Indeksi i shëndetit bankar u përmirësua vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi i shëndetit bankar i llogaritur me të dhënat e fundit të periudhës shënoi vlerën 0.36, duke shfaqur një përmirësim ndaj situatës së gjashtë muajve dhe një viti më parë.
Indeksi i shëndetit të bankave matet nga Banka e Shqipërisë në një interval nga zero në një, ku sa më e ulët të jetë vlera, aq më e mirë është gjendja financiar e sektorit.
Ecuria më e mirë e vitit 2023 kryesisht nga përmirësimi i notës së treguesit të përfitueshmërisë, që erdhi si rezultat i rritjes së ndjeshme të fitimit të sektorit bankar dhe i përmirësimit të treguesit të kthimit nga aktivet.
Vitin e kaluar, sektori bankar realizoi një fitim neto (sipas standardeve të raportimit të Bankës së Shqipërisë) në vlerën 32.5 miliardë lekë, në rritje me pothuajse 50% krahasuar me vitin 2022. Në fund të vitit 2023, kthimi nga aktivet u përmirësua ndjeshëm në nivelin 1.99%, nga 1.36% që kishte qenë një vit më parë. Ndërsa kthimi nga kapitali arriti në 17.26%, nga 12.3% që kishte qenë një vit më parë.
Raporti i kredive me probleme në fund të vitit të kaluar ra në 4.7%, nga 5% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Ky tregues ka prekur nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2008.
Me përmirësim gjatë periudhës u shfaqën nënindekset e likuiditetit dhe të eficiencës, nënindeksi i cilësisë së aktiveve u shfaq i qëndrueshëm, ndërsa nënindeksi i kapitalizimit erdhi në rënie duke reflektuar rënien e peshës së kapitalit të nivelit të parë në vlerën e kapitalit rregullator. Kjo ka ardhur për shkak të shpërndarjes së dividendëve nga disa banka dhe paralelisht nga një përdorim në rritje i instrumenteve të borxhit, që njihen si pjesë e kapitalit rregullator të nivelit të dytë.
Për grupin e bankave sistemike, indeksi sinjalizon përmirësim në krahasim me të dy gjashtëmujorët e kaluar. Këto banka shfaqin përmirësim në nënindekset e cilësisë së aktiveve, likuiditetit dhe veçanërisht atë të eficiencës që tregon për përmirësim të treguesve që lidhen me shpenzimet. Indeksi i shëndetit bankar tregon një ecuri më të mirë të bankave me kapital të huaj në krahasim me bankat me kapital shqiptar.
Për bankat me kapital vendas vërehet përmirësim në drejtim të përfitueshmërisë, cilësisë së aktiveve dhe eficiencës, ndërkohë që kapitali dhe likuiditeti paraqiten në nivele më pak të mira në krahasim me dy periudhat paraardhëse.
Në tërësi, Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë viteve 2014-2023, indeksi i agreguar i shëndetit bankar flet për përmirësim të shëndetit dhe rritje të qëndrueshmërisë së të gjithë sektorit bankar.
Përmirësimi lidhet në mënyrë të veçantë me përmirësimin e cilësisë së aktiveve dhe të kapitalit. Në të njëjtën kohë, ndjeshmëria e indeksit ndaj niveleve të përfitueshmërisë është bërë më e rëndësishme që nga tremujori i parë i vitit 2020, kur fitimet e sektorit bankar kanë ndjekur një cikël rritës.