Kuvendi ka miratuar me 74 vota pro, 6 kundër dhe asnjë abstenim ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion.
Ky komisioni mori vetëm votat e mazhorancës, ndërsa shumica e demokratëve nuk morën pjesë në votim. Ndërsa kundër votuan Ervin Salianji, Lindita Metaliaj, Ilda Dhori, Elda Hoti, Agron Shehaj dhe Albana Vokshi.
Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me debate pasi opozita është shprehur kundër ngritjes së këtij komisioni. Lulzim Basha e ka quajtur atë një manovër elektorale.
Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10 mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.
Edhe pse opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë, parashikohet që Komisioni të ketë 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita. Drejtimin e këtij komisioni do ta ketë shumica parlamentare ndërsa nënkryetari i takon pakicës.
SYNIMET E KOMISIONIT
Komisioni i Posaçem do të ketë si synim përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke patur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”.
EKSPERTET
Për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjensitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj.
Grupi i ekspertëve do të organizohet në 3 nëngrupe që do të angazhohen për 3 fushat e objektit të veprimtarisë së këtij komisioni. Ekspertët do të angazhohen në funksion të temave përkatëse, që lidhen me fushat e tyre të veprimtarisë në procesin e kryerjes së analizës dhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit si dhe propozimin e masave përkatëse legjislative e institucionale.
Numri dhe përbërja e grupit të ekspertëve miratohet me vendim të komisionit.
Komisioni mund të ftojë për konsultime për çështje specifike edhe agjenci dhe ekspertë të tjerë vendas e ndërkombëtarë të mirënjohur në fushat përkatëse.