Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për sigurimet shoqërore u miratua me 92 vota në Parlament. Gjatë diskutimit në Kuvend, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe njoftoi se takimi i parë zbatues i marrëveshjes me Italinë për njohjen e pensioneve do të zhvillohet në datat 18-20 qershor.
Gonxhe shpjegoi edhe përfitimet që do të kenë qytetarët shqiptarë nga kjo marrëveshje.
“Në rast se një person është në Itali dhe ka përfituar një pension të caktuar për shkak të viteve atje, por ka edhe disa vite në Shqipëri për të cilat nuk është i kualifikuar për të marrë pension, nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi i takon e drejta të marrë edhe pensionin për vitet në Shqipëri. Nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi, këto vite kthehen në një të drejtë pensioni për të, por natyrisht në masën që i takon nga kontributet në Shqipëri. Qytetarët nuk mund të kërkojnë lekë për vitet para se të hynte marrëveshja në fuqi, por nga dita që marrëveshja hyn në fuqi pensioni i tyre rritet bazuar në këtë riformulim”.
Rreth 4 mijë shtetas italianë dhe rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj që do të përfitojnë nga marrëveshja.