Kryeministri Edi Rama ndau lajmin me emigrantët shqiptarë në Greqi se me qeverinë greke kanë çelur negociatat në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve.
Në fjalën e tij, Rama kërkoi nga Greqia që çështjet t’i zgjidhin si evropianë dhe jo si ballkanas sylesh.
“Kam besim se më e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë është e gjitha përpara dhe këtë besim e kam të armatosur me gatishmërinë që ne t’i zgjidhim të gjitha çështjet mes nesh si evropian largpamës të shekullit të ri dhe jo t’i zvarrisim si ballkanas sylesh të shekullit vjetër për t’i kthyer në mollë sherri sa herë hapen tezkat e fushatave elektorale. Më në fund me qeverinë aktuale, kemi arritur të çelim negociatat në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë. Është një marrëveshje që deri dje nuk shikonim asnjë dritë deri në fund të tunelit. Kemi një referencë shumë pozitive pas arritjes së marrëveshjes me Italinë. Kemi hapur edhe dialogun dypalësh në nivel teknik për lejen e qëndrimit dhe procedurën e marrjes së shtetësisë me natyralizim. Një tjetër synim i përbashkët është bashkërendimi i nevojave për aksesin në tregun e integruar evropian të energjisë”, tha ai.