Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka të drejtë që të zhvillojë hetime administrative për kontratat konceisonare që finalizohen me nënshkrim por në dy vjet duket se nuk ka pasur asnjë të tillë.
Këtë e sjell në vëmendje një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka audituar APP dhe aktivitetin e saj.
“Për periudhën 2021-2022, rezultoi se nuk ka pasur asnjë proces hetimi për kontrata koncesionare. Referuar informacionit të datës 18.7.2023, dërguar nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve, për vitin 2020 është nënshkruar kontrata koncesionare datë 20.4.2020 me objekt: “Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje dhe transferim i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”, me Autoritet Kontraktor Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gjithashtu, Sektori i Verifikimit të Procedurave të Konçesioneve/PPP, dhe Procedurave në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare në Agjencinë e Prokurimit Publik, nuk ka informacion të përditësuar nga ATRAKO, nëse janë finalizuar me nënshkrim kontrate, tre procedurat koncesionare të vitit 2022 “thuhet në raportin e auditimit.
I njëjti specifikon se APP pasi administron kontratat koncesionare nga ATRAKO,(kjo e fundit është përgjegjëse për mbajtjen e bazës së të dhënave për të gjitha kontratat e koncesionit dhe të partneritetit publik privat, të dhëna në Republikën e Shqipërisë), vlerëson në bazë të kritereve të caktuara në rregulloren e saj të brendshme, për përzgjedhjen e kontratave që do t’i nënshtrohen hetimit administrativ.
Në këto kushte, KLSH ka rekomanduar që Agjencia e Prokurimit Publik të marrë masa në vijim që të ketë një komunikim të vazhdueshëm me Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve lidhur me përditësimin e informacionit për kontratat koncesionare .
Një tjetër element që është nënvizuar tek përfundimet nga ana e audituesve të KLSH është fakti që nga verifikimi i dokumentacionit të administruar nga subjekti mbi planet e verifikimit për procedurat e prokurimit publik, procedurat e Konçesioneve/PPP dhe procedurave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për vitet 2022 dhe 2023, u konstatua se: APP si institucion verifikues ende nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për monitorimin procedurave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, me qëllim dhënien e sigurisë për mirëmenaxhim të fondeve publike në këto procedura prokurimi.
“Megjithëse APP ka ndërmarrë në kohë dhe ka ndjekur në vijimësi gjithë veprimet e nevojshme konform kërkesave të legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar, për të përmbyllur procesin e implementimit të sistemit të komunikimit dhe të informacionit ende nuk ka plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga AKSHI, pasi nevojitet asistenca e një specialisti IT, në rolin e administratorit të SIK-së, si person përgjegjës për aspektet e sigurisë që lidhen me implementimin, instalimin dhe operimin e sistemit. Për këtë arsye APP, me shkresë nr. 9550/1 prot, datë 14.12.2023, i është drejtuar Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të caktuar një nga specialistët IT të atashuar në APP, në rolin e administratorit të SIK por nuk ka marrë një përgjigje nga AKSHI. Nisur nga të dhënat statistikore për periudhë 2021-2023 rezultojnë të jenë në total 35 kontrata të nënshkruara për procedurat e prokurimit në këtë fushë. Mosveprimet e mësipërme vijnë në kundërshtim me nenin 14 të ligji nr. 36/2020 “Për Prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare” thuhet në raport.
KLSH ka kërkuar nga Agjencia e Prokurimit Publik të vijojë bashkëpunimin me Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për caktimin e specialistit të IT-së në APP, në rolin e administratorit të Sistemit të Informacionit të Klasifikuar, si personi përgjegjës për aspektet e sigurisë që lidhen me implementimin, instalimin dhe operimin e këtij sistemi. –
“Nga ana e APP-së të merren masa për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar nga AKSHI me qëllim përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni i informacionit të klasifikuar, si dhe të marrë masa për nisjen e punës për verifikimin e zbatimit të procedurave të prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, pas fazës së nënshkrimit të kontratës së prokurimit” thuhet në raport. /Monitor