Nga Leonard Veizi
Për të ndërtuar një urë madhështore që do të lidhte Tiranën me Parisin, kanë punuar me mish e shpirt disa qindra personalitete shqiptare, por dhe franceze gjithashtu. Edhe ura është e ngritur tashmë…
… “Enciklopedia e personaliteteve shqiptare të Francës” nga lashtësia deri në ditët tona sapo ka dalë nga botimi. Kjo është enciklopedia e parë dhe e vetme e shkruar deri më sot për personalitetet shqiptare të Francës. Është botuar nga Shtëpia Botuese “Edlora” në Tiranë dhe është shkruar nga gazetari i njohur shqiptar, Mentor Faik Hoxha. Vëllimi ka 520 faqe në format B5 dhe është e ndarë në dy kapituj. Në kapitullin e parë me titull “Shqipëria në Francë dhe Franca në Shqipëri” ka pjesë të shkurtra nga 100 dossierët dhe artikujt studimorë që autori ka botuar nga Franca në gazetat ditore shqiptare “Koha Jonë” dhe “Fjala” dhe te javorja e njohur letrare-kulturore “Nacional” për marrëdhëniet diplomatike 100 -vjeçare Francë-Shqipëri, për diasporën shqiptare në Francë, për piktakimet historike dhe miqësinë qindravjeçare franko-shqiptare, për rolin e Francës dhe të 25 presidentëve të saj në ngjarjet më madhore të historisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, për rolin e gjuhës frënge dhe të Frankofonisë në hapësirën mbarëshqiptare, për sheshet, rrugët, shkollat dhe metrotë në Francë me emra shqiptarësh, për 50 personalitetet shqiptare të dekoruar nga presidentët e Francës me dekoratën “Legjioni i Nderit”, për shqiptarët që luftuan përkrah shenjtores dhe heroinës kombëtare të Francës, Jeanne d’Arc dhe përkrah mbretërve, perandorëve dhe presidentëve francezë, për 50 drejtuesit dhe ministrat e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe 100 personalitetet akademike, shkencore, letrare, artistike dhe sportive shqiptare që u arsimuan, jetuan apo jetojnë në Francë, për 33 ambasadorët e Francës në Shqipëri dhe për 25 ambasadorët e Shqipërisë në Francë, por edhe për ambasadorët e Francës në Kosovë dhe ambasadorët e Kosovës në Francë. Në kapitullin e dytë me titull “Personalitetet shqiptare të Francës” përfshihen 489 zëra nga të gjitha fushat e jetës shqiptare dhe franceze që janë arsimuar në Francë, që janë dekoruar nga presidentët francezë dhe ata që kanë jetuar dhe jetojnë në tokën franke. Janë 15 kryeministra, 6 presidentë, 5 kryetarë kuvendi, 9 zëvendëskryeministra, 100 ministra, dy mbretër, dy mbretëresha, 5 princër, 7 princesha, 30 ambasadorë të Shqipërisë dhe të Kosovës në Francë, 7 nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, 4 nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, 50 shqiptarë të dekoruar nga Presidentët e Francës me “Legjionin e Nderit”, 4 heronj të popullit shqiptar, 40 akademikë dhe mbi 100 shkencëtarë, shkrimtarë, studiues, përkthyes, profesorë, gazetarë, artistë, sportistë, sipërmarrës dhe biznesmenë shqiptarë. Objekt i këtij projekti enciklopedik janë edhe shumë personalitete të shquara franceze me origjinë shqiptare, si Girolamo Luigi Francesco Durazzo (1739-1809), zemra e të cilit ndodhet në Panteonin Francez, Jean Moréas (1856-1910, poet dhe themelues i simbolizmit francez), Angelin Preljocaj (1957, koreograf i famshëm, anëtar i Akademisë Franceze të Arteve të Bukura në Paris), etj. Përfshihen edhe 100 personalitete shqiptare me pasaportë franceze që banojnë në Francë dhe punojnë në institucione të rëndësishme publike dhe private franceze. Hyrja dhe përmbajtja e këtij libri është edhe në frëngjisht për t’i dhënë publikut francez një informacion të shkurtër mbi këtë enciklopedi.
Jetëshkrimi/Gazetari me 12 libra dhe dhjetra botime tek gazeta “Fjala”
Autori i kësaj Enciklopedie është gazetar, kritik letrar, studiues dhe poet. Është anëtar i International Federation of Journalistes (IFJ, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve), anëtar i Union des Ecrivains Rhône-Alpes, Francë (anëtar i Unionit të Shkrimtarëve të Lyonit), anëtar i Salon des Poètes de Lyon (anëtar i Sallonit të Poetëve në Lyon) dhe Club de la Press de Lyon (i Klubit të Shtypit në Lyon), anëtar i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Ka botuar 12 libra me poezi, studime letrare dhe historike, reportazhe dhe intervista me personalitete shqiptare: presidentë, kryeministra, kryeparlamentarë, ministra, deputetë, akademikë, artistë, gazetarë, sportistë etj. Në mediat shqiptare janë publikuar mbi 80 artikuj për librat e tij. Ka marrë disa çmime letrare dhe është përfshirë në disa enciklopedi dhe antologji poetike si: “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë” (2005), “Enciklopedia e Dibrës” (2006), “Një shekull poezi dibrane” (2009), “Historia e arsimit në Dibër” (2011), “Antologjia e poezisë dibrane” (2003), “Pena e Dibrës” (2014), “Na bashkoi poezia”, etj. Është redaktor, kritik letrar dhe korrektor i 75 librave. Ka botuar shumë artikuj dhe intervista me personalitete shqiptare. Më 15 qershor 2016 u vendos në Francë ku banon edhe sot. Ai ka dhënë disa intervista nga Franca për mediat shqiptare, ka publikuar 100 artikuj, dossierë, studime letrare dhe historike për Francën dhe për marrëdhëniet franko-shqiptare si dhe shumë reportazhe, cikle poetike dhe portrete e intervista me personalitete franceze e shqiptare në Francë. Ka botuar në gazetat ditore “Fjala” dhe “Koha Jonë” të gjitha ngjarjet kryesore historike, politike, shkencore, kulturore, artistike, letrare dhe sportive që kanë ndodhur në Francë nga viti 2016 e deri më sot. Ka lindur në fshatin Blliçe, Dibër. Nga viti 1997 e deri më 15 qershor 2016 banoi në vilën e tij në Tiranë. Në 1991-1995, kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës ku mori titullin “Mësues i gjuhës dhe letërsisë Shqipe për shkollat e mesme”. Në 2013-2015 kreu Masterin Shkencor në Studime Letrare me rezultate të shkëlqyera (me notë mesatare 9.2). Diplomën e mbrojti me tezën me temë “Figura e femrës në letërsinë shqipe” (Stërmilli-Kokalari-Migjeni-Stërmilli) me udhëheqës shkencor, akademikun e shquar shqiptar, Prof. Dr. Shaban Sinani, Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Ka punuar për 4 vite si mësues i shkollës së mesme në lëndët “Gjuhë dhe Letërsi”, mësues dhe nëndrejtor në shkollën “Sarina 2002” në Tiranë dhe shef i kulturës në gazetat ditore “SOT” dhe “Telegraf”. Për 11 vjet ka qenë kryeredaktor i revistës “Vajza e Ditës” (2005-2016) dhe për një vit aksioner dhe anëtar i bordit botues të gazetës “Rruga e Arbërit” (2013-2014).
Intervista/Mentor Hoxha: Kjo enciklopedi më ka kushtuar tre vite punë
Enciklopedia “Personalitetet shqiptare të Francës” mund të cilësohet si një vlerë e madhe në historinë e botimeve enciklopedike shqiptare. Libri voluminoz dhe mjaft cilësor, i shërben jo vetëm kulturës e historisë shqiptare, por është dhe një urë lidhëse mes Francës dhe Shqipërisë. Për gazetën “Fjala” autori i librit thotë:
Kur dhe ku të lindi ideja për këtë projekt të çmuar kombëtar dhe studimor?
Më lindi në mbrëmjen e 15 qershorit të 2016-ës kur me avionin e linjës Tiranë-Paris mbërrita në kryeqendrën historike dhe kulturore të botës për të mos u larguar më kurrë nga Franca. Gjatë qëndrimit tim të ligjshëm 8-vjeçar në Francë unë kam përjetuar në tokën e lashtë dhe të lavdishme franke shumë ngjarje të mëdha politike, historike, kulturore, letrare, shkencore dhe sportive, kam takuar shumë shqiptarë të suksesshëm, kam parë gjurmë të lashta shqiptare si dhe qytetet franceze ku u arsimuan dhe jetuan 11 nga drejtuesit më të njohur të shtetit shqiptar, si: Ismail Qemali, Esat Pasha Toptani, Turhan Pasha Përmeti, Ahmet Zogu, Iljas Bej Vrioni, Mustafa Merlika-Kruja, Rexhep Mitrovica, Qazim Koculi, Enver Hoxha, Sali Berisha, Edi Rama, dy presidentët e parë të Republikës së Kosovës: Dr. Ibrahim Rugova dhe Prof. Dr. Fatmir Sejdiu, por edhe qindra ministra dhe personalitete politike, diplomatike, akademike, shkencore, letrare, kulturore, artistike dhe sportive të kombit shqiptar. Kam parë dhe kam fotografuar rrugët, sheshet, metrotë dhe shkollat me emra shqiptarësh. Të gjitha këto i kam publikuar në gazetat ditore shqiptare “Koha Jonë” dhe “Fjala” dhe te “Nacional”. Në këto media kam publikuar edhe artikuj për ngjarjet kryesore politike, historike, shkencore, kulturore, artistike, letrare dhe sportive që kanë ndodhur në Francë nga viti 2016 e deri më sot. Kam botuar edhe shumë portrete e intervista me shqiptarë të suksesshëm në Francë, por dhe portrete për personalitete franceze që kanë kontribuar për Shqipërinë dhe Kosovën.
-Cili është qëllimi i kësaj enciklopedie?
Ta njoh publikun shqiptar dhe francez me personalitetet shqiptare të Francës dhe t’u tregojë atyre që Franca ka patur një rol kryesor në disa nga ngjarjet më madhore të historisë shqiptare dhe në formimin e elitës politike, diplomatike, akademike, shkencore, letrare, artistike, kulturore dhe sportive të Shqipërisë dhe Kosovës.
-Duke qenë enciklopedia e parë dhe e vetme mbi personalitetet shqiptare të Francës, ky studim sjell një risi në këtë fushë, por ndërkohë i nënshtrohet shqyrtimit dhe gjykimit publik. Jeni i vetëdijshëm për këtë?
Sigurisht. Ndonëse kjo enciklopedi më ka kushtuar tre vite punë, nuk mendoj që është e përsosur. Botimet enciklopedike siç është edhe ky libër kanë një pritshmëri dhe impakt të madh tek publiku dhe si të tillë bëhen objekt debati. Autorët e botimeve enciklopedike kanë një detyrë të vështirë në evidentimin dhe përzgjedhjen e lëndës dhe mbajnë përgjegjësi para lexuesit, pasi libra të tillë perceptohen nga publiku si projekte që shkruajnë histori dhe shpërndajnë merita për persona të veçantë. Parë nga ky këndvështrim, këto enciklopedi ngjallin pakënaqësi nga mungesa e disa zërave, nga informacioni i pakët tek disa të tjerë, apo nga pasaktësitë e të dhënave te ndonjë autor. I vetëdijshëm se jo gjithçka është perfekte në këtë studim, mirëpres çdo kritikë dhe këshillë nga lexuesi. Mendoj që shumica e zërave është përfaqësuar denjësisht, një pjesë është trajtuar përciptazi për mungesë të dhënash dhe disa zëra janë përfshirë pa foto nga pamundësia për t’i gjetur. Personalisht ndihem i lumtur që projektova dhe ngrita i vetëm këtë kala të parë për personalitetet shqiptare të Francës. Shpresoj që studiues të tjerë do ta lartësojnë më shumë këtë kështjellë të ngritur nga unë.
-A keni gjetur mbështetje për finalizimin e këtin projekti të madh studimor?
Janë shumë dhe nuk mund t’i përmend të gjithë. Së pari, falënderoj autorët që i’u përgjigjën ftesës sime. Falënderoj akademikun dhe gjuhëtarin e shquar, Prof. Dr. Bahri Beci, Doktor i Universitetit të Sorbonës në Paris, i cili më ndihmoi me këshilla dhe sugjerime të vyera, por fatkeqësisht, ai u shua nga jeta më 21 gusht 2023. Falënderoj redaktorin, Leonard Veizi, Shtëpinë botuese “Edlora”, zonjushën franceze, studenten e shkëlqyer, Aurélie Macabrey për faqosjen e këtij libri dhe piktorin, Klement Sina për realizimin e kopertinës. Një mirënjohje të veçantë kam për profesorin tim të nderuar, akademikun e shquar, Prof. Dr. Shaban Sinani, Sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i cili ishte udhëheqësi im shkencor në projektin tim të parë studimor në tezën me titull “Figura e femrës në letërsinë shqipe” (Stërmilli-Kokalari-Migjeni-Koliqi), të cilën e mbrojta më 21 maj 2015 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe mora diplomën e Masterit Shkencor në Studime Letrare. Një falënderim special kam për bashkëshorten time, Emën (1979) dhe për djalin tim të vetëm Marion 14 vjeçar (2009), të cilët më kanë përkrahur shumë në këtë projekt. Falënderoj gjithashtu, mikun tim Saimir Deda dhe kushëririn tim, Liman Vexhi Hoxha për mbështetjen dhe inkurajimin e madh që më kanë dhënë.