Për dy ditë rresht, përkatësisht në datat 10-11 maj (premte dhe të shtunë) Kamza, qyteti më vital në Shqipëri, bashkia e gjashtë më e madhe në vend, kishte festën e librit, një aktivitet i kthyer tashmë në traditë. Ishte ky edicioni i tretë i panairit ”Kamza Lexon” organizuar nga drejtoria e Qendrës së Kulturës në Bashkinë Kamëz në stendën e ngritur në sheshin “Nënë Tereza” me mbështetjen e veçantë dhe të drejtpërdrejtë nga kryebashkiaku Rakip Suli, i cili pa u kursyer mundësoi që edhe kësaj here për dy ditë rresht të mundësonte që ta kthente Kamzën në kryeqytetin e kulturës. Kjo është krejt e vërtet pasi asnjë bashki tjetër në këtë vend, asnjë kryebashkiak nuk i kushton këtë vëmendje një projekti të tillë që ka të bëjë më librin ndaj për këtë meriton përgëzim dhe vlerësim qytetar dhe intelektual. Çdo element i këtyre dy ditëve të panairit kishte qëllimin e vetëm që qytetarëve të Kamzës t’u jepej mundësia e një kontakti të drejtpërdrejtë me personalitete të letërsisë drejtues të Fakultetit Histori-Filologji, autorë tekstesh, shkrimtarë, gazetarë dhe botues. Veç 20 takime promovuese, pjesëmarrjes së mbi 30 shkrimtarëve, pedagogëve, studiuesve dhe gazetarëve, 20 shtëpive botuese prezente me botimet e tyre dhe 5 çmimeve që pritet të jepen të mërkurën, ajo që më shumë kishte rëndësi ishte që qyteti gumëzhinte edhe më shumë nga qytetarët që vinin në orare të ndryshme, kryesisht fëmijë të shoqëruar nga prindër dhe të rinjtë të cilët i shihje stendave për të blerë libra. Ky interes është lajmi më i mirë, ishte pikërisht ajo që donin organizatorët. Në sheshin “Nënë Tereza”, por edhe bibliotekën e pallatit të kulturës “Artan Cuku” Kamëz kishte takime të ngjeshura me big-ët e letërsisë. Konsolidimi i panairit si rrallë ndër bashkitë e vendit dhe organizimi i shkëlqyer me seriozitetin më të madh, ka bërë që njerëzit e letrave të vijnë në Kamëz dhe japin edhe ata kontributin për lexuesit. Pa u ndalur tek të gjithë autorët e shumtë, prezenca në panairin “Kamza lexon” edicioni i III-të e prof. Dr. Dhurata Shehri ( zv.Dekane Fakulteti Gjuhë – Letërsi), prof.Prof.Dr. Persida Asllani (shef i Departamentit të Letërsisë, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, UT), prof.as.Dr Erenestina Gjergji Halili (Fakulteti Gjuhë – Letërsi), prof. Ardian Ndreca (shkrimtar, studiues, , Universiteti Urbaniana Romë ardhur enkas për panairin), e Virgjil Muçit (shkrimtar), të nderuarës Flutura Açka (shkrimtare, ligjvënëse në Kuvendin e Shqipërisë), Dr. Fabio Rochi Effe Emme Erre (Qendra e studimeve dhe publikimeve për arbëreshët) Itali, znj.Entela Kasi (Presidente e Pen Albania), e Gianni Palagonia me një karriere mbresëlënëse në policinë italiane dhe shkrimtar, Dashnor Kokonozi, Vera Bekteshi, Namik Dokle, Arta Marku Qëndro, etj, certifikon panairin si një aktivitet të përmasës kombëtare dhe jo lokale. Secili prej autorëve që folën në takimet e tyre prezantuese me lexuesit veç prezantimit të botimeve të tyre, sensibilizuan veçanërisht nxënësit e shkollave që ta duan librin, ta kenë mikun e tyre si rrugën më të mirë për t’i ndihmuar për të qenë të ditur dhe pse jo edhe më të edukuar me një botë shpirtërore edhe më të pasur. Kur gjithçka ishte gati, gongu për hapjen e panairit do të binte në orën 11:00 të ditës së premte 11 maj ku e pranishme ishte dhe nënkryetarja e Bashkisë Kamëz Rajmona Nikolli si dhe personalite të shumta të letrave, për të vijuar më tej me tryezën hapëse të panairit në orën 11:30 në bibliotekën e pallatit të kulturës “ Artan Cuku” Kamëz në prezencën e shtuar të nxënësve të shkollave “Ibrahim Rugova” dhe “Elez Isuf Ndreu”.
Dashamirësi i librit në Kamëz nuk mungon për fatin dhe faktin sepse është një zonë me një popullsi relativisht të re dhe kjo konfirmohet edhe nga numri i madh i shkollave në terren, ndaj ky aktivitet pati interesin në rritje të lexuesve për të ardhur në stendat e mbi 20 shtëpive botuese për të zgjedhur librin e preferuar apo sugjeruar nga miq apo mësuesit. Ky interes ishte i shtuar deri në orët e vona të pasdites të së dielës edhe pse aktivitetet zyrtare përfunduan. Për tu ndalur tek organizimi, drejtoria e Artit dhe Kulturës ishte në vigjilencë maksimale që gjërat të shkonin më së miri deri në detaj. Detyrat e ndara nga drejtoresha Rigelsa Gupe ishin të qarta për specialistët, organizatori, shkrimtari dhe përgjegjësi i bibliotekës së Pallatit të Kulturës Liridon Mulaj i kishte sytë katër që gjërat të shkonin si ai i donte. Ndonjëherë sa ulej, i duhej dhe të ngrihej për t’u kujdesur për detajet. Krahët i kishte të ngrohta, në mbështetje teknike ishin të palodhurit Dashi, Sania, Nekiu, Afrimi, Lirimi, Sokoli, Ermira, Tea, Krisilda, Dardani, Nora, Kristi, Shpëtimja, Antoneta, Gilma, Sidorela, deri tek Liljana në gatishmëri për të përmbushur çdo detyrë që iu ngarkohej për mbarëvajtjen sa më mirë të aktivitetit. Grupi ishte “një” që çdo gjë të shkonte më së miri deri në minutën e fundit kur panairi i librit “Kamza lexon” të “ulte qepenin”. Sy e vesh ishin katër për çdo kërkesë në mbarëvajtje të aktivitetit.
Kjo qasje e kolegëve, të gatshëm për t’u gjendur për çdo kërkesë, ulte shpesh tensionin tek Liridoni që ishte në kërkim të perfeksionit që në fakt ndodhi në festën e librit në Kamëz.
Do të ishte ora 16:32 e datës 11 maj, pas takimit të fundit në bibliotekë që Liridoni të çlirohej nga ai ankth që e pushtonte në fraksione të ndryshme kohe dhe përmes një sms do të falënderonte kolegët.
Disa orë në vonë edhe pse i lodhur Liridoni do të gjente kohë për një falenderim dhe mirënjohje teksa shoqëruar me një foto në FB, shkruan: -“Kjo foto e shkrepur nga Bona , me sytë mbi telefon, simbolizon më së miri atë çka unë kam qene në dy ditë. Herë aty e here jo. A erdhi shkrimtari? A u firmos kontrata? A erdhën stendat? Po fonia a është ne rregull? Salla lart a është e sistemuar? A hëngrën drekë miqtë? A u sistemuan mirë në hotel? Pra Liridoni në dy ditë nuk është shkrimtar, as autor por zëri, syri i secilit aty qe mundohet të organizojë një panair model në një qytet vital dhe të jashtëzakonshëm si Kamza. Falënderimet e gjata do i bëj nesër, qe nga kryetari Rakip Suli i cili kurrë s’më tha jo as për ide te çmendura si panairi po as për tekat e mija që sigurisht janë pasojë e mirëkuptimit dhe lirshmërisë që ai me jep çdo ditë në punë. Stafin e pallatit të kulturës pra kolegët e mi të cilët e dinë që në dy ditë panair jam njeriu më i poshtër që ekziston mbi dhé. Por gjithçka e udhëheq pasioni dhe dëshira me zgjeru sa me shume rrethin e njerëzve që lexojnë , mendojnë e punojnë për ta bërë këtë vend më të mirë dhe më të përgjegjshëm. Faleminderit te gjithëve nga zemra”. Për tu konstatuar është dhe fakti që në vrapin e tyre të kapjes së detajeve ishin dhe Maliqi dhe Prendushi nga zyra e medias të cilët kujdeseshin për të kapur më pikantet e kësaj feste edhe sipas porosisë së organizatorëve. Ky ishte edicioni i tretë i panairit në Kamëz, siç i thonë e treta e vërteta që gjithçka shkoi mirë. Tashmë është e kuptueshme qartë që ky nuk është thjesht një aktivitet lokal, por i një përmase të jashtëzakonshme për çfarë jep dhe që tashmë mund të quhet dhe kombëtar e pse jo, të meritojë mbështetjen jo vetëm të bashkisë por dhe institucioneve të tjera. Festa, ose dasma e librit në Kamëz tashmë i ka mbyllur dyert për këtë vit dhe pret vetëm kurorën të mërkurën me ndarjen e çmimeve ku juria ka nisur punën me kohë për akordimin e 5 çmimeve fituese.
“Festa e leximit”, detajet e panairit që ktheu Kamzën “kryeqytet”/Nga organizimi, personalitetet dhe interesi i lexuesve
RELATED ARTICLES