Banka e Shqipërisë, ditën e sotme ka marrë vendim për revokimin e licencave të dy subjekteve financiare jobanka, përkatësisht licencën e shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k., tashmë e pezulluar me vendimin nr. 644, datë 6.2.2024.
Sipas njoftimit, vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë bazohet në dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka, të cilat parashikojnë, ndër të tjera, rastet e revokimeve të licencave kur subjektet e licencuara nuk vazhdojnë të plotësojnë më kushtet në bazë të të cilave janë licencuar.
Në rastet e sipërcituara, për ortakët e të dy shoqërive që u është revokuar licenca, me kërkesën e Prokurorisë është vendosur masa e arrestit nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, dhe jemi në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili ndër të tjera konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania”.
Banka e Shqipërisë do të dalë me një njoftim të dytë për të dhënë sqarime të plota për të gjithë klientët e interesuar se si do të trajtohen në vijimësi portofolet e kredive të këtyre dy subjekteve.