Hygerta Ruçi, juriste dhe konsulente ligjore për të huajt, tha se nga data 1 qershor ka një lehtësim për sa i takon përzgjedhjes së profesionistëve në Gjermani. Ajo tha se ka një lehtësi nga pjesa ligjore, por do të ketë vonesa, ose një procedurë burokratike që do të kërkojnë kohën e saj, për dhënien e përgjigjes.
“Përzgjedhja e deritanishme ishte përmes një shorti, pra nuk kishte të bënte me aftësitë profesionale. Ndërsa nga 1 qershori kemi një ndryshim procedurash, fillimisht kemi një paramiratim që bëhet nga punëdhënësi, gjithashtu një tarifë paguhet nga punëdhënësi, ndërsa punëmarrësi duhet të japë një autorizim dhe kopje të pasaportës. Më pas procedura vijon nga punëmarrësi në ambasadat e Gjermanisë në vendet e ndryshme.
Nuk ka ndonjë kusht për të përfituar, fushat me mungesë punëtorësh janë gastronomia, hoteleri, janë shoferët e klasit B, janë ndihmësit, por duhet të dini që janë profesione ose fusha ku ka shumë orë pune dhe një pagesë jo aq të lartë”, tha Ruçi.
Sipas saj, çdo person ka të drejtën që të aplikojë për “kartën e shanseve”, mjafton që të ketë njohuri të gjuhës, por nuk ka të drejtë që të përfitojë nga ndihmat apo pagesat sociale. ‘Karta e shanseve’ është një lloj “green card” si në SHBA. Fillimisht do punojnë 20 orë në javë, pastaj po të sigurojë një kontratë pune, kjo është një mundësi e mirë”, tha ajo në rubrikën “Çështja e Ditës” në News24.