E mërkura ka qenë një ditë e veçantë për Kamzën. Pas dy ditëve të festës së librit më 10-11 maj në panairin e mbajtur në sheshin “Nënë Tereza”, më 15 maj në një mbrëmje gala u mbajt ceremonia e shpalljes së fituesve të këtij “festivali” letrar, pjesë e së cilës ishin shkrimtarë, studiues, poetë, gazetarë, mësues dhe intelektual të zonës. Ky aktivitet i një përmase të jashtëzakonshme për nga rëndësia duke i dhënë Kamzës jetë kulturore dhe letrare u mbajt tek Coli’s Event, rruga “Donald Trump”. Organizatorët ishin kujdesur që çdo gjë të shkonte si duhet. Drejtoria e Artit dhe Kulturës në Bashkinë Kamëz ishte kujdesur deri në detajet më të vogla që takimi të shkonte më së miri. Nga fonia, ndriçimi deri tek pjesëmarrja e veçantë e të pranishme në këtë moment festiv siç ishte ceremonia e ndarjes së çmimeve të fituesve do t’i jepnin gjallërinë dhe rëndësinë që meritonte kjo natë.
Pritësi, i zoti i shtëpisë, Kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli ishte kujdesur të jepte çdo mbështetje të mundshme dhe tregonte kujdesin maksimal që festa ose dasma e librit e kthyer tashmë në traditë, të shkonte më së miri. Qartësia e kryebashkiakut të Kamzës kur bëhet fjalë për t’i dhënë jetë kulturore, letrare dhe artistike qytetit ka qenë e dukshme dhe e reflektueshme në mbështetjen që ai iu ka dhënë të tilla ngjarjeve, që rrallë ose nuk ndodhin fare në shumë bashki të tjera. Që gjithçka kishte shkuar mirë dukej tek qetësia e z.Suli para nisjes së ceremonisë dhe ndërkohë ai ishte i përkushtuar për përkujdesje maksimale ndaj miqve të ftuar që ata të ndiheshin sa më mirë në këtë natë festive në qytetin që qeverisë tashmë në mandatin e dytë fal besimit qytetar. Pas përfundimit te ceremonisë, z.Suli teksa do të publikonte një video nga momentet më të bukura nga nata letrare shkruan: -“KAMZA LEXON”, panairi që shenjoi qytetin tonë në hartën e panaireve kombëtare, si destinacion i librit dhe letërsisë në ceremoninë e akordimit të çmimeve fituese e nderuar nga juria, tre personalitete të shquara të kulturës e letrave shqipe. Faleminderit që i dhatë ngjyra këtij edicioni”.
Për tu kthyer tek ceremonia e së mërkurës, do të ishte pikërisht ora 19:00 kur do të startonte festa në drejtimin e Liridon Mulajt dhe moderimin e Sokol Gugës. Pjesëmarrësit mezi prisnin të njiheshin me fituesit e edicionit të panairit “Kamza Lexon”. Juria e përbërë nga Prof.As.Dr. Ernestina Gjergji Halili, poete studiuese, Arben Çejku studiues, publicistë dhe diplomat si dhe shkrimtari Liridon Mulaj e kishin kryer punën e tyre në një muaj e gjysëm për seleksionimin dhe vlerësimin e çmimeve fituese të cilat do t’u jepeshin autorëve më të mirë.
Fituesit e panairit ”Kamza Lexon” 2024, edicioni i III-të
Pas një prezantimi të shkurtër në një video të ecurisë së panairit, moderatori Sokol Guga do të thërriste njeriun kyç të panairit Liridon Mulaj i cili në një fjalë të shkurtër të tijën ishte më shumë falenderues për mbështetjen që i ishte dhënë duke e nisur nga kryebashkiaku Rakip Suli, tek bashkëpunimi i mirë me shtëpitë botuese dhe autorët pa harruar për të falënderuar edhe kolegët e Drejtorisë së Artit dhe Kulturës për gjendjen kudo sa herë e kishte të nevojshme. Më pas do të niste shpërndarja e çmimeve shoqëruar më parë me një prezantim të shkurtër në video përgatitur për secilin nga fituesit.
Çmimi “PROZA MË E MIRË” juria do të vlerësonte romanin “Brenga e prokurorit” të autorit Ahmet Prençi që do ti dorëzohej nga kryetarja e jurisë znj.Erenestina Gjergji Halili – pedagoge, poete, studiuese, gazetare. Ky vlerësim për “Brenga e Prokurorit” ishte me motivacionin – “Për sfidën ndaj natyrës “absolute” të drejtësisë, linjat e paqarta midis fajit dhe pafajësisë, si dhe rrëfimit linear përmes përshkrimi të dilemave të thella morale, “telasheve” etike dhe ndjenjës së zhbërjes së vetvetes, për të sjellë peizazhin bashkëkohor të individit mes të vërtetës dhe kompleksitetit të ligjit.”
Çmimi “LIBRI MË I MIRË STUDIMOR” është vlerësuar vepra “Arbëreshët, shqiptarët e Italisë”- Z.Fatmir Toçi i jepet: “Arbëreshët, shqiptarët e Italisë” (Vendbanimet, Historia, Kultura, Ritet, Objektet e kultit) autorit Fatmir Toçi, “Për rëndësinë si vepër enciklopedike e historisë, etnografisë, gjeografisë, gjuhës, kulturës, artit, fesë, trashëgimisë materiale, shpirtërore dhe institucionale të shqiptarëve të Italisë prej vitit 1445 deri sot, e cila sjell një kontribut të pazëvendësueshëm akademik për historinë e kombit tonë”. Akordimi i këtij çmimi u dha nga vet kryetari i Bashkisë së Kamëz z.Rakip Suli i cili theksoi faktin se ndihej mirë që një ish koleg (të dy kanë qenë pjesë e parlamentit ) ishte një prej fituesve të vlerësimit të jurisë dhe e garantoj z.Toçi edhe si botues që Bashkia Kamëz do të vazhdoj ti jap mbështetjen librit. Duke mos e fshehur emocionin për vlerësimin e bërë nga juria e rrjedhimisht Bashkia Kamëz, Fatmir Toçi veç falënderimit të rastit bërë dhe një apel duke kërkuar që Bashkia Kamëz të merrej shembull edhe nga njësitë e tjera vendore, e nëse kjo do të ndodhte gjendja do të ishte krejt ndryshe.
Me çmimin “LIBRI MË I MIRË PËR FËMIJË”, “ROBI- IA-MX234G” do të vlerësohej z.Viktor Canosinaj, ku kupa do ti jepej nga një mik i tij, shkrimtari, diplomati dhe politikani Besnik Mustafaj me motivacionin – “Për ndërthurjen e fantastikes me realen si qëllim parësor edukimin e të rinjve, por edhe për qasjen inovative, duke zbatuar në letërsi një të ardhme teknologjike, që gjendet në prag.”
Çmimi “MIRËNJOHJA E PANAIRIT” do t’i jepet z.Bajram Karabolli” që do ti dorëzohej nga drejtoresha e Arit dhe Kulturës në Bashkinë Kamëz Rigelca Gupe, “Për kontributin e çmuar shumëvjeçar në përkthimin e autorëve thelbësorë hispanikë, si dhe pasurimin e kulturës shqipe me vepra të rralla nga autorë si: Miguel Servantes, Ernesto Sabato, Juan Rulfo etj”.
ÇMIMI SPECIAL I PANAIRIT do t’i jepej nga Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Kamëz znj Albana Imeraj , djalit magjik Jamarbër Hoxha, xhevahirit të ceremonisë me motivacionin – “Për forcën krijuese në zhanret prozë dhe poezi, si dhe për vullnetin për të lënë gjurmën e pashlyeshme në letërsinë shqipe për fëmijë”.
Duhet theksuar fakti që si ceremonia e shpalljes së çmimeve, por edhe panairi “Kamza lexon” mundësohet fal kujdesit të veçantë dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të kryebashkiakut Rakip Suli duke qenë i pakursyer. “Kamza lexon”, tashmë në qytet konsiderohet si festa ose dasma e librit dhe është kthyer në traditë. Për nga interesi i shtëpive botuese dhe personaliteteve të letrave është certifikuar tashmë si i një përmasë kombëtare.
FOTO+VIDEO/”Kamza Lexon” kurorëzon 5 fituesit e festivalit të librit. Motivacionet dhe detajet e ceremonisë festive
RELATED ARTICLES