të sigurta, përkrahja e inovacionit për të ofruar dhe për të siguruar zgjedhje më të mira dhe të favorshme për konsumatorët, mbështetja e vazhdueshme me financime e bizneseve të vogla dhe të mesme që operojnë në sektorin e turizmit
Sektori bankar po u përgjigjet kërkesave dhe mundësive që ka krijuar zhvillimi i shpejtë i turizmit në vend.
Maltin Korkuti, Drejtor i Përgjithshëm i Credins Bank, thotë për “Monitor” se bankat do të punojnë për zhvillimin e produkteve të reja financiare të specializuara për bizneset turistike, si financime për industrinë e shërbimit, karta krediti me avantazhe për udhëtarët apo dhe zhvillimin e kanaleve të reja të pagesave.
Sipas tij, sfidat kryesore të sektorit për këtë vit do të jenë menaxhimi i vazhdueshëm i riskut, si rezultat i ndryshimeve ekonomike, përshtatja ndaj teknologjive të reja dhe kërkesave të konsumatorëve për shërbime bankare më të përmirësuara dhe të sigurta, përkrahja e inovacionit për të ofruar dhe për të siguruar zgjedhje më të mira dhe të favorshme për konsumatorët, mbështetja e vazhdueshme me financime e bizneseve të vogla dhe të mesme që operojnë në sektorin e turizmit dhe të bujqësisë etj.
Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit të Credins Bank vitin e kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme në vitin 2023?
Credins Bank udhëhoqi një tjetër vit të suksesshëm në disa drejtime, duke konfiguruar edhe një herë aftësinë profesionale për të dominuar në industrinë bankare. Të gjitha nismat financiare të ndërmarra kanë ndjekur me një koherencë të plotë trajektoren strategjike të vendosur për vitin 2023.
Ishte një vit i rëndësishëm, ku shumëllojshmëri ngjarjesh shoqëruan 20-vjetorin e Credins Bank, duke sjellë si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë social, një performancë dinjitoze.
Credins vazhdoi të ruajë pozita solide në treg, si banka e parë në portofolin e kredisë dhe e dyta në total asetesh dhe depozitash. Credins tregoi impenjim maksimal për t’iu përshtatur trendeve globale, që sjell vazhdimisht tregu financiar e kryesisht ai bankar.
Në këtë aspekt, shënuam rritje edhe në zgjerimin e numrit të klientëve, duke bërë që Credins të ishte zgjedhja e duhur për investimet e tyre.
Portofoli i investimeve u realizua, duke mobilizuar të gjitha strukturat e bankës për të pasur rezultate të larta. Gama e proceseve drejt automatizimit të tyre, investimi për ofrimin e një infrastrukture të plotë dixhitale në shërbimet bankare janë vetëm disa nga sfidat që ndoqëm vitin e kaluar.
Credins Bank e zgjeroi edhe më tej veprimtarinë financiare, ku një nga arritjet në tregun ekonomiko-financiar në Shqipëri ishte edhe lançimi i ofertës së parë publike të instrumenteve të borxhit të llojit të obligacioneve.
Jo vetëm në statusin e nënshkruesit të këtij emetimi, por edhe si themeluesi i Bursës së parë private shqiptare, Credins tregoi se ka një vizion të suksesshëm dhe ambicioz për zhvillimin e sektorit të biznesit, por edhe të ekonomisë vendase.
Industria bankare ka marrë një hov të madh zhvillimi, ku konkurrenca e tregut është e madhe. Ne krijuam produkte të reja dhe sollëm larmi ofertash të posaçme sipas segmenteve të klientëve.
Objektivi kryesor ishte ofrimi i produkteve apo shërbimeve konkurruese, si në terma të produkteve me përfitime, në eficiencën e ofrimit të tyre, zgjerimin e kanaleve në të cilat ofrohen, termat kohorë, lehtësim procedurash, etj.
Kredidhënia u bazua në njohjen e potencialit të klientëve tanë besnikë, por edhe të rinj, në varësi të veçorive të sektorëve ku ata operojnë. Partneriteti me institucione financiare ndërkombëtare si rasti i Mastercard i dhanë zë, hartimit të ofertave të veçanta mbi promovimin e kartave me parapagesë dhe ofertave për klientët e rinj.
Credins sërish inicioi fushata mbi bazën e shpërblimit të klientëve kartëmbajtës, si dhe incentivimin e klientëve biznes të pajisur me POS. Duke ruajtur pozicionin si një nga bankat që ofron interesa të favorshme në produktet e investimit, ofertat speciale për depozitat me afat erdhën natyrshëm si pjesë e një strategjie për t’iu shërbyer klientëve tanë me norma preferenciale.
Mbështetja e sektorëve si: turizmi, bujqësia, energjia etj., ishte sërish në fokusin tonë për të forcuar dhe për të zhvilluar këta sektorë të rëndësishëm të ekonomisë vendase.
Nëse i referohemi situatës globale, pra ndryshimet e tregjeve financiare, rritja e normës bazë të interesit në Eurozone, Amerikë, Angli, edhe Shqipëria ka arritur të jetë krah tendencave të tregut, me qëllim menaxhimin efektiv të likuiditetit dhe investimeve afatgjatë.
Rritja e inflacionit edhe pas përpjekjeve për ta mbajtur atë të ulët ka ndikuar në normat e interesit të kredive dhe depozitave. Të ardhurat nga veprimtaria e Sektorit të Tregut të Parasë dhe Titujve u rritën me 65% krahasuar me 2022. Objektivi ynë kryesor ka qenë menaxhimi i likuiditetit dhe investimi në letra me vlerë vendase dhe të huaja.
Me fokusin mbi progresin teknologjik, Credins Bank i kushton një rëndësi të veçantë marrjes së masave të sigurisë për ruajtjen e të dhënave të klientëve të saj, duke përdorur teknologji sigurie të avancuar. Bankingu dixhital sot është kryefjala dhe Credins nuk ka kursyer çdo investim në inovacion, duke përmbushur nevojat e klientëve.
Gjatë vitit 2023, numri i klientëve në platformën Credins online arriti mbi 61% të totalit të individëve aktivë. POS-et janë një tjetër kanal dixhital, që njohën rritje me mbi 50% në numrin e transaksioneve krahasuar me 2022, i nxitur edhe nga faktorë të tjerë si rritja e penetrimit të kartave, nismat e qeverisë për të promovuar pagesat pa para dhe popullariteti i tregtisë elektronike (e-commerce). Rritje shënoi gjithashtu edhe numri i transaksioneve dhe volumit në ATM me 14% krahasuar me vitin 2022.
Banka Credins ka përmirësuar portofolat, duke e tejkaluar tregun për sa i përket aktivitetit huadhënës dhe grumbullimit të fondeve nga klientët përkatësisht: 1.3% në totalin e aktiveve, 5% në portofolin e kredisë bruto dhe 8.6% në llogaritë e klientëve.
Credins vazhdoi të ketë një pjesë tregu të konsiderueshme në totalin e aktiveve dhe në totalin e llogarive të klientëve, duke mbajtur ritmin e rritjes së tregut dhe madje duke përmirësuar peshën në treg krahasuar me një vit më parë, përkatësisht: total aktive 16.5% dhe llogaritë e klientëve 17.6%
Në përputhje me standardet ndërkombëtare, kemi aplikuar përmirësime në lidhje me matjen dhe monitorimin e riskut të likuiditetit dhe të normës së interesit, duke përcaktuar limite dhe instrumente të reja në menaxhimin e këtyre rreziqeve. Janë implementuar sisteme në lidhje me automatizimin e proceseve për përllogaritjen e indikatorëve sipas kërkesave rregullatore dhe të brendshme.
Fokus të rëndësishëm ka pasur në miradministrimin e vlerësimeve të kolateraleve për mbulimin sa më lartë të ekspozimeve në risk dhe përfshirjen e një game më të gjerë të kolateraleve, si dhe instrumente të reja financiare dhe produkte të sigurimeve. Gjatë vitit 2023, u arrit reduktimi i kredive me probleme dhe portofolit në risk, si në volum, ashtu edhe kundrejt totalit të portofolit të huave.
Arsyeja çfarë e bën të veçantë Credins Bank është dhe investimi në burime njerëzore. Angazhimi ynë për të ofruar mirëqenie financiare me paketa të shumta benefitesh ka njohur rritje të jashtëzakonshme çdo vit, duke ofruar edhe një kulturë moderne në socializimin e stafeve.
Gjatë vitit 2023, që përkoi dhe me 20-vjetorin e bankës, Credins zgjodhi të vinte me një strategji paketash financiare të përditësuara. Paga e 13 dhe 14, bonusi i performancës, kreditë preferenciale, skema e vjetërsisë së punës dhe ajo e besnikërisë, jetë dhe shëndet (cash plan), staf retreat, trajnimet e ndryshme, janë vetëm disa nga përfitimet për çdo punonjës.
Kjo është një strategji që nuk synon thjesht për të pasur një biznes të suksesshëm, por aftësia jonë empatike dhe vizionare për të krijuar një klimë pune të favorshme e cila synon të harmonizojë si aspektin financiar, ashtu edhe atë emocional të çdo punonjësi.
Të flasësh për Credins Bank kërkon përgjegjësi të madhe, për vetë statusin dhe ndikimin që ajo ka krijuar edhe në aspektin social. Një bankë që numëron investime të mëdha në funksion të mirëqenies së komunitetit dhe progresit të tij. Kemi investuar në fusha që sjellin përparim për vendin si në teknologji, ekonomi, punësim, mjedis, turizëm, arsim, kulturë, sport etj.
Kjo mendësi ka bërë që Credins të jetë jo vetëm zgjedhja numër një e çdo shqiptari, por të gëzojë njëherazi respektin maksimal për të gjithë punën absolute të bërë në zhvillim të shoqërisë shqiptare. “SDG Business Pioneers”, çmimi i akorduar nga United Nation of Albania në 2023, ishte shpërblimi i sakrificës që Credins Bank ka dhënë në 20 vite.
Ndihemi krenar që jemi e para bankë që merr këtë çmim prestigjioz, duke ndjekur 17 objektivat për zhvillim dhe qëndrueshmëri të vendosura nga OKB. Anëtarësimet në UN Global Compact dhe UN Woman tregon që Credins Bank është e angazhuar të ndjekë modelet më të mira në botë.
Pas pandemisë, po vërehet një rritje e ndjeshme e rolit të turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme në ekonomi. Si po ndikojnë këto zhvillime në sektorin bankar?
Disa nga ndikimet e këtyre zhvillimeve që mund të përmendim lidhen kryesisht me:
–Rritjen e kërkesës për financim. Zhvillimi i turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme ka sjellë rritje në kërkesën për financim nga bizneset që operojnë në këto fusha. Bankat janë përballur me një kërkesë të madhe për kredi dhe shërbime financiare për të mbështetur investimet në infrastrukturë, shërbime dhe zhvillimin e projekteve turistike.
–Zhvillimi i këtyre sektorëve kërkon gjithashtu dhe diversifikim të produkteve dhe shërbimeve bankare. Bankat kanë reaguar duke diversifikuar ofertën për ta përshtatur me nevojat e rritjes së sektorit të turizmit dhe pasurive të paluajtshme.
Kjo përfshin zhvillimin e produkteve të specializuara për bizneset turistike, si dhe ofrimin e shërbimeve të ndryshme financiare për investitorët në sektorin e pasurive të paluajtshme. Rritje të madhe ka pasur shërbimi i e-commerce, numri i pajisjeve POS të instaluara, përdorimi i kartave bankare, rritja e incentivave të bankave për përdoruesit e kartave, shtimi i funksionaliteteve të reja nëpër ATM etj.
–Rritja e investimeve të huaja: Rritja e turizmit dhe interesimi për investime në pasuri të paluajtshme ka sjellë rritje të investimeve të huaja në sektorin bankar shqiptar. Kjo ka ndikuar në rritjen e likuiditetit dhe në zhvillimin e mëtejshëm të tregut financiar në Shqipëri.
Rritja e aktivitetit në sektorin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme ka kontribuar edhe në përmirësimin e performancës financiare të bankave në Shqipëri, duke sjellë rritje të të ardhurave dhe fitimeve.
Cilat mendoni se do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në vitin 2024?
Sfidat me të cilat do të përballet sektori mbeten menaxhimi i vazhdueshëm i riskut si rezultat i ndryshimeve ekonomike, përshtatja ndaj teknologjive të reja dhe kërkesave të konsumatorëve për shërbime bankare më të përmirësuara dhe të sigurta, përkrahja e inovacionit për të ofruar dhe për të siguruar zgjedhje më të mira dhe të favorshme për konsumatorët, mbështetja e vazhdueshme me financime e bizneseve të vogla dhe të mesme që operojnë në sektorin e turizmit dhe të bujqësisë etj.
Sistemi bankar dhe Banka Credins duhet të fokusohen në zhvillimin e produkteve të reja financiare të specializuara për bizneset turistike, si financime për industrinë e shërbimit, karta krediti me avantazhe për udhëtarët (si zbritje në hotele, restorante, siguri shtesë në udhëtim, bonuse gjatë udhëtimit etj.), apo dhe zhvillimin e kanaleve të reja të pagesave.
Ndihemi entuziastë që Credins Bank do të vazhdojë të jetë e angazhuar edhe gjatë 2024, për t’i përballuar sfidat dhe për t’i vlerësuar oportunitetet që ato sjellin, duke u përpjekur që të jemi koherentë më standardet e tregjeve ndërkombëtare.
Credins Bank ka një angazhim maksimal në zhvillimin e kanaleve dixhitale dhe duke u bazuar në strategjinë e saj, do të vazhdojë të ketë në fokus ofrimin e produkteve tërësisht dixhitale.
Ofrimi i zgjidhjeve inovative dhe të personalizuara për klientët tanë janë ambicia jonë më e madhe profesionale. Ne do të vijojmë të jemi partneri kryesor duke mbështetur çdo kërkesë dhe nevojë me produkte tërheqëse, procedura efikase, skema konkurruese dhe shërbim të shkëlqyer. Monitor