Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Të falësh’, me autore znj. Sofika Prifti (Cara), botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, në të cilin autorja ka përshkruar me hollësi dhe kompetencë profesionale, historinë e një prej fiseve më të njohura, jo vetëm në qytetin e Kavajës, por edhe më gjerë, fisit Cara, nga i cili dolën jo vetëm atdhetarë e patriot të shquar që dhanë kontributin e tyre në dobi të çështjes kombëtare dhe lirinë e Shqipërisë, por edhe intelektualë të njohur, të diplomuar në Perëndim, të cilët më pas u kthyen në atdhe, duke dhënë kontributin e tyre në disa fusha të shkencës dhe jetës. Por edhe pse pinjollët e fisit Cara ata ia kushtuan jetën e tyre, çështjes kombëtare, pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vit 1944, ata do të përndiqeshin, burgoseshin dhe internoheshin, e lufta e egër e klasave, do t’i ndiqte ata deri në vitin 1990, kur dhe nisi shembja e regjimit komunist.
PARATHËNIE
Gjithkush në qytetin tonë, i cili ka përjetuar me sy e me zemër flakën e fuqishme të lëvizjes antikomuniste këtu, në vitet e paharruara 1990- 1991, me siguri ka vënë re, mes femrave të pakta në rreshtat e para, të ishte edhe një grua me trup të hijshëm, në moshë të mesme, por me flokë të bukur e krejt të thinjur, sikur t’i ishin mbuluar me fluturza bore.
Ajo ishte bash në krye të demonstruesve, pa iu trembur syri nga terrori komunist. Në ballë i qe shkruar dukshëm urrejtja për regjimin diktatorial, kurse në sytë i shquhej e ardhmja me ngjyra ylberi. Thërriste me gjithë fuqinë e zërit të saj, në korin e madh të urrejtjes popullore: “Liri-demokraci! Poshtë diktatura”! etj.
Ishte Sofika Cara. Gjithçka që ka shkruar në këto fletë Sofika, si në një tregim të gjatë, janë kujtime dhe mbresa që nuk mund të harrohen kurrë! Ajo është bijë e një familjeje të mesme në Fier, por martesa me Bardhin në vitin 1961, bëri shkëputjen e saj të “pamëshirshme” nga trungu prindëror, për të mos u takuar me njerëzit e gjakut të saj, për më shumë se tri dekada(!!) Ishte koha e paradokseve të mëdha.
Dhe e gjitha kjo fatkeqësi e rëndë i erdhi asaj, vetëm sepse Bardhi, vinte nga një familje e ndershme kavajase, me taban nacionalist; babai i tij qe arratisur, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në fillim në Itali e më pas në Australinë e largët, ku edhe vdiq në vitin 1982. Në gjithë ato vite të vështira ajo dhe familja e saj përjetuan një dhimbje e një mall të pashuar, që u dha forcë të mbijetonin e t’i gëzoheshin një kohe të re.
Sofika, kjo grua me karakter të fortë, edhe pse e persekutuan, shpresat kurrë s’i humbi, sepse, dihet, shpresa vdes e fundit tek njeriu. Besimi i thellë tek Zoti, i jepte e i jep asaj kurajo të përballojë me fuqinë e një luaneshe, të gjitha sfidat e jetës, të gjitha vuajtjet që ia serviri ai regjim i urryer komunist.
Me dy fëmijë të vegjël, me pleqëri në shtëpi, me kunatin e sëmurë, kësaj gruaje të fortë, iu desh të bënte në shtëpi dy rolet, jo vetëm si grua që ishte, por edhe si burrë. I duhej që të punonte si “kalë” e t’i binte Shqipërisë kryq e tërthor, sepse veç familjes, i duhej që të mbante dhe burrin e saj, Bardhin, në burg.
Të gjitha këto përjetime, nëpër faqet e këtij libri, Sofika i ka dhënë si në një bisedë të ngrohtë me njerëzit e saj më të dashur, sepse vetëm ajo e di se sa ka vuajtur, ndaj mendoj që ju me siguri do t’i lexoni me kureshtje e dhimbje.
Edhe me lirimin e Bardhit nga burgu, kujton Sofika, kalvari i vuajtjeve të tyre nuk mbaroi, por ai u bë më i rëndë. Kudo ata do t’i rrethonte syri i fshehtë i Sigurimit të Shtetit. Njerëzit u bënin bisht nga frika.
Bardhin, bashkë me të vëllanë, Sabriun, veç burgut, i kishin shënuar në listën e zezë të eliminimit fizik. Ishte çereku i fundit i viteve ’80-të, ishin vitet e fundit të qeverisjes komuniste në Shqipëri dhe diktatura ishte egërsuar, tamam si ai derri i egër, e i plagosur.
Për t’i shpëtuar këtij ndëshkimi të pashpirt, Bardhi, bashkë me vëllanë, Xhevdetin, e gjykuan të largoheshin nga Fieri dhe erdhën u vendosën në Kavajë, ku kishin lindur dhe kishin origjinën familjare, tek fisi i njohur këtu, Cara.
Ata erdhën në Kavajë pak kohë para se të shpërthente “Perla me gurët e saj”, kështu e quan Sofika Kavajën dhe popullin e këtij qyteti demokrat, që e para e përgjithnjë vrau frikën në mendjen e shqiptarëve dhe ndezi në gjithë Shqipërinë, flakën e madhe të lëvizjes antikomuniste, e cila do të sillte fundin e pashmangshëm të sistemit politik komunist tek ne.
Libri i Sofikës është shkruar natyrshëm, me sinqeritet, me ndjenjë dhe nuk shpreh thjeshtë një krenari e respekt për fisin Cara, apo për fisin e saj atje në Fier, nga ka ardhur, por është i mbushur me dashuri e me respekt të thellë për njerëzit, për popullin e Kavajës, sa mikpritës e i përzemërt, aq dhe trim, punëtor e me shpirt demokrat.
Këto copëza të gjalla jete që na jep kjo autore në libër, të kujtojnë atë muratorin e palodhur, i cili, tullë pas tulle, lartëson një ngrehinë, të vogël apo të madhe. Edhe kjo autore me shumë thjeshtësi, vë disa tulla në ngrehinën e madhe të historisë së këtij qyteti të vjetër. Është një ndihmesë modeste, por shumë e vyer puna e Sofika Carës, e cila na solli këtë libër, prandaj mendoj se edhe duhet përshëndetur e duhet vlerësuar me syrin e një bashkëqytetari të ndershëm.
Ramazan Hushi
PAK TË DHËNA PËR FISIN CARA
Sipas historikut që na është servirur, tri rrugë të mëdha, në mes disa të tjerave më të vogla, përbënin skeletin e qytetit të Kavajës. Pikërisht këtu erdhën të banonin e të punonin shumë shekuj më parë, në një fushë të madhe e pjellore, disa familje të fisit Cara.
Rrugët e rrugicat këtu nuk kishin emra, po edhe ashtu, anonime, banorët nuk mund t’i linin gjatë. Sepse qytetet dhe rrugët e tij janë si qenie të gjalla, duan patjetër emrat e tyre. Dhe këta emra lindën sipas vendit ku ato shtriheshin: për shembull, nga objekti “Guri i Sharrës”, në pjesën jugore të qytetit, u quajt lagja “Sharrë”; vendi ku u ngulitën njerëzit e fisit Cara, që quhej “Skuraj”, u quajt lagja “Skuraj”, sot me emrin “Zguraj”; kurse lagja ku kishte pronat e tij beu, mori emrin “Sallbeg”, etj.
Por unë nuk kam qëllim të ndalem në emërtimet e rrugëve e rrugicave, sepse të tjerë kanë shkruar gjatë për to. Qëllimi im është të ndalem e të evidentoj këtu një fis tepër të madh e të vjetër, fisin Cara, i cili rrënjët e tij i ka në Skuraj të Mirditës.
Fisi i Carave në Kavajë, duhet thënë që është fis i vjetër, por jo autokton. Njerëzit e këtij fisi mendohet se kanë ardh, në kohë shumë të largët, nga fshati verior Skuraj, ku dhe sot këtë mbiemër e mbajnë banorë të dy besimeve fetare, e lidhur kjo me pushtuesit që e pushtuan këtë zonë në kohë të ndryshme: myslimanë dhe katolikë, të cilët shkojnë në harmoni me njëri-tjetrin, duke u shquar kështu si një fis i madh e me emër të mirë, në të gjithë Mirditën.
Në Kavajë ata u kapën mirë me punë, u shumuan në numër dhe u bënë shpejt zotërues, si familje e madhe feudale, aty rreth vitit 1250, duke qëndruar jo vetëm në ultësirën e bregdetit, po pastaj u shtrinë në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Familja e këtij fisi ia arriti të krijonte lidhje e miqësi të forta rreth vitit 1350, duke u futur nën zotërimin e Tanush Topisë.
Kurse pas vdekjes së Gjergj Topisë, Carat, sipas rrëfimeve që na kanë ardhur nga brezat më të vjetër, ata kanë dalë më vete. Ndër të parët e Carave, përmendet Shqefën Cara, i cili kishte pasur dy djemtë e tij, Pjetër e Mark Carën. Më vonë degët e këtij fisi u shtrinë në Tiranë, Durrës, Laç, Ndroq dhe në Fier, etj.
Por dega më e madhe e kësaj peme të madhe fisnore, ka lulëzuar në Kavajë. Carat këtu, duke zbritur nga malësia, që veç ujit të ftohtë e ajrit të pastër, të tjerat i kishte fukarallëk, e gjykuan drejt, që të nguleshin në një fushë të madhe, të cilën do ta punonin e kështu do të siguronin jetesën.
Fushës dhe rrugicës ku ata jetuan banorët e lagjes i vunë emrin Cara, edhe sot ky vendbanim quhet Rruga e “Carajve”. Vitet kalonin. Bujqësia, blegtoria e tregtia u bënë burimi i tyre i jetës e kështu, me punë të palodhur, u bënë me emër Carat. Fisi i tyre erdhi e u rrit shumë, u përhap edhe në lagje të tjera të qytetit dhe në ditët tona, është një prej fiseve më të mëdha të qytetit, që shtrihet në kërthizë të Shqipërisë.
Qysh në kohë shumë të hershme, nga vatrat e fisit Cara, kanë dalë shumë njerëz me vlera, njerëz atdhedashës që, përveç punës, dëshironin ta shikonin vendin e tyre të lirë e të bukur. Nga ky fis, në kohë të ndryshme, kur e ka kërkuar interesi i vendit, kanë dalë të marrin pjesë me armë në dorë vullnetarë, për të mbrojtur trojet e të parëve, nga copëtimi i huaj.
Kështu, për shembull, historia na dëshmon që rreth 650 burra nga Kavaja, kanë marrë pjesë si luftëtarë në Luftën e Shkodrës, më 1913, për të mbrojtur trojet shqiptare në Shkodër, Plavë e Guci, nga sulmet serbo-malazeze, ku 20 burra ishin nga fisi i Carave, midis tyre, edhe gjyshi i Bardhit, Islam Cara, por edhe Isa Cara, Hamdi Cara, etj.
Madje në këtë luftë, ra heroikisht Isa Cara. Gjithashtu, përmendim këtu që Dervish Cara, ka marrë pjesë në luftën e Maqedonisë dhe ka qenë aty një nga figurat kryesore. Ai njihet në histori kur shpërtheu kryengritja e madhe në krahinën e Pollogrit, në vitet 1843- 1844, e cila është quajtur “Kryengritja e Dervish Carës”. Së bashku me Dervish Kapo, Dervish Pola, në krye të kësaj kryengritje e vendosin shtabin e tyre në teqenë e famshme Harabat, në Tetovë të Maqedonisë.
Dervish Cara kishte lidhje familjare me pashallarët e pashallëkut të Tetovës. Qëllimi i kryengritjes ishte kundër reformave të Tanzimatit për ruajtjen e identitetit të popullit shqiptar, për ruajtjen e gjuhës shqipe traditës, burrërisë dhe autoritetin e pashallarëve në krahinat e veta. Fisi i Carave ka marrë pjesë aktive në luftën e përpjekjet për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Bashkë me banorë të tjerë të qytetit tonë, edhe njerëz të këtij fisi, kanë ndihmuar për të përcjellë plakun Ismail Qemali për në Vlorë, më 23 Nëntor 1912, dhe ky patriot i flaktë pastaj, ngriti më 28 Nëntor 1912 flamurin kuqezi në qytetin lab dhe e shpalli Shqipërinë të pavarur. Kanë qenë shumë burra nga Kavaja që e përcollën Ismail Qemalin deri në Çermë, si Mustafa Cara, Qazim Merhori, Bajram Xhani e, shumë të tjerë, kurse gjyshi i Bardhit, Islami, e përcolli atë deri në Çermë.
Njerëzit e fisit Cara, u muarën shumë me tregti dhe kështu shkuan edhe jashtë vendit, deri në Itali, Austri, Turqi e Australi; në Turqi mbetën përgjithnjë edhe dy vëllezërit e Xha Lamit dhe fëmijët e tyre, jetojnë edhe sot në këtë vend mik.
Të dhënat e mësipërme janë marrë duke shfletuar historinë e qytetit të Kavajës, si dhe nga arkivi i familjes, në bashkëpunim me Lulzim Carën, të atin e dëshmorit dhe martirit të demokracisë shqiptare, Indrit Carës.
- Ali Vishka: “Teqeja Harabat e Tetovës dhe roli i saj historik e kulturor në të kaluarën”.
- Dr. Aleksandër Matkovski: “Kryengritja e Dervish Carës – Shkup 1985, fq. 101-127.
MUSTAFA CARA
Fisi i Carave ka nxjerrë nga gjiri i vet njerëz që e kanë dashur shkollën dhe kanë studiuar jashtë vendit, por gjithashtu edhe demokratizimin e vendit të tyre, e kanë dashur shumë. Kështu dimë që Mustafa Cara, e kishte mbaruar shkollën Tregtare në Turqi dhe më pas ishte emëruar mësues në Kavajë. Mustafai kishte lidhje të forta me Ismail Qemalin, Çerçis Topullin, Sulejman Delvinën, Bajram Xhanin, Andrea Ekonomin, Hoxhë Leçinin, si dhe plot miq e dashamirës.
Në vitin 1920, Mustafa Cara ka marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe më vonë në Tiranë, ku u krijua Partia Radikale Demokratike, në tetor 1921. Pas dy muajsh, ky burrë patriot, ngriti degën e kësaj partie në Kavajë. Mustafa Cara, ishte ai që ngriti më 27 nëntor 1912, flamurin në Kavajë, pikërisht në ballkonin e shtëpisë së tij, duke dëshmuar qartë për mbështetjen e pakufishme që i jepte populli i qytetit tonë, çështjes së madhe të shpalljes së pavarësisë kombëtare.
Edhe sot, po në këtë datë vijon kjo traditë e bukur e ngritjes së flamurit kombëtar në Kavajë. Ai e urrente me gjithë forcën e shpirtit, sistemin e egër komunist, si sistemin e padrejtësive, të mohimit të lirisë së fjalës, të varfërisë, i cili e kishte lënë popullin shqiptar në errësirë dhe vendin në një prapambetje të thellë.
Mustafa Cara, ka bërë shumë për atdheun e tij, për këto arsye regjimi komunist e pati dekoruar atë me dëshminë; “Patriot dhe atdhetar i shquar e i vendosur, për çështjen kombëtare”.
Me ardhjen e demokracisë, emri dhe veprat e tij u ngritën në piedestalin e nderit. Për merita të veçanta, për “Liri e Demokraci”, ish-presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Dr. Prof. Sali Berisha e ka dekoruar atë me urdhrin; “Patriot i Shquar e i Vendosur” kundër komunizmit, “Për Veprimtari Patriotike ndaj Kombit”, me Medaljen e klasit të dytë, etj.
Bashkia e Kavajës, bashkë me këshillin bashkiak, e kanë vlerësuar dhe e kanë shpallur Mustafa Carën; “Qytetar Nderi” të Kavajës, pas vdekjes, për kontribute të vyera ndaj çështjes kombëtare.
Mustafa Cara ka ndërruar jetë në vitin 1955, në moshën 88-vjeçare. Ai u përcuall në banesën e fundit me nderime dhe respekt të madh nga bashkëqytetarët e tij.
DEMIR CARA
Fisi i Carave ka nxjerrë burra të zotë për vendin, intelektualë me mendje të mprehtë dhe vizionarë për të ardhmen më të mirë të Shqipërisë. Një nga këta ishte dhe Demir Cara, i cili është për ne nderi e krenaria e Kavajës dhe e kombit.
Demir Cara pati shkuar për studime në Austri, qysh në moshë fare të njomë, por ai u rrit e u formua atje larg, me afshin e mallit e të dashurisë së pashuar, për atdheun e vendlindjen. Në Austri ai u bë doktor shumë i zoti, fitoi me zotësi titujt dhe njihej si; Dr. Prof. Demir Cara, por, njëkohësisht, ai u formua edhe si patriot i flaktë i çështjes sonë kombëtare.
Për vlerat e meritat e tij të padiskutueshme, atë e zgjodhën kryetarin e Shoqatës “ALBANIA”, e themeluar nga studentët shqiptarë që studionin në Austri, ku, veç të tjerëve ishin edhe Et’hem Cara, Andrea Tirana, Aleks e Mihal Buda, etj.
Dr. Prof. Demiri, si patriot e atdhetar, por edhe si mjek, ka ndihmuar shumë shqiptarë që shkonin atje, i ka ndihmuar edhe materialisht, ka pritur e ka përcjellë me nderime shumë bashkatdhetarë të tij, që nga njerëzit më të thjeshtë, deri tek ata me pozita e detyra të larta shtetërore, ka pritur në Austri Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, në Festivalin botëror që u zhvillua në Vjenë, në vitin 1958, eveniment ku grupi ynë zuri vendin e parë dhe fitoi “Gjerdanin e Artë”.
Për këtë ngjarje të bukur, në nderim të artit shqiptar, ai shtroi edhe një banket madhështor. Qenë ca vite kur ai vinte shumë shpesh në Shqipëri, në Kavajë dhe kudo e prisnin me shumë respekt. Në shenjë mirënjohjeje, shteti shqiptar në atë kohë i ka dhuruar atij një aparat kardiologjik për zemrën. Kur vinte në Tiranë e në Kavajë, doktor Demiri bënte vizita e konsulta falas, për qytetarët shqiptarë. Gjithmonë ai ka qenë i interesuar për zgjerimin e forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore mes dy vendeve, Shqipërisë e Austrisë.
Nënvizoj këtu edhe një detaj me shumë kuptim: Dr. Prof. Demir Cara, në dokumentin e tij të identitetit në Austri, mbante nënshtetësi shqiptare.
Dr. Prof. Demiri Cara, vdiq më 15 shtator 1991, në moshën 84 vjeçare, në Vjenë, mes miqsh e njerëzish që e deshën me sinqeritet dhe e vlerësuan dhe e respektuan gjithmonë. Ai njeri me virtyte, u largua nga kjo jetë, pa shijuar kohën e re të demokracisë që erdhi në Shqipëri, kohë për të cilën ai kishte dhënë, me të gjitha energjitë e tij, gjithçka kishte. Amaneti i vetëm që ai la ishte: të varrosej në vendlindjen e tij të dashur, në Kavajë.
Dhe ashtu ndodhi; trupin e tij pa jetë e sollën dhe e varrosën, sipas amanetit, në qytetin e tij të lindjes, me shumë nderime e respekt, ashtu siç i takon një njeriu me zemër të bardhë dhe pjesëmarrja në varrim ishte shumë e madhe.
ET’HEM CARA
Et’hem Cara ka lindur në Kavajë dhe mësimet e para ai i kreu në vendlindjen e tij, kurse më pas ndoqi e mbaroi studimet e larta në Akademinë Tregtare në Linz të Austrisë, kurse i vëllai i tij Myftar Cara, vazhdoi e mbaroi studimet në Universitetin e Bukureshtit në Rumani.
Et’hemi i mbaroi studimet e larta me rezultate shumë të mira, u shqua si një njeri me aftësi profesionale të rralla dhe shpejt fitoi titullin e lartë shkencor “Doktor”, të Akademisë Tregtare. Edhe Et’hemi ishte bërë anëtar i Shoqatës patriotike “ALBANIA” në Austri.
Kur erdhi në Shqipëri, ai fillimisht u emërua me punë në Elbasan. Në këtë kohë martohet me një vajzë kosovare, Zylën, nga një familje fisnike, me emër në Gjakovë, fisi i Karkinëve, që kishin ardhur në Kavajë, në vitin 1928. Aty nga mesi i vitit 1932, ai u emërua me detyrë në Tiranë, si shef i financës pranë Ministrisë së Arsimit.
Në vitet 1932-1944, Et’hem Cara krijoi lidhje të shumta me njerëz intelektualë, të cilët kishin mendime progresiste për të ardhmen e vendit; pati fatin të njihej e të punonte me figura të njohura të kohës, si; Hilë Mosi, Nush Bushati, Rexhep Krasniqi, Eqrem Çabej, etj.
Nga kontaktet e vazhdueshme me këto figura, ai përfitoi shumë, duke formuar kështu portretin e tij të plotë prej intelektuali e patrioti të ndershëm e, të gjithë së bashku punonin e bënin përpjekje me shpirt të lartë patriotizmi, për të ruajtur me fanatizëm pavarësinë politike të vendit.
Ishte pikërisht kjo njohje e tij me intelektualë të tillë me prirje demokratike, që e bënë të manifestonte edhe intelektin e tij të veçantë, zotësitë profesionale, por edhe nuhatjen e tij të thellë në vlerësimet politike të kohës.
Kështu ai i siguroi vetes një reputacion të lartë, që ta nderonin të gjithë, madje shokët e tij të afërt, ta quanin edhe me epitetin “SOKRATI”. Doktor Et’hem Cara, duke qenë i zgjedhur, ishte deputet i asaj kohe qysh në vitet 1940-1944, për Durrësin e Kavajën.
Në vitet kur në Shqipëri, por edhe në Kavajë, ndodheshin forcat ushtarake gjermane, ai e ruajti të panjollosur dinjitetin e tij prej atdhetari, punoi me ndershmëri e me patriotizëm, për t’i shërbyer me të gjitha mundësitë popullit të vet.
Kështu është rasti këtu të përmendim faktin që Et’hem Cara, me autoritetin e deputetit, një herë ndërhyri pranë komandës gjermane të SS -ve, duke u bërë protagonist i lirimit nga izolimi të shumë burrave nga Kavaja, të cilët ishin kapur nga gjermanët, si njerëz me pikëpamje komuniste. Ata i kishin grumbulluar në sarajet e beut, në Kavajë e prej aty do t’i dërgonin nëpër kampet e përqendrimit, në Gjermani, në Austri etj, për t’i shfarosur ose djegur.
Për këtë çështje, sa humane aq dhe patriotike, para komandantit gjerman të SS-ve, Et’hemi vuri garant fëmijët e tij, duke u thënë atyre që populli i Kavajës, nuk është komunist, por ai është me bindje të theksuara nacionaliste. Komandanti gjerman, duke e dëgjuar që ai e fliste gjuhën gjermane aq bukur e rrjedhshëm, u befasua e u zbut. I bindur në fjalët e Et’hem Carës, pasi i bëri disa pyetje këtij të fundit, dha urdhër t’i lëshonin të gjithë të arrestuarit.
Ajo ka qenë një ngjarje e veçantë, një ditë gëzimi në të gjitha familjet kavajase. Edhe sot, në ditët tona, ata që e kanë njohur apo që kanë dijeni për këtë njeri, e kujtojnë doktor Et’hemin, me nderime e mirënjohje të veçantë. Në shtator-tetor të vitit 1944, kur në vend ishin akoma forcat ushtarake gjermane, Et’hem Carës iu propozua posti i lartë i Ministrit të Financave, në qeverinë e drejtuar nga Ibrahim Biçaku.
Ai e pranoi këtë detyrë. Qëllimi i mirë i rrëmben njerëzit e ndershëm. Ai punoi me përkushtim e aftësi profesionale, madje, për punën e tij të mirë, vlerësohet si “Ekspert teknik”. Në atë kohë, për Doktor Et’hemin ishin ditët më të vështira. Ai me shumë kujdes i vinte rëndësi ruajtjes së thesarit monetari, në Bankën e Shtetit.
Duke vlerësuar me shumë zgjuarsi rreziqet që i kanoseshin ekonomisë sonë kombëtare, atij i duhej të bllokonte të gjitha daljet e thesarit. Ai, me burrëri e guxim të rrallë, i përballoi kërcënimet e komandantit gjerman, i cili insistonte të merrte me vete thesarin shqiptar, kur po ikte. Mirëpo Ministri Et’hem Cara, kundërshtoi e iu përgjigj se; financat shqiptare janë të varfra dhe nuk kanë para.
Komandanti gjerman këmbënguli dhe e shantazhoi, duke e kërcënuar me gruan, Zylën, dhe katër djemtë e tij të vegjël: Betimin, Agimin, Astritin dhe Kaçin, për t’i pushkatuar, në qoftë se nuk i jepnin thesarin. Et’hem Cara iu përgjigj i vendosur: “Gruan dhe fëmijët i dua, ata janë drita e syve të mi, por interesat e vendit tim nuk i shkel, ju bëni punën tuaj”! Memorie.al