Prokuroria e Shkodrës ka zbardhur dinamikën e ngjarjes që çoi në vetëflijimin e Alma Arrazit dhe 3 fëmijëve të saj. Ngjarja ka ndodhur më 2 Maj, ndërsa denoncimi nga bashkëshorti Erdgys Arrazi ka qenë më 3 Maj rreth orës 17:30. Pasditen e së enjtes, Alma bashkë me fëmijët është takuar, siç e kemi raportuar edhe më herët, me kunatën e saj, në lagjen Iliria. Prokuroria thotë se ato kanë qëndruar bashkë për rreth dy orë. Më pas, Alma i ka thënë kunatës se do ta merrte i vëllai me taksi sepse do të shkonte një javë tek shtëpia e tij për t’u qetësuar.
“Në lidhje me këtë fakt janë marrë deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, nga ku ka rezultuar se në datën 02.05.2024, pasdite, shtetasja Alma Arrazi me fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën V.P., në lagjen “Iliria” Shkodër. Aty kanë qëndruar për rreth dy orë dhe më pas kanë dalë jashtë, ku shtetasja Alma Arrazi i ka thënë shtetases V.P. se do ta merrte prej aty vëllai i saj me taksi, pasi do shkonte një jave tek shtëpia e tij që të qetësohej”, njoftoi prokuroria.
Më pas ajo është ndarë nga kunata dhe sipas prokuroria, Alma Arrazi bashkë me tre fëmijët, kanë ecur në trotuarin e rrugës që të çon te “Ura e Bunës” së vjetër, në drejtim të “Kishës së Zojës”, Shkodër.
“Janë administruar pamje filmike të marra nga lokali në lagjen “Iliria”, Shkodër, ku dallohet momenti që shtetasja Alma Arrazi del me kunatën e saj. Më pas, duket shtetasja Alma Arrazi së bashku me 3 fëmijët e saj, duke vazhduar rrugën në drejtim të “Urës së Bunës”, në anën perëndimore, ndërsa kunata e saj vazhdon nga ana lindore. Dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 02.05.2024”, njoftoi prokuroria.
Pas kësaj, policia ka bërë shpalljen në kërkim të Alma Arrazit, 39 vjeçe, E. Arrazit, 9 vjeçe; G. Arrazit 9 vjeçe dhe A. Arrazit, 3 vjeç. Mbrëmjen e së dielës (4 Maj) është gjetur trupi i pajetë i vajzës 9 vjeçare.
“Është bërë këqyrja e kufomës së shtetases E. Arrazi në prani të mjekut ligjor, ku nga kqyrja e jashtme nuk janë kosntatuar shenja dhune. Është vendosur kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasen E. Arrazi me qëllim përcaktimin e dëmtimeve që konstatohen në trupin e viktimës dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes”, njoftoi prokuroria.
Policia Gjyqësore ka ushtruar kontroll në banesën e Erdgys Arrazit ku nuk ka gjetur sende të paligjshme. Prokuroria thotë se deri në këtë fazë të hetimit janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se ai ka shkaktuar vetëvrasjen e Alma Arrazit.
“Deri në këtë faze janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi Erdgys Arrazi si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e shtetases Alma Arrazi, e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur”, njoftoi prokuroria.
“Në këto kushte është kryer ndalimi i shtetasit Erdgys Arrazi, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal”, shtoi më tej organi i akuzës.
Ndërkohë vijojnë hetimet me qëllim këqyrjen e të gjitha pamjeve filmike të kamerave përreth vendit të ngjarjes me qëllim zbulimin e itinerarit të Alma Arrazit dhe fëmijëve të mitur. Po ashtu vijon pyetja e personave që kanë dijeni për ngjarjen. Ndërkohë kujtojmë se ditën e sotme u gjet edhe trupi i pajetë i vajzës tjetër të familjes Arrazi