E afërmja e Alma Arrazit, e cila dyshohet se u hodh në lumin Bunë së bashku me 3 fëmijët e saj, ka treguar se 39-vjeçarja s’ka shfaqur shenja shqetësimi, duke shtuar se sillej shumë mirë.
Nga shkolla “Ndre Mjeda” në Shkodër ku mësonin dy viktimat e mitura, Ergesa dhe Gresa, ajo rrëfeu se motrat ishin në një klasë me vajzën e saj.
Ndërsa tregoi se nuk ka pasur forcë t’i shpjegonte të bijës për ndarjen nga jeta të shoqeve.
“Kanë qenë në një klasë me vajzën time. S’kam pasur forcë t’ia shpjegoj, i kam thënë thjesht që nuk i ke më shoqet.
Vajza ka sjellë lule, ka shkruar edhe një letër. Shkonin shumë mirë. Almën e njoh, e kam pasur shoqe, jemi si kushërira. Por deri këtu e paskan pasur të shkruar.
Alma sillej shumë mirë, se kam parë asnjëherë të shqetësuar, të stresuar. Ka qenë shumë e qetë, edhe fëmijët ishin shumë të mirë”, tha ajo.
Trupi i pajetë i 9-vjeçares Egesta u gjet rastësisht në lumin Bunë nga një peshkatar mbrëmjen e 4 Majit, ndërsa Gresa u gjet pasditen e djeshme (6 Maj) pas kërkimeve nga palombarët e RENEA-së dhe forcave të ushtrisë.
Ndërkohë ende s’ka asnjë gjurmë të trupit të nënës, 39-vjeçares Alma Arrazi dhe djalit 3-vjeçar.