Nga Entela KasiKoha do të jetë e pa- mjaftueshme për të shkruar sot gjithçka. Vetëm në librin me publicistikë, do kem mundësinë të shkruaj më gjatë.
Kjo parantezë si fillim i kushtohet letërsisë, kujtesës dhe vizionit, sepse rrallë ndodh që një autor i letrave në përshpejtim të lëvizjes dhe jetës të ketë mundësinë të ndajë me lexuesin atë që quhet ; kujtesë dhe mirënjohje.
Shkrimtari është përherë një banor i asaj çka bota letrare e njeh si univers letrar, por njëkohësisht autorët kanë atdhe në kuptimin e gjuhës, origjinës, identitetit, pasaportës së shtetit të cilit i përkasin, ndërsa letërsia i bën shkrimtarët të jenë në shumë vende dhe gjuhë si banorë të përhershëm të së tjerëve, e të tjerave vende.
Dua të them shqip e saktësisht se u ndjeva jo vetëm e privilegjuar si autore shqiptare, por njëherësh krenare në kuptimin e shtetit, Shqipërisë, në ditët e Panairit Ndërkombëtar të Librit në Selanik. Përherë kam besuar tek diplomacia, sidomos tek diplomacia kulturore, po aq sa tek ajo ekonomike dhe më gjerë. Romani im i fundit ” Rikthimi” – botuar në Prishtinë nga Botimet Buzuku, u prezantua shqip, greqisht dhe anglisht, në Bibliotekën Qendrore të Selanikut, falë vizionit dhe përkushtimit të Konsullatës së Shqipërisë në Selanik, stafit të saj, e veçanërisht përkushtimit dhe idesë së qasjes diplomatike të Konsulles së përgjithshme, znj. Erida Dobrushi, të cilën pata fatin ta kisha pranë në çdo çast. Çka mbeti në kujtesën time si shkrimtare ishte leximi i vëmendshëm i librit tim, por çka do të mbetet përherë në kujtesën e shumë njerëzve dhe kohës, është fakti se si znj. Dobrushi, i dha përmes artit të diplomacisë në bisedën publike lidhur me një libër, një tjetër imazh dhe vizion të ndritshëm publikut të huaj dhe shqiptar në Bibliotekën qendrore të Selanikut.
E kishte lexuar librin në formë elektronike, pra mes sa detyrash kishte gjetur kohën të ulej e të shkruante mjeshtërisht një prezantim që ndonjëherë nuk mundet ta krijojë edhe një kritik i letrave. Në fjalën e saj unë lexova vizionin dhe misionin e diplomatëve të vendit tim. Pra pashë, ndjeva, ndaj imagjinata dhe dija më mbushën me besim se ne kemi diplomatë të aftë që misionin e njohin si shërbim dhe përkushtim ndaj vendit, për të mbajtur në lartësinë e duhur imazhin e shtetit dhe zhvillimin e ideve po aq sa krijimin e bashkëpunimit për një të ardhme më të mirë në një rajon delikat siç është Ballkani apo në një botë siç është bota e sotme, e tronditur.
Në kujtesën time do të mbetet një studente e rritur në Greqi, Jolda Druga, që me një guxim e vullnet mbresëlënës pati atë që ne shkrimtarët e quajmë misionin më të vështirë: përmbledhjen e përkthimit letrar të letërsisë. Falë saj, publiku dhe lexuesi i gjuhës greke mundi të ketë bazat e ” Rikthimit” si roman i gjuhës shqipe në një audiencë më të gjerë.
Në fakt Rikthimi është botuar në “18 histori dhe gjuhë” nën kujdesin e shkrimtares dhe studiueses së letrave aq të njohur, Nora Gold, në Amerikë e më gjerë. Rikthimi është në gjuhët e botës brenda 18 historive si libri më i vlerësuar nga media si The New York Times, Los Angeles Review of books, etj. Ashtu siç është edhe në Muzeun Hebraik të Selanikut një dëshmi e kujtesës letrare të botës e të Shqipërisë njëherësh.
Ashtu si sot por edhe në një kohë tjetër, jam e bindur se ne kemi atë fuqi për ti dhënë botës të sotme përmasën e dinjitetit e po ashtu të vlerave për të cilat mbetemi të nderuar mes kombeve. Ne- Shqipëria, në periudha të errëta të një Europe të tronditur kemi ditur të përcjellim dritë, të jemi popull strehë i të tjerëve siç kemi ditur të rilindemi prej hiri. A kemi ne në Kosovë sot një monument që në anglisht shkruhet ” të rilindur”- për mua shqip do të ishte të shpëtuar. Sepse kjo është historia e popujve apo kombeve që shumë shkrimtarë përpiqen ta kthejnë në letërsi . Arti ka përmasën e lirisë sepse nuk njeh kompromis, dhe na bën le të themi dëshmitarët të epokës që jetuam po ashtu siç na bën përfytyrimi prej imagjinatës të një epoke më të mirë e cila për mbarë njerëzimin duhet të jetë e do të jetë, plot dritë!