Nga kontabilistët, audituesit, ekonomistët e deri tek inxhinierët IT, agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme, avokatët janë grupet që presin efekte negative në aktivitet nga zbatimi i ligjit të ri
Eduard Milushi, me profesion inxhinier software në pamundësi ekonomike për të përballuar parapagimin e tatimit me vlerë 1,250 euro/muaj, e llogaritur nga administrata tatimore, sipas deklarimeve të 2023, po shqyrton mundësinë e transferimit të biznesit të tij në Kosovë ose drejt Estonisë.
“Nga 20 ditë punë në muaj, pavarësisht se një i vetëpunësuar është natë-ditë në punë, ndryshe nga një i punësuar me orare fikse, 10 ditë duhet të punoj për shlyerjen e detyrimit prej 1,250 euro në muaj dhe 10 ditë për shpenzimet.
Pra të bëj një punë që nuk më siguron fitim. Për këtë arsye, po studioj mundësinë e hapjes së një NIPT-i biznesi në Kosovë ku tatimi është 10% apo në Estoni, ku ofrohen lehtësi fiskale”.
Eduardi ngre shqetësimin se me ligjin e ri, të ardhurat e tij janë taksuar 100%. Ai shpjegon se pavarësisht se shpenzon një vlerë të konsiderueshme të të ardhurave në funksion të punës, e ka të pamundur të dokumentojë shpenzimet nga platformat e huaja online për të cilat kryen shërbime.
“Me ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat, jam tatuar 100% për të ardhurat e deklaruara, pasi kam deklaruar zero shpenzime, duke qenë se nuk kisha përgjegjësi tatimore.
Edhe sikur të doja t’i deklaroja shpenzimet, me natyrën e punës që bëj, e kam të pamundur t’i dokumentoj nëpërmjet faturave. Mbi 90% të shpenzimeve i kam online për shërbime marketingu në Google, për hosting në platformën Amazon, apo Instagram.
Asnjë prej këtyre platformave nuk i lëshon faturë me NIPT Shqipërinë. Sërish e kam kërkuar te këto platforma lëshimin e faturave për njohjen e shpenzimeve, të gjithë kanë pohuar se nuk kanë marrëveshje për lëshimin e tyre me Shqipërinë”, pohon ai.
IT është një sektor që kërkon që bizneset të jenë në koherencë përditësimi me inovacionin, me qëllim që të mbeten në treg. Për rrjedhojë, një pjesë e madhe e të ardhurave sipas Milushit profesionistët IT i shpenzojnë për kurse online apo pagesash për përdorimin e aplikacioneve të reja.
“Përdorimi i modelit të thjeshtë të ChatGPT minimalisht kushton 20 euro në muaj. Në punën time përdor ChatGPT për të gjeneruar modele marketingu dhe shpenzoj 200-300 euro në muaj.
Pagesa për domain-et është 12 euro në muaj. Unë disponoj 30 copë. Kosto mesatare prej 50 euro në muaj është për 1 server, ku mbahen të dhënat dhe aplikacionet e klientëve për përdorimin e web server. Unë zotëroj 10 servera.
Me profesionin që bëj edhe njohja e shpenzimeve apriori prej 30% të përcaktuara në ligj nuk më shërbejnë, pasi janë më tepër sesa aq”.
41-vjeçari i vetëpunësuar si profesionist IT thotë se është në pritje të vendimit që do të marrë Gjykata Kushtetuese për të bërë hapat vendimtarë.
Deri tani, ligji i ri është ankimuar katër herë në Gjykatën Kushtetuese. Fillimisht në muajin shkurt nga grupi parlamentar i PD-së, një tjetër padi në muajin mars u dërgua nga kontabilistët dhe audituesit (IKM dhe IEAKA), më pas u ankimua masivisht nga 400 profesionistë të ndryshëm.
Padia e katërt u depozitua nga Shoqata e Autoshkollave. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar më 18 Qershor mbajtjen e seancës së parë së shqyrtimit të 3 padive të para.
Rishikimi i kësteve apo ndryshimi i normës tatimore nga Gjykata Kushtetuese mbeten shpresa e vetme për një sërë biznesesh, të cilët pohuan se po përballen me vështirësi ekonomike (75% të të anketuarve, ndërsa vetëm 25% thanë që kishin mundësi për të paguar) dhe të papërgatitur për të parapaguar tatim 1,000 apo 1,400 euro në muaj.
Me marrjen e vendimit të Kushtetueses, pjesa dërrmuese e sipërmarrësve të kontaktuara nga “Monitor” thanë se edhe ata do të “vulosin” vendimmarrjen për mbylljen e aktivitetit apo vijimin, për largimin apo qëndrimin në Shqipëri./ Monitor