BallinaOP EDANALIZA/ Zogaj: Të zotët e punës kanë ardhur, mesazhi i qartë i...

ANALIZA/ Zogaj: Të zotët e punës kanë ardhur, mesazhi i qartë i Dumanit për refuzimin e ndryshimeve ligjore për pavarësinë e SPAK

spot_img
spot_img

Nga Preç Zogaj

Raportimi i fundit i kreut të SPAK, Altin Dumani, në Komisionin Parlamentar të ligjeve është një fotografi kuptimplotë e arkitekturës së Republikës parlamentare. Ku pushteti legjislativ qëndron në majë. Aty japin llogari pushtetet e tjera. Kjo është hierarkia. Tjetër gjë pastaj se deputetët e listave të mbyllura nuk janë në lartësinë e templarëve të demokracisë.

Raportimi në fjalë ishte sakaq fotografia e stadit të ri të konsolidimit të SPAK; e sigurisë së moskthimit prapa. Ajo që mund të thuhet me plot gojën për hetimet e përfunduara apo në proces nga ky institucion është se të zotët e punës kanë ardhur, po punojnë, po shkojnë përpara pa ju rritur veshët prej lëvdatave të shumta, të shurdhër ndaj sirenave të politikës së vjetër, të vetëdijshëm për sfidat dhe misionin e çrrënjosjes së krimit dhe korrupsionit shumëvjeçar në sistem, të ndjeshëm e të përgjegjshëm përkundrejt pritshmërive dhe mbështetjes së madhe popullore e ndërkombëtare.

Kryetari Altin Domani i mishëron këto cilësi si i parë mes të barabartëve, por edhe si shembull për t’u ndjekur. Në paraqitjen e tij dinjitoze, korrekte dhe etike para deputetëve pamë të shkrirë në një integritetin e tij vetjak dhe fytyrën e gjithë ekipit të prokurorëve të SPAK; pamë reflektimin pa kapardisje të fuqisë madhore amerikane që qëndron fort në mbështetje të drejtësisë së re në përgjithësi dhe SPAK-ut e BKH-së në veçanti. Shqiptarët që presin si ujët e pakët fundin e xhunglës dhe pandëshkueshmërisë në vend këtë duan: një SPAK si një trup i vetëm; një BKH si një trup i vetëm. Një Amerikë që nuk i mungon asnjë çast premtimit.

Për tu kthyer te raportimi, deputetët e opozitës morën përgjigje institucionale për pyetjet e tyre. Pavarësisht se mund të mos i kenë bindur. Deputetët e shumicës gjithashtu, ku spikati përgjigjia për pyetjen nëse kishte nevojë për ndërhyrje të reja ligjore sa i takon funksionimit të SPAK dhe pavarësisë së tij. Pyetje e cila sillte jehonën e zërave, sprovave apo “nismave” të diskutuara në mjedise të shumicës qeveritare për të ndërhyrë në reformën në drejtësi, gjoja për ta bërë me të mirë, në të vërtetë për t’i ndalur hovin SPAK-ut, “Republikës së Prokurorëve”, siç është shprehur në mënyrë pezhorative kryeministri Rama. E gjithë kjo duke llogaritur “frymën e konsensusit” me grupin e Rithemelimit.

“Prokurorët e SPAK janë të pavarur e ndihen të pavarur”, u përgjigj i zoti i punës. “Këtë pavarësi ua ka garantuar ky Kuvend me ndryshimet Kushtetuese e Kornizën ligjore. Korniza ligjore aktuale na e gartanton pavarësinë institucionale”!

Kuptimi dhe nënkuptimi: S’ka nevojë për të futur duar që s’dihet ku ndalen.

Por Dumani shtroi para deputetëve disa shqetësime të tjera me rendësi publike, ku kërkohet angazhimi i drejtpërdrejtë i Kuvendit të Shqipërisë.
Një i tillë, në përmasat e skandalit, është ai i mosbashkëpunimit të institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Tendenca në rënie e denoncimeve dhe padive nga institucionet dhe agjencitë e zbatimit të ligjit ka shkuar në 40 përqind në krahasim me një vit më parë, raportoi Dumani. E dhëna është alarmante. Sa më shumë forcohet SPAK, aq më shumë struken e tërhiqen institucionet ku një ushtri të emëruarish marrin rrogat pikërisht për të luftuar korrupsionin dhe paligjshmërinë në ministri, në agjenci, në bashki, e tjerë e tjerë.
Një “enigmë” e re kjo që i shtohet asaj tjetrës sipas së cilës korrupsioni në piramidën e ekzekutivit në nivel qëndror dhe vendor ka njohur një “bum” pas fillimit nga puna të SPAK!

Është e logjikshme të mendohet se rojtarët me pagesë të zbatimit të ligjit në këto institucione rëndom bëjnë para për vete nga korrupsioni i të tjerëve, duke marrë pjesën përkundrejt symbylljes, shantazhit, fshehjes. Atyre u shkon shprehja e famshme e Monteskiesë kur për korruptimin e intitucioneve thotë “është helmuar vetë medikamenti”.

Deputetët nuk mund të rrinë si guakë përballë një dukurie të tillë. Parlamenti ka detyrimin të reagojë. Deputetët e komisionit të ligjeve dhe parlamenti duket të reagojnë, shpresojmë pozitivisht, edhe ndaj kërkesave të kreut të SPAK, siç është për shembull ajo e shtimit të hetuesve të BKH-së, një kërkesë që bëhet gjithnjë e më emergjente me rritjen e volumit të punës nga kjo zyrë. Apo shqetësimi që lidhet me mungesën e një përcaktimi të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të SPAK pas përfundimit të mandatit të tyre. Duke përjashtuar me ironi veten e tij, Dumani argumentoi domosdoshmërinë e zgjatjes së mandatit të tyre.
Për të gjitha këto ka një paketë propozimesh konkrete të depozituara në Kuvend nga grupi parlamentar i PD-së. Kjo paketë mund të shërbejë si një bazë për Parlamentin për të shtuar në të kërkesa të tjera të arsyeshme nga ato që paraqiti Dumani. Heshtja dhe mosreagimi janë joetike, të palejueshme, të dëmshme. Heshtja i bën fresk e jehonë korrupsionit.

Në mungesë të një reagimi pozitiv nga Kuvendi dhe qeveria, çështjen e statusit të prokurorëve dhe fuqizimit të burimeve njerësore e teknike të SPAK do të duhet ta zgjidhë me votë publiku i gjerë. Është shumë pozitive që shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë mbështesin SPAK dhe kanë besim në punën e tij. Kjo mbështetje është inkurajuese. Por nuk mjafton vetëm fjala. Shqipëria po përjeton një ngjarje të madhe, që në finalen e saj do të shënojë një histori të re që nuk e ka njohur vendi dhe demokracia jonë: historinë e sundimin e ligjit, historinë e “askush mbi ligjin”, historinë e daljes nga xhungla në demokracinë normale. Sado të vendosur të jenë prokurorët e SPAK dhe hetuesit e BKH-së, suksesi i tyre kërkon bashkautorësinë e qytetarëve, si në një bashkudhëtim, ku qytetarët perveçse fjalën, të përdorin me zgjuarsi edhe votën për të mbrojtur e fuqizuar drejtësinë e re, i vetmi bekim për ta në periudhën që jetojmë.
Të zotët e punës kanë ardhur. Ata duhen mbështetur fort, hap pas hapi, deri në fund.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular