BallinaEkonomiPublikohet drafti për ngritjen e Dhomës Ekonomike Kombëtare; Anëtarësimi do të jetë...

Publikohet drafti për ngritjen e Dhomës Ekonomike Kombëtare; Anëtarësimi do të jetë i detyrueshëm, tarifat vjetore nisin nga 1,000 për biznesin e vogël

Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit publikoi për konsultim projektligjin e ri “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare’’.

Në draft përcaktohen rregullat e organizimit dhe funksionimit të Veprimtarisë së Dhomës Ekonomike Kombëtare (DHEK), që vjen si nevojë e reformimit të modelit aktual të dhomave të tregtisë dhe industrisë.

Sipas relacionit të projektligjit të gjitha subjektet tregtare të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit do të jenë anëtare të DHEK, me përjashtim të subjekteve që janë anëtarë në dhoma apo urdhra profesionalë të krijuar me ligj të veçantë.

Për subjektet tregtare, biznes i vogël, përcaktohet se do të paguajnë një tarifë vjetore regjistrimi në vlerën 1000 lekëve. Ndërsa, për subjektet e tjera tregtare sipas kategorive përkatëse, tarifa vjetore e regjistrimit vendoset nga Asambleja e Përgjithshme e DHEK, bazuar në kriteret e përcaktuara në statutin e DHEK. Anëtarët e Dhomës Ekonomike Kombëtare do të paguajnë tarifën vjetore të regjistrimit brenda datës 30 prill të çdo viti.

Projektligji përcakton se nga momenti i hyrjes në fuqi i ligjit, për vitin e parë subjektet tregtare nuk do të paguajnë tarifë. Kjo periudhë do të mbështetet financiarisht sipas parashikimeve të dispozitave tranzitore nga buxheti i shtetit.

“Tarifa vjetore e regjistrimit sipas kategorive përkatëse dhe kritereve statutore do të përcaktohet nga Asambleja e Përgjithshme e DHEK, si organi kolegjial më i madh i dalë nga zgjedhjet periodike dhe ku gjejnë përfaqësim të gjitha dhomat rajonale. Në varësi të situatës ekonomike, nevojave të DHEK apo me kërkesë të subjekteve tregtare, DHEK mund të rishikojë vendimmarrjen e saj.

Për të mos penguar regjistrimin e bizneseve të reja, projektligji ka parashikuar një tarifë vjetore regjistrimi fikse në DHEK për të gjitha subjektet tregtare që regjistrohen për herë të parë në QKB, në vlerën 1000 (njëmijë) lekë. Të gjitha subjektet tregtare që janë objekt rregullimi i këtij projektligji dhe që regjistrohen për herë të parë, detyrohen të depozitojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, edhe dokumentin që vërteton pagesën e tarifës vjetore të regjistrimit në DHEK.

Tarifa vjetore e regjistrimit për anëtarët e dhomave bilaterale dhe multilaterale është 1000 (njëmijë) lekë. Për këta anëtarë, tarifa është fikse e përcaktuar nga ligji, për të mos rënduar financiarisht subjektet tregtare që paralelisht paguajnë tarifa në dhomat bilaterale dhe multilaterale, dhe mbi të gjitha sepse anëtarët e këtyre dhomave e kanë të lidhur anëtarësinë e tyre në këto dhoma me përfaqësimin e interesave të shteteve të tjera. Anëtarët e dhomave dhe shoqatave bilaterale, vërtetojnë dhe njoftojnë anëtarësinë apo regjistrimin e tyre në këto dhoma, pranë DHEK brenda datës 30 prill të çdo viti”, përcaktohet në relacion.

Drafti i ri është kundërshtuar nga 19 shoqata biznesi dhe dhoma tregtie që në mesin e muajit prill në letrën drejtuar Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj, ku kundërshtojnë projektligjin që parashikon anëtarësimin me detyrim të gjithë bizneseve në një Dhomë Ekonomike Kombëtare.

Në letër bizneset shprehen se, ndërkohë që organizimi i bizneseve në Dhoma Tregtie është një formë e mirë e zhvillimit dhe e përcjelljes së mendimit të çdo lloj kategorie biznesi, ato janë të shqetësuara për anëtarësimin e detyrueshëm të biznesit, pasi rrit kostot për ta dhe bizneset.

Sakaq projektligji parashikon se organizimi dhe funksionimi i plotë i Dhomës Ekonomike Kombëtare kalon në një periudhë kalimtare, e cila zgjat deri në 31 dhjetor 2025 dhe do të mbështetet financiarisht nga buxheti i shtetit. Gjatë kësaj periudhe kalimtare, një Komision i Përkohshëm Teknik do të ngrihet për të siguruar organizimin e zgjedhjeve të para dhe mbështetjen për ngritjen e strukturës administrative.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular