Nga Razie (Krrashi) Hysa
Të nderuar miq dhe dashamirë,
Qëndroj sot para jush me një zemër që është thyer në mënyra që nuk i imagjinova kurrë të mundshme. Humbja e një fëmije është një dhimbje e papërshkrueshme, një dhimbje që depërton thellë në çdo qelizë të ekzistencës njerëzore dhe ku të lë të ndryshuar përgjithnjë. Është një dhimbje që asnjë prind nuk duhet ta përjetojë, megjithatë fatkeqësisht, është një realitet që shumë prej nesh jemi detyruar të përballim. Biri im, Hergi, vetëm 16 vjeç, u mor prej nesh shumë herët, në një mënyrë tragjike – një kthesë mizore e fatit që më la mua të zvarritem në një botë që papritmas ndihet kaq e zbrazët dhe e privuar nga kuptimi.
14 Prill, ishte një mëngjes i zakonshëm, një që nisi si shumë të tjerë, por brenda çastesh, qetësia e shpirtit tim u venit nga një makth prej të cilit nuk do të zgjohesha më kurrë. Fjalët, “e ka zënë korenti”, ishin gjithçka që munda të kuptoj, pesha mbytëse e të cilave më la të mpirë. Një tel i vendosur gabimisht, një valë energjie, dhe papritur, bota ime u zhyt në terr.
Ditët që pasuan ishin një turbullirë pikëllimi dhe mohimi. Si ndodhi e gjithë kjo? Si mundet që shkëlqimi i një djaloshi plot gjallëri të shuhej sa hap e mbyll sytë? Si nuk munda t’ia mbaja dorën siç bëja teksa hidhte hapat e tij të parë? Nuk ka përgjigje për pyetje të tilla, nuk ka arsye që justifikojnë një humbje të tillë. Më kujtohet ajo bisedë e shkurtër e atij mëngjesi. Nëse do ta dija që do ishte e fundit, do ta shtrëngoja fort dhe do i thoja sa shumë e doja.
Do të ishte shumë e lehtë t’i dorëzohesha errësirës – t’i lejoja vetes të konsumohesha nga një stuhi hidhërimi dhe dëshpërimi e pashembullt. Por Hergi nuk do ta dëshironte këtë për mua, për asnjërin prej nesh. Ai erdhi si një dritare drite në jetën tonë, një djalosh i ri plot premisa dhe mirësi. Gëzimi i tij, buzëqeshja e tij lozonjare, energjia e tij e pashtershme – dëshmi këto e shpirtit të bukur që ai ishte. Ai ishte plot jetë, me një kuriozitet të pamasë për botën. Kishte një nevojë të pashpjegueshme të dinte “pse” dhe “si” të çdo gjëje.
Hergi kishte një zemër të artë. Ai ishte gjithmonë aty për të ndihmuar një mik në nevojë, për t’u dalë në mbrojtje atyre që i vlerësonte si të drejtë, dhe për të dashur të tjerët në mënyrën e tij çapkëne. Mësuesit e tij flisnin gjithmonë për mendjen e tij të zgjuar, ndërkaq miqtë e tij e donin për humorin e tij dhe për besën e tij të pakompromis. Si nëna e tij, kisha privilegjin të shihja të rritet një student i shkëlqyer, një mik i rrallë, një vëlla i vyer dhe një djalë i jashtëzakonshëm.
E kujtoj si fëmijë të vogël që luante orë të tëra me makinat e tij prej lodre, duke aspiruar që një ditë t’i kishte ato. E ngara e makinës ishte pasioni i tij i ri, një simbol i pavarësisë dhe aventurës. Aventurë e cila iu pre më gjysmë. Megjithatë, besoj se tani është duke naviguar rrugët e Parajsës, me të qeshurën e tij që kumbon si një melodi në qiejt pafund.
Hergi kishte ëndrra të mëdha. Herë-herë më tregonte për projektet që kishte iluzionuar dhe që ishte i dedikuar t’i përmbushte. Si duhet të ndihem unë tani që këto ëndrra janë thyer në mes, dhe bota e tij ka ndaluar? Më ngushtohet zemra kur mendoj për të gjitha ato gjëra që nuk do t’i përjetojë kurrë: universitetin, diplomimin, punën e parë, dashuritë e para, ndërtimin i një jete të tijën.
Dhimbja është një shoqëruese e çuditshme. Ajo më kaplon në valë, ndonjëherë të lehta, që përplasen në brigjet e ndërgjegjes sime, dhe herë të tjera të dhunshme, që më lënë pa frymë.
Ishte në përqafimin e miqve dhe familjes, në dashurinë dhe mbështetjen e tyre të palëkundur, ku gjeta shpëtim në mes asaj stuhie të pashpirt.
Për miqtë e tij, dua t’ju them faleminderit. Ju falenderoj që ishit aty për të, që ndatë së bashku gëzime dhe ëndrra. Prania juaj sot këtu është një dëshmi e ndikimit që ai pati te të gjithë ju. Mbajini gjallë kujtimet që keni me të dhe jetoni me mirësinë dhe entuziazmin që ai tregoi.
Për familjen tonë, faleminderit për dashurinë tuaj të sinqertë. Në kohët më të errëta, ishte forca juaj që më ndihmoi të gjejë timen. Së bashku, do të nderojmë kujtimin e Hergi-t, duke mbajtur gjallë shpirtin e djalit të mrekullueshëm që ai ishte.
Dhe për të gjithë ju të mbledhur sot këtu, ju kërkoj që ta kujtoni Hergi-n jo në trishtim, por në kremtimin e jetës që ai jetoi. Le të jetë kujtimi i tij një mirazh për brishtësinë e jetës, dhe për rëndësinë e të jetuarit çdo ditë me dashuri, mirësi dhe dhembshuri.
Për birin tim të dashur, e gjej veten duke pritur për të qeshurën tënde të mbushë shtëpinë, për hapat e tu të dëgjohen teksa zbret shkallëve, për përqafimet e tua plot ngrohtësi, për zërin tënd të ëmbël teksa më thërret “o Ma”. Hergi, dhurata më e çmuar, më mungon në çdo rrahje zemre. Megjithëse mund të mos ecësh më pranë meje, drita jote vazhdon të më udhëzojë në errësirë, duke më kujtuar se dashuria, në të gjitha format e saj, është e përjetshme.
Deri sa të takohemi sërish, i vogli im, le të pushosh në paqe.
Zemërthyer,
Mami
Ju falenderoj nga zemra për ngushëllimet tuaja të sinqerta. Mirënjohja e familjes sonë ndaj jush është e pafund.