Detaje të reja janë zbardhur për marrjen peng të 20 vjeçarit sot në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet. Siç raporton gazetari i Klan News Besart Bajraktaraj, gjithçka nis te fikja e dritave në një moment të Dielën teksa po mbahej një koncert në shesh.
Përpos rrëmujës së madhe, menaxherë të kioskave kanë kuptuar që kanë dalë minus në xhirot e fitimeve të një nate më parë. Ata kanë nisur presionin ndaj punonjësve, duke pretenduar se u janë vjedhur shuma të mëdha parash. Rreth 60 punonjësve u janë kërkuar të kthejnë paratë, por në veçanti tek njëri prej tyre, 20-vjeçari, tek i cili kanë dyshuar më shumë.
Denis Baxhaku, Ermand Hoxha dhe Teo Kolemiço e kanë marrë zvarrë, e kanë futur në një kamion, e kanë dhunuar, madje të riut i ka rënë të fikët. Edhe pasi është përmendur, e kanë dhunuar në pjesë të ndryshme të trupit.
Të tre autorët kanë rënë në prangat e policisë, pas denoncimit të 20 vjeçarit. Në kërkim rezulton një person tjetër.
Mësohet po ashtu se tre menaxherët janë të paqartë në deklarimet e tyre, pasi pretendojnë se u janë vjedhur njëri 10, tjetri 20 dhe i treti 70 milionë lekë të vjetra./tvklan.al