Në Shqipëri, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ofroi të premten një panoramë thuajse të zymtë të sistemit gjyqësor, gjatë një takimi të organizuar me gjyqtarë të të gjitha niveleve, në “Ditën e Drejtësisë”.
Ai foli me tone kritike veçanërisht ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor, por dhe pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv që duhet “të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese e ligjore, në funksion të parimeve dhe vlerave, mbi të cilat vepron një shtet i së drejtës”. Zoti Sadushi renditi mangësi të theksuar në burime njerëzore, materiale e financiare, ndërsa ngriti alarmin për numrin “e frikshëm të dosjeve të prapambetura, prej 60.000 çështjesh”. Sipas tij, nuk po kuptohet se një situatë e tillë “po çon drejt kolapsit dy gjykatat e apelit, që pas disa viteve do transferohet përsëri në Gjykatën e Lartë”.
Ai kujtoi se “një vit pas fillimit të funksionimit të hartës gjyqësore, perceptimi i opinionit publik për administrimin e drejtësisë nuk rezulton të jetë i kënaqshëm”, ndërsa vuri në dukje krijimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për të gjithë vendin, e cila ende po funksion me vetëm 26 nga 78 gjyqtarë që duhet të ketë.
Në takimin me gjyqtarët, zoti Sadushi e përshkroi gjenden si “problematike, në mos edhe kritike, për shkak të nivelit të performancës së administrimit të drejtësisë, mangësive në kryerjen e analizës dhe diagnostikimit të problemeve, mungesës së vizionit në planifikimin strategjik për të kuptuar se çfarë duhet bërë, dhe në veçanti për të ndërgjegjësuar dy pushtetet e tjera se në çfarë gjendje ndodhemi dhe se ku duhet të shkojmë”. Ai deklaroi se “përgjegjësia rëndon mbi të gjithë Ne, gjyqtarët, ashtu, si edhe mbi Këshillin e Lartë Gjyqësor, që nëpërmjet reagimit institucional dhe legjitimitetit të vendimmarrjes duhet t´i dëshmojmë ekzekutivit dhe legjislativit se sistemi i drejtësisë nuk zgjat dorën për lëmoshë”.
Kreu i Gjykatës së Lartë foli për kushte aspak normale në të cilat zhvillojnë aktivitetin gjyqtarët kur përmendi “godina të amortizuara dhe me kufizime të ndjeshme të hapësirës së duhur për punë; zyra të pamjaftueshme dhe më e rënda, në disa gjykata, pa salla gjykimi, ku seancat gjyqësore zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve dhe pa regjistrimin e procesit në audio; një sistem elektronik, pothuajse anakronik; dhe problematika të ndjeshme në mënyrën e administrimit dhe të arkivimit të dosjeve, të çështjeve të sigurisë, apo të krijimit të hapësirave të përshtatshme për publikun”.
Ai deklaroi se vetë gjyqtarët në veçanti nga KLGJ, nuk duhet të pranojnë faktin “që dy gjykatat e apelit të kryeqytetit të mos kenë mjaftueshëm zyra dhe salla gjykimi për gjyqtarët”, duke lënë të kuptohej hapur se nuk duket as të ketë ndonjë zgjidhje afatshkurtër apo afatgjatë për to.
“Mungesat e ndjeshme” në burime njerëzore, kryesisht në këshilltarë/ndihmës ligjorë, sekretarë gjyqësorë dhe stafin ndihmës administrative, ishin një tjetër problem shqetësues i ngritur nga zoti Sadushi, sipas të cilit “menaxhimi i burimeve njerëzore nuk duhet parë si një rol administrativ, por si rol strategjik e thelbësor për suksesin e gjyqësorit”. Edhe në këtë pikë ai drejtoi gishtin ndaj KLGJ-së e cila siç u shpreh ai nuk ka “një strategji të qartë se si mund të realizohet përmbushja e këtij detyrimi, kur pengesat për të shtuar numrin e ndihmësve ligjorë, sekretareve gjyqësore apo të stafit administrativ rezultojnë të jenë sa ligjore, aq edhe financiare e strukturore, sidomos kur planifikohet buxheti dhe nuk parashikohet dhe as insistohet te ekzekutivi dhe legjislativi për nevojën e rritjes së numrit të punonjësve në gjykata”.
Po ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor ishin dhe kritikat lidhur me buxhetin financiar që parlamenti akordon për gjykatat. “KLGJ, nuk duket se e ka kuptuar drejt pavarësinë buxhetore të gjyqësorit. Në disa raste janë vënë re prirje për të konfonduar mbikëqyrjen administrative me mbikëqyrjen gjyqësore”, tha ai.
Kryetari i Gjykatës së Lartë renditi më pas, të paktën 11 “fakte” siç i quajti, por që në të vërtetë duket të jenë probleme që nuk kanë gjetur zgjidhje në 6 vite të ekzistencës së KLGJ-së. Ai bëri të ditur se me përjashtim të Gjykatës së Lartë, të gjitha të tjerat “nuk drejtohen nga kryetarë të zgjedhur, por nga zëvendëskryetarë”. Po ashtu “kancelarët e gjykatave, që janë personat përgjegjës dhe me peshë kryesore në miradministrimin e gjykatave, vazhdojnë të jenë ende të pakonfirmuar në detyrë”. Ai ngriti problemin e trajtimit financiar të gjyqtarëve, një pjesë e të cilëve siç deklaroi kanë paditur KLGJ-në “duke kërkuar detyrimin e Këshillit dhe të gjykatave për të respektuar standardin kushtetues të mos prekjes së pagës dhe shpërblimin sipas ligjit”.
Zoti Sadushi përmendi “vonesa të pajustifikuara në procesin e vlerësimit etiko-profesional”, “mosrespektimin e afatit ligjor për përfundimin brenda muajit qershor të çdo viti të procedurave të transferimit paralel dhe ngritjes në detyrë”, si dhe kritikoi “përfshirjen në procedurë të miratimit të normës mesatare të ngarkesës së gjyqtarëve, pa përgatitur më parë një studim të detajuar dhe gjithpërfshirës”. Sipas kreut të Gjykatës së Lartë “nuk ka një planifikim strategjik mbi numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve këshilltarëve/ndihmësve ligjorë e stafit administrativ për 5 vitet e ardhshme, ndërkohë që sistemi ynë nuk plotëson as gjysmën e numrit mesatar të gjyqtarëve për 100.000 banorë”.
Si për të shpjeguar motivet e ngritjes së gjithë këtyre problematikave, në mbyllje të fjalës së tij, zoti Sadushi tha se forumi i gjyqtarëve “është vendi më i përshtatshëm për t’u shprehur dhe për të nxitur KLGJ-në për të adresuar me forcë tek qeveria dhe parlamenti nevojat imediate të sistemit gjyqësor”./VOA