Agron Duka
Kreu i PAA
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për çështje mjedisore, drejtuesit e lartë të Partisë Agrare Ambientaliste zhvilluan një takim të rëndësishëm në Athinë me z. Petros Kokkalis, Kryetar i Partisë së Gjelbër greke KOSMOS, dhe stafin e tij të fushatës për zgjedhjet europarlamentare të 9 qershorit 2024 KOSMOS, si anëtare e Partive të Gjelbërta Evropiane, përfaqësohet në Parlamentin Europian nga eurodeputeti dhe kryetari i saj, z. Kokkalis.
Takimi ishte një mundësi e shkëlqyer për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e lidhjeve mes dy partive homologe. Diskutimet u përqendruan në trajtimin e temave të rëndësishme ambientale që prekin planetin dhe shoqëritë tona, duke përfshirë mbrojtjen e mjedisit, sigurinë ushqimore dhe praktikat e qëndrueshme në bujqësi.
Pjesëmarrësit vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për adresimin e sfidave globale dhe ranë dakord për intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta në mbrojtje të mjedisit. Ky takim përforcon angazhimin e dy partive për një të ardhme më të gjelbër dhe të qëndrueshme, duke theksuar rolin e politikës në nxitjen e ndryshimeve pozitive për mirëqenien e qytetarëve dhe ekosistemeve.