BallinaEkonomiSejko në Kuvend: Problemet me mbledhjen e kredive të këqija kërkojnë ndryshime...

Sejko në Kuvend: Problemet me mbledhjen e kredive të këqija kërkojnë ndryshime ligjore

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ishte sot në një seancë dëgjimore në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave mbi subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme.

Guvernatori Sejko sqaroi se, me ndryshimet rregullative të marsit 2016, blerja e kredisë u konsiderua një formë kredidhënieje. Përmes licencimit, aktiviteti i shitblerjes së kredive, i mbështetur në nenet e sipërpërmendura të Kodit Civil, rregullohet dhe kontrollohet nga Banka e Shqipërisë, duke iu nënshtruar të gjitha detyrimeve mbikëqyrëse, përfshirë: raportimin në Regjistrin e Kredive, raportimet periodike, administrimin e rrezikut nëpërmjet inspektimeve në vend, analizave nga jashtë dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht janë 5 subjekte, të cilët krahas aktivitetit kredidhënës kryejnë paralelisht edhe aktivitetin e blerjes se portofoleve të kredive me probleme.

“Marrëdhëniet e mëtejshme tregtare midis bankave dhe këtyre institucioneve, në lidhje me shitblerjen e portofolit të kredive me probleme, nuk janë kompetencë e Bankës së Shqipërisë. Ato rregullohen përmes kontratave të lidhura midis palëve nga Kodi Civil. Në vitet që vijuan, zgjerimi i këtij sektori u shoqërua edhe me përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor e rregullativ. U miratuan kërkesa të reja dhe të përmirësuara për procesin e licencimit dhe provigjionimit të kredive të blera, mbrojtjen e konsumatorit dhe etikën në dhënien e administrimin e kredive në sistem,” tha Sejko.

Konkretisht, Banka e Shqipërisë kufizoi penalitetet që i ngarkohen kredimarrësit të kredisë konsumatore në masën 30% të shumës së detyrimit të papaguar. Kjo erdhi si domosdoshmëri, në kushtet kur penalitetet e akumuluara për kreditë me probleme mund të kalojnë disa herë principalin e kredisë. Gjithashtu, u kufizuan normat e interesit të kredisë konsumatore, përmes adoptimit të konceptit të “NEI-t maksimal”, si një kufi i sipërm për normat efektive të interesit. Ky ndryshim synon forcimin e mbrojtjes së konsumatorit ndaj kostove të larta të kredisë, të shpërndara në interesa, komisione e tarifa.

Po ashtu, me qëllim sigurimin e transparencës dhe mbrojtjen e klientit, janë përditësuar:

Rregullorja nr. 59, datë 29.08.2008 “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, e cila përcakton kërkesat mbi mënyrën dhe formën e dhënies së informacionit për klientët mbi produktet dhe shërbimet bankare e financiare të ofruara nga subjektet e kësaj rregullore;

Rregullorja nr. 48, datë 01.07.2015 “Për kredinë konsumatorë dhe kredinë hipotekare”;

Aktualisht, pas vendosjes së këtyre kufizimeve, niveli mesatar i normës efektive të interesit që aplikohet nga institucionet financiare jobanka (ku përfshihet interesi, komisionet dhe çdo lloj tarife tjetër që aplikohet për kredinë konsumatore), është zvogëluar me 3 herë, krahasimisht me periudhën përpara hyrjes në fuqi të tyre. Ndërkohë, theksojmë që sipas formulës së implementuar, tendenca do të vazhdojë të jetë gjithmonë në zbritje.

Sipas Guvernatorit, prej momentit të licencimit, të gjitha këto subjekte u janë nënshtruar në mënyrë të rregullt inspektimeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë, nga jashtë dhe në vend, ekzaminimeve të plota e të pjesshme, si dhe monitorimit 3-mujor të pasqyrave dhe treguesve financiarë.

“Objekt i mbikëqyrjes është çdo aspekt i veprimtarisë së subjekteve që përfshihet brenda tagreve ligjore dhe kompetencave të Bankës së Shqipërisë, të cilat ushtrohen rregullisht kundrejt çdo subjekti financiar të mbikëqyrur prej saj, bankë dhe jobankë. Konkretisht, subjekti MCA u është nënshtruar, në mënyrë të rregullt, të gjitha inspektimeve të mësipërme nga Banka e Shqipërisë. Për adresimin e mangësive të evidentuara, subjektit iu lanë një numër rekomandimesh për ndjekje. Në vitin 2022, pas konstatimit se rekomandimet nuk ishin zbatuar dhe problematikat nuk ishin adresuar në mënyrë të mjaftueshme, Banka e Shqipërisë përshkallëzoi masat ndaj këtij subjekti duke pezulluar ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies (përfshirë edhe blerjen e kredive të reja), për të cilën ishte licencuar. Në ekzaminimin e fundit (dhjetor 2023), Banka e Shqipërisë mori një masë më të rëndë, e cila ndonëse e klasifikuar si pezullim, e vendoste MCA-në në kushtet e një “revokimi faktik” të licencës. Kështu, MCA-së iu ndalua të ushtronte veprimtaritë për të cilat ishte licencuar, duke iu lejuar vetëm shitja e portofolit që administronte tek subjekte të licencuara dhe të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë, si dhe reflektimi i menjëhershëm në ulje të detyrimit, i çdo pagese të kryer nga ana e klientit,” tha ai.

Sipas tij, pezullimi dhe revokimi i licencës janë masat administrative më të rënda që mund të marrë Banka e Shqipërisë kur konstaton shkelje gjatë ushtrimit të funksionit mbikëqyrës. Pezullimi kufizon veprimtaritë financiare që mund të kryejë subjekti i licencuar, deri në ndreqjen e shkeljeve, apo plotësimin e rekomandimeve. Ndërsa revokimi i ndalon përfundimisht subjektit kryerjen e veprimtarive për të cilat është licencuar.

“Revokimi i licencës është masa e fundit për një subjekt, pasi kjo masë e nxjerr automatikisht subjektin jashtë juridiksionit mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, duke e rënduar pozicionin e kredimarrësve të tij  për disa arsye: Së pari, revokimi nuk i çliron kredimarrësit nga shlyerja e detyrimit të tyre; këto detyrime përbëjnë tituj ekzekutivë dhe, si të tillë, janë objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm nga shërbimi përmbarimor gjyqësor, edhe pasi licensa është revokuar. Së dyti, revokimi i licencës ia bën të pamundur Bankës së Shqipërisë trajtimin e ankesave të klientëve ndaj subjekteve, të cilat nuk mbikëqyren më dhe ndaj nuk kanë më detyrim për raportim. Së treti, revokimi ndërpret çdo raportim të këtyre kompanive në Regjistrin e Kredive dhe çdo komunikim të tij me Bankën e Shqipërisë. Edhe në rast të shlyerjes së plotë të detyrimit kundrejt subjektit, statusi i kredimarrësve do të mbetej i papërditësuar në Regjistrin e Kredive, duke i vendosur ata padrejtesisht në një status penalizues. Së fundmi, revokimi i licencës krijon pritshmëri të gabuar te kredimarrësit se përmes pushimit të veprimtarisë kredidhënëse të subjektit, shuhet detyrimi për shlyerjen e kredisë. Kredimarrësit mund të perceptojnë që mospagimi i detyrimeve ekziston si opsion, gjë e cila sjell rritjen e kredive me probleme në sistemin bankar, dhe rivendos në rrezik kursimet e qytetarëve, e rrjedhimisht, stabilitetin financiar të vendit,” tha Guvernatori.

Sipas tij, për të gjitha këto arsye, pezullimi i licencës dhe përcaktimi i një afati për shitjen e portofolit tek çdo subjekt tjetër i licencuar, ka për qëllim mbrojtjen e kredimarrësve nga praktikat abuzive dhe problematikat e përmendura më sipër.

Guvernatori tha se kompania MCA ka në portofolin e saj 15.942 klientë kredimarrës. Nga këta, rreth 90 % kanë marrë një vendim gjykate dhe/ose janë në proçes përmbarimor. Kjo do të thotë që për 90% të rasteve ka një vendim gjykate që përcakton vlerën e detyrimit të kredimarrësit. Në total MCA ka blerë portofole me një vlerë prej 9.6 miliardë lekë, nga të cilat është rekuperuar rreth 10% e tij.

Që nga momenti i licencimit, deri më sot (2016-2024), në Bankën e Shqipërisë janë depozituar dhe janë trajtuar rreth 85 ankesa ndaj këtij subjekti. Këto ankesa, kanë marrë nje vëmendje maksimale nga Banka e Shqipërisë dhe janë trajtuar papërjashtimisht të gjitha, në përputhje dhe respektim të plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator të institucionit.

“Peshën më të madhe brenda këtyre ankimimeve e zënë ato që lidhen me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm nga shërbimi përmbarimor. Ky proces përbën një shqetësim edhe për menaxhimin operacional të bankave për shkak të numrit tejet të lartë të urdhrave të sekuestrove që depozitohen çdo ditë nga shërbimi përmbarimor dhe që detyrojnë bllokimin e llogarive të debitorëve në afate të paarsyetuara.

Mandati i Bankës së Shqipërisë është i përcaktuar qartësisht në ligjin e saj organik i cili, në objektiv të mbrojtjes së stabilitetit financiar të vendit, e sanksionon Bankën e Shqipërise të rregullojë, licencojë dhe mbikëqyrë subjektet pjesë të tregut financiar, vetëm brenda tagrave që i njeh ky ligj.

Veprimtaria e shërbimit përmbarimor gjyqësor nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Kuadri ligjor nuk i jep Bankës së Shqipërisë kompetencën të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve dhe as të monitoroje barrën financiare që krijon ky shërbim mbi qytetarët. Kjo është një kompetencë që ligji ia njeh vetëm gjykatës. Për rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor gjyqësor nuk është objekt kontrolli nga Banka e Shqipërisë.

Në këtë pikë, theksojmë se autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo të rregullohet prej saj. Banka e Shqiperise nuk mund të ndërhyjë as në marrëdhëniet që MCA ka me subjektet që kontrakton, siç është rasti i shërbimit përmbarimor gjyqësor,” theksoi Guvernatori.

Sipas pashikimeve të Kodit Civil, të gjitha marrëdhëniet kontraktuale lidhen me vullnet të lirë midis palëve dhe për mosmarrëveshjet që mund të lindin gjatë ekzekutimit të detyrimeve kontraktore, juridiksionin për zgjidhen e tyre e kanë vetëm organet gjyqësore.

Po ashtu, neni 36 i Kodit të Procedurës Civile, parashikon se asnjë institucion tjetër nuk mund të marrë në shqyrtim një mosmarrëveshje civile, e cila është duke u gjykuar nga gjykata.

Sipas tij, Banka e Shqipërisë, në vazhdimësi, ka sugjeruar aksione të bashkërenduara për një përmirësim të qenësishëm të të gjithë këtij procesi. Por, nga vetë natyra e tyre, këto aksione kërkojnë përfshirjen edhe të palëve të tjera.

“Konkretisht, ne gjykojmë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në:

Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë;

Hartimin, në bashkëpunim me Bankën Botërore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka;

Përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, mbi vendosjen e tavaneve për penalitetet dhe normat e interesit;

Shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me 2 nivele;

Regjistrimin kontabël vetëm të principalit dhe interesit në rastin e blerjes së portofoleve, të paktën deri në përcaktimin e tavaneve ligjore për normat e intereresit,” tha Guvernatori.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular