Mbahet në Shqipëri Festivali Ndërkombëtar i Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”. Autorët nga 11 shtete. Ja nominimet për çmime dhe mirënjohje nga PEN Albania

0
380

Gjatë këtyre ditëve po mbahet në Shqipëri Festivali Ndërkombëtar i Autorëve” Netët Korçare të Poezisë”. Shkrimtarë nga vendi dhe bota në datë 24 maj, janë të mikpritur në Tiranë, nën Kujdesin e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku edhe do të kenë përveç një tryeze letrare për fuqizimin e dialogut po ashtu edhe lexime në mjediset e Muzeut dhe ambjentet e Selisë.
Dy qendrat shqiptare PEN Shqipëria dhe Kosova do të mbajnë ceremoninë e Çmimeve PEN për letërsinë, si edhe do të nderojnë institucione dhe personalitete me Çertfikata të Mirënjohjes.
Me Çertifikatën  mirënjohjes PEN do të nderohet Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për kontributet në promovimin e dialogut, si edhe të mbështetjes që i ka dhënë kulturës shqiptare në Shqipëri, rajon dhe në botë.
Çertfikata mirënjohjes PEN për promovimin e trashëgimisë letrare, gjuhësore për ndërtimin e urave të bashkëpunimit me vendin dhe botën por edhe për veprimtari të spikatura, do i jepet Muzeut Shtëpia Studio KADARE.
Laureat i Çmimit PEN  në prozë për vitin 2024 është Ahmet Prençi me romanin ” Brenga e Prokurorit”
Laureat i Çmimit PEN në poezi për vitin 2024 është Milazim Krasniqi.
Gjatë datave  25-26 maj, Biblioteka Publike “Thimi Mitko” me mbështetjen e Bashkisë së Korçës dhe në bashkëpunim me PEN Albania do të mikpresë  poetët shkrimtarët,  gazetarët dhe studiuesit, pjesëmarrës të Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët e Poezisë Korçare” në edicionin e 28-të të saj, në qytetin e Korçës.
Autorët nga Shqipëria, Kosova, Rumania, Italia, Zvicra,Sllovenia, Turqia,  Greqia, Franca, Irlanda e Maroku do të jenë në një program të organizuar për lexuesit dhe publikun shqiptar.
Besnik Mustafaj, Sadik Bejko, Aleksandër Çipa, Ahmet Prençi, Sali Bashota, Barbara Pogacnik, Marjana Gorczyca, Rafaël Neëman, Flamur Shala, Liridon Mulaj e shumë autorë të tjerë do të jenë pjesë e festivalit  dhe një agjende takimesh publike. Korça është qytet  identifikues për kulturën, traditën, artin dhe poezinë lirike shqipe.
Qendrat PEN , në dt 25 maj gjatë ceremonisë zyrtare të hapjes solemne të  festivalit do i ndajnë zn. Zamira Kita, Çertifikatën  e mirënjohjes për kontributin dhe punën e saj lidhur me artin, kulturën,  dhe veçanërisht  për promovimin e letërsisë shqipe përmes mjeshtërisë së teatrit.
Pema simbolike e  poezisë këtë vit do të mbillet nga Prof. Dr. Sali Bashota,  laureat i vitit 2024,  në “Lëndinën e Poetëve” në bashtën “Vangjush Mio”, më dt 26 maj, në prezencën e autoriteteve lokale dhe mediave.
Në përmbylljen e natës finale do të ndahen Çmimet tradicionale të Netëve Korçare të Poezisë.
Këtë vit festivali u frymëzua nga nga vargjet e Asdrenit – Një Diell i Ri!  
Ndërkaq risi  është edhe  botimi antologjik  shqip – anglisht i të gjithë autorëve pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të autorëve.
Netët Korçare të Poezisë.
Më datën 27 maj, autorët nga vendi dhe bota do të jenë të mikpritur nga Bashkia Devoll, ku do të kenë një agjendë veprimtarish me lexime dedikuar Dritëro Agollit. Po ashtu do të kenë mundësinë të njihen me trashëgiminë dhe pasuritë natyrore të Devollit.
Ashtu siç edhe është në traditën e PEN – Bashkia Devoll do të ketë Çertifikatën e mirënjohjes PEN ,  për mbështetjen  që autoritet e pushtetit lokal i japin promovimit të kulturës dhe letërsisë në veçanti.
Në të gjithë këtë veprimtari të festivalit Kryetarja e PEN për Shqipërinë , znj. Entela Kasi, dhe Kryetari i PEN Kosovës, z. Binak Kelmendi , do të jenë të pranishëm.
Të ftuarit nga vendi dhe bota janë Akomoduar në NanoBiofood Resort, në Komunën Petrelë, në kuadër të promovimit të turizmit dhe traditës në Shqipëri.