Spanja, Irlanda dhe Norvegjia janë tre shtete të cilat pritet të njohin shtetin e pavarur palestinez javën e ardhshme.
Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, tha se ky ishte një vendim i përbashkët mes vendit të tij, Spanjës dhe Norvegjisë. “Sot Irlanda, Norvegjia dhe Spanja po njoftojnë se ne njohim shtetin e Palestinës, ku secili prej nesh do të ndërmarrë çfarëdo hapash kombëtarë të nevojshëm për t’i dhënë efekt atij vendimi“, u shpreh ai.
Të tre kryeministrat e vendeve theksuan rolin e shtetësisë palestineze në zbatimin e zgjidhjes me dy shtete në Lindjen e Mesme, raporton CNN.
Kryeministri Pedro Sanchez i tha parlamentit spanjoll se Spanja kishte zgjedhur të “njihte shtetin e Palestinës për paqe, koherencë dhe drejtësi”.
Kryeministri irlandez Simon Harris ndër të tjera e quajti masën një hap të rëndësishëm drejt paqes së përhershme.
“Njohja është një akt me vlerë të fuqishme politike dhe simbolike. Është një shprehje e pikëpamjes sonë që Palestina mban dhe duhet të jetë në gjendje të mbrojë të drejtat e plota të një shteti duke përfshirë vetëvendosjen, vetëqeverisjen, integritetin territorial dhe sigurinë,” tha Harris.
Harris pranoi se megjithëse do të ketë “reagime” dhe “interpretime” të implikimeve të vendimit, ishte e rëndësishme të mos harrojnë se fëmijët në Gaza dhe Izrael meritojnë paqen.
Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre u tha gazetarëve në Oslo se “nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme nëse palestinezët dhe izraelitët nuk kanë shtetin e tyre dhe se ekziston një zgjidhje me dy shtete”.
/tvklan.al