Nga Martin Dedaj
– Opinion –
Nga “marria” për shkak të “Zambakut pa fletë” me flirtin seksual me adoleshntin Martin, për të mbetur shtatzanë me të, tek “klithma nga errësira” e Arjanës, në zyrën e po të njëjtit person por tashmë prokuror, (teksa i kujton një ngjarje të 30-viteve më parë), duke e kërcënuar për ndryshim provash dhe lehtësim për të birin, tek afera për lirimin e Marjan Brojës, nga burgu, ngjarjet e vitit 1997, që shërbyen si habitat i lulëzimit të kriminalitetit dhe përdhosjes së shtetit dhe shtrirja e metastazave të krimit në të gjitha qelizat dhe kapilarët e shtetit, inkriminimi i disa segmenteve dhe individëve të caktuar të këtij shteti në bashkëpunim dhe ortakëri me krimin, strukturat dhe individë të tij, për të mbërritur në luftën pa kompromis të një kaste prokurorësh të hekurt në luftën pa kompromis, në misionin e tyre fisnik të drejtësisë, e plot ngjarje të tjera, vijnë plot emocion, dhe të shtjelluara mjeshtrisht tek romani “BRENGA E PROKURORIT”, i shkrimtarit tashmë tingëllues dhe gjurmëlënës në letërsinë e sotme shqipe, Ahmet Prençi.
Tek ky roman vlerësoj mënyrën e strukturimit letrar, pëmes dhjetë kapitujve, që rrjedhin si një ujvarë shumë degëshe për tu shkrirë mjeshtrisht në shtratin e një filli interesant, të zhvillimit të ngjarjeve, brenda të cilit “aktrojnë” shumë personazhe, dhe ndodhin shumë ngjarje komplekse: të detajuara e rastësore; intriguese e shantazuese; kriminale e befasuese; ligjore dhe njerëzore; kulisash e intrigash; por me një fund sfidues të protagonistit dhe personazhit kryesor prokurorit Martin Guri, i cili është shembulli më i arrirrë sesi duhet të jetë nëpunësi i shtetit për më tepër një prokuror që mision duhet të ketë drejtësinë dhe vetëm atë, dhe të mos trysnohet, qoftë dhe me brengat brenda vetes, qofshin ato edhe me lidhje gjenetike, siç në fakt na vjen profili i Martin Gurit, në këtë roman, me qasje të veçantë intriguese, trilluese, argumentuese, profesionale dhe letrare.
Çertifikimi i ngjarjeve dhe personazheve, me titullin sinjifikativ e mjaft domethënës; “Brenga e Prokurorit”, si dhe gërshetimi perfekt i profesionistit të drejtësisë, (falë integritetit që ka dëshmuar në detyrat dhe sipërmarrjet shtetërore që ka kryer), me profesionistin letrar tashmë të skalitur, që ka demonstruar autori i këtij romani, ja përmasojnë vlerat kësaj vepre, saqë për mendimin tim, shërben edhe si një manual profesional frymëzues për gjeneratën e punonjësve të drejtësisë, sidomos të rinj, që ata të kenë modelin e Martinit, prokurorit të hekurt dhe shembullin që duhet ti frymëzojë, në misionin e tyre të dhënjes drejtësi e të mos bien pre e aferave korruptive e shkeljes së ligjit, të cilat çojnë më pas në shkatërimin e drejtësisë.
Romani në fjalë vjen edhe si një dëshmi konkrete e realitetit shqiptar në dy kohë, atë të para viteve 90-të, dhe tranzicionit të stërgjatur shqiptar, me shtrirjet e metastazave të krimit, në të gjitha qelizat e shoqërisë shqiptare të kultivuara me kujdes tashmë në mënyrë të sofistikuar, ku eksponentët dhe grupet e rrezikshme kriminale, suportohen nga segmente të caktuara shtetërore dhe politike, duke bërë karshillëk me statusin e “të pa prekshim”, por që i qëllon të preken e të ndëshkohen, madje rreptë nga tipa si Martin Guri, prokurori model me një profil të fortë e dinjitoz, profesional dhe me karakter të caqeve të epërme, i cili kapërcen edhe mbi lidhjen gjenetike, e nuk tërhiqet përballë brengave, që mund ti kushtonin edhe jetën, por jep pretencën: “Burgim të përjetshëm”, për
Marjan Bojën, një eksponent me precedent shumë të rrezikshëm kriminal, por që ishte edhe djali i tij gjenetik.
Përmes figurës së prokurorit të hekurt Martin Guri, trajtohen edhe vështirësitë që punonjësit e drejtësisë e sidomos prokurorët hasin në punën e tyre, dhe që vijnë mjeshtrisht përmes lojës dhe kërcënimit në zyrë të Arjanës, në takimin me prokurorin Martin Guri pas afro 30-vjetësh, ku asokohe ajo përmes historisë së një epshi seksual dhe nevojës së saj për të mbetur shtatzënë, i mëson adoleshentit lojën e dashurisë, nën tingujt e muzikës në piano, duke ia vjelur palcën e shpirtit, që më vonë do të ngjizej për të ardhur në jetë Marjan Boja, për të vijuar me një aferë milona euroshe, për ta liruar atë, por që nuk e tundojnë aspak prokurorin e hekurt Martin Guri!.
Një histori e bukur rrënqethëse, emocionuese, dhe shumë mesazh dhënëse, e sjellë mjeshtrisht nga z. Ahmet Prençi, tashmë i rrjeshtuar dinjitoz në ravën e shkrimtarëve më në zë të vendit dhe jo vetëm.
Faleminderit drejtor!
Ishte kënaqësi për mua që pas 16-vitesh, kur më ke emëruar shef të Sektorit të Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë, të kem me autografin tuaj në bibliotekën time modeste, dy romanet Tuaja; “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit”, të cilët i lexova me kënaqësi, dhe sinqerisht më pëlqyen pa masë.
Suksese dhe mbarësi në të gjitha udhët e jetës,
Me respekt,
Pasdite
Lezhë më, 28.05.2024.