BallinaPolitike“Plani i Motivimit”/ Korriku me paga 900 euro për administratën publike. Paralajmërohet...

“Plani i Motivimit”/ Korriku me paga 900 euro për administratën publike. Paralajmërohet rritje e fortë dhe për pensionet

spot_img
spot_img

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e Planit të Motivimit për administratën publike, ku konfirmoi se në muajin korrik paga mesatare do të rritet në 900 euro.

Në qershor hyn në fuqi rritja e re e pagave dhe kështu të gjithë do të kenë një rritje në pagën e tyre dhe do ta arrijmë objektivin që kemi shpallur që paga mesatare në sektorin publik shqiptar të jetë 900 euro dhe patjetër që paga mesatare në sektorin publik shqiptar do të jetë 900 euro, nuk diskutohet!  Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që keni dhe me kryerjen e të gjitha procedurave me departamentin, paga e radhës do jetë paga e rritur dhe është në fakt një rritje shumë e konsiderueshme po të marrim parasysh totalin, domethënë, nga vjet në sivjet janë rreth 400 milion në total që janë vendosur për burimet njerëzore, për kapitalin njerëzor” tha kryeministri në eventin që u mbajt edhe në kuadër të “Javës së Administratës Publike”, ku u zhvilluan një seri eventesh dedikuar shërbimit publik.

Por nuk janë vetëm pagat që qeveria po planifikon të rrisë, por edhe pensionet e ulëta. Kryeministri paralajmëroi mundësinë që qeveria të ndërmarë një hap edhe për rritjen e pensioneve duke lënë të kuptohet se pensioni minimal do të jetë mbi 150 euro.

Ndërkohë që na duhet dhe besoj se këtu jeni dakord që të shikojmë pak më shumë se si të bëjmë edhe pjesën më të vështirë, më sfiduese që është duke filluar nga pensionet më të ulëta, të rrisim mbështetjen për pensionistët sepse kemi një numër të konsiderueshëm pensionistësh që marrin një pension nën 150 euro.

E kam thënë gjithmonë edhe të gjithë na e thonë, edhe të gjithë ekspertët ndërkombëtarë,  edhe FMN-ja, edhe BB-ja, edhe ÇC-ja, të gjithë na e thonë te pensionet bëni kujdes sepse është realisht një peshë shumë e rëndë dhe zonja që mori vlerësimin si kampione në ministrinë e Financave e di shumë mirë se për çfarë po flas.

Ashtu sikundër ajo zonja tjetër me të cilën zonja është e pandarë prej 30 e kusur vitesh, ajo e di, edhe më mirë, – se mirë e dinë të dyja, – po ajo nuk të lë të harrosh as për një moment, qoftë edhe për kënaqësi, të thuash ta mendojmë njëherë, jo, jo.  Megjithatë ne jemi duke menduar shumë seriozisht dhe besoj që do të hedhim një hap edhe në atë drejtim” tha më tej kryeministri.

Fjala e Plote e kryeministrit

* * *

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje dhe urime atyre që morën vlerësimin e vetë kolegëve në institucionet ku kontribuojnë. Besoj është një vlerësim i mirëpritur sepse të vlerësojnë kolegët në vendin e punës anonimisht pa diskutim që është një frymëmarrje e lehtësuar për faktin që shpreh respekt dhe shpreh edhe vlerësim.

Unë nuk dua të zgjatëm shumë, besoj që nëse ka një vlerë të posaçme sot ky takim pas fillimit të procesit që udhëhiqet nga Adea për rienergjizimin e administratës publike dhe modernizimin e administratës publike është fakti që sikundër ju e patë dhe sikundër shpresoj ta shohin edhe kolegët tuaj që nuk janë këtu të pranishëm, nisma ka një element thelbësor në të gjithë mënyrën si është projektuar që është pjesëmarrja e vetë juve në përmirësimin e të gjithë atyre elementëve që përbëjnë jetën e përditshme në punë dhe që sa më shumë të përmirësohen, patjetër aq më shumë secili mund të presë nga vetja dhe të gjithë së bashku mund të presim nga puna jonë.

Në dukje janë gjëra të vogla, janë gjëra që normalisht njeriu thotë, po pse nuk janë bërë përpara, por ja që jo vetëm ka gjithmonë vend dhe arsye për t’u përmirësuar, por nga ana tjetër pikërisht sepse nuk është ndjekur më parë një praktikë e tillë, atëherë shefave që marrin vendimin iu duken të vogla se shefat nuk i numëron njeri tek dera në orën 8, e kanë të vështirë ta kuptojnë sesa e rëndësishme është që ai numërimi i orës 8 të mos kthehet siç është kthyer për fat të keq shumë vite, shumë shpesh në një akt formal të gjoja disiplinës.

Dikur kam bërë debat me një koleg, – unë isha ministër, – që e kishte fiksim që t’i kapte punonjësit tek dera në orën 8 e 1 minutë sepse eksperienca ime ishte ndryshe dhe sepse, jo vetëm në ministri, por edhe më pas në Bashkinë e Tiranës gjëja kryesore sipas meje ishte gjithmonë të ndjerit e punonjësve, të ndjerit e stafit të ministrisë dhe pastaj të bashkisë si pjesë e një pune të përbashkët, si pjesë e një misioni të përbashkët, si pjesë e një arsye të përbashkët pse të gjithë kalojmë çdo ditë në të njëjtën çati dhe jo si pjesë e një rutine me një disiplinë formale që ta heq qejfin e ditës së punës që në momentin kur të numërojnë tek dera dhe të tregojnë orën a thua se në 8 e 1 minutë do nisej apo do niset raketa për në hënë dhe nëse nuk niset në 8 e 1 minutë misioni konsiderohet i dështuar.

Pra fleksibiliteti në orarin e punës është jo vetëm normal fare të konsiderohet, por sot është i mundur dhe për një arsye tjetër se për hir të së vërtetës pavarësisht asaj që thashë, fiksimi te ora 8:00, po ka qenë edhe e pamundur ta mendoje fleksibilitetin në punë për shkak të një numri të madh punonjësish të angazhuar në shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët. Sot ne nuk e kemi më këtë problem sepse masivisht shërbimet jepen online. Ne nuk kemi më sportele përveç atyre pak sporteleve që janë të pamundura të mbyllen sepse kur do marrësh pasaportën dhe duhet të vësh shenjat e gishtërinjve apo kur do martohesh nuk është realizuar akoma një skemë martese online. Do vijë me siguri, do vijë dhe disa pak procese të tjera, por janë 95% e proceseve që sot janë online.

Faktikisht sot nuk ka më adresa fizike që të shkosh të rrish në radhë, të presësh, të vish prapë dhe kjo bën që përmbajtja e punës mbas dyerve të mbyllura tanimë të sporteleve të jetë një përmbajtje që mund të administrohet me fleksibilitet. Dhe duke menduar nënat e reja që kanë fëmijë të vegjël, që duhet t’i shoqërojnë apo që duhet t’i çojnë në shkollë edhe situata të tjera është e pa nevojshme që të jetë kjo ngarkesë ose që kanë nevojë të shkëputen në një moment të caktuar për të shkuar në shtëpi, për tu kujdesur për fëmijën, për tu kujdesur për prindërit, për tu kujdesur për vjehrrat kuptohet, nuk diskutohet.

Nga ana tjetër, kuptohet që kjo do kërkojë një fazë kolaudimi të mënyrës sesi do të programohet sepse gjithsesi ka kohë, fasha të caktuara kur duhen bërë takime të përbashkëta apo kur duhet të ketë një ndërveprim të brendshme, por këto janë gjëra që ne nuk kemi pse i shpikim, nuk është një gjë që po e bëjmë ne të parët, por është diçka që siç tha dhe Adea aplikohet gjithmonë e më shumë në vende të BE sepse mirëqenia shpirtërore, mirëqenia psikologjike e punonjësve sidomos në administratën publike është e dorës së parë.

Tani duke folur këto, unë e kam shumë mirë parasysh sesi shumëkush që dëgjon mendon që unë po flas për seksin e engjëjve dhe me siguri po të ishte këtu do thoshte: ore ju s’jeni në vete, për çfarë flisni sepse shumëkush për fat të keq jeton me idenë e krijuar të një administrate që është një çerdhe njerëzish që gjithë ditën lëvizin lekë nga një xhep tek tjetri, që gjithë ditën punojnë sesi të vjedhin gjithë ditën me poshtërsi, që është një perceptim i ngritur në mënyrë sistematike, vit pas viti, muaj pas muaji, ditë pas dite dhe natyrisht që pastaj ilustrohet me shembuj të caktuar keqbërësish në administratë të cilët kur ekspozohen për shkak të drejtësisë përdoren për të thënë që këtu janë të gjithë njësoj.

Në fakt unë nuk do të guxoja kurrë ta bëjë këtë fjalim me thënë të drejtën, pavarësisht kurajës që nuk më mungon, nëse unë vetë nuk do isha i penguar psikologjikisht që ta vlerësoja administratën tonë publikisht, megjithëse e dija pa diskutim siç e dinë të gjithë që administrata jonë mund të ketë dhe ka me siguri plot të meta dhe plot boshllëqe për të mbushur, por nuk është absolutisht çerdhja ku “janë mbledhur të gjithë djajtë dhe ku ndodhin vetëm gjërat të këqija”, por qysh nga momenti kur unë kam parë dhe kam  përjetuar me një krenari të jashtëzakonshme me thënë të drejtën se si një përfaqësi e kësaj administrate – dhe nuk flasim për tre veta, as për 5, as 10, as për 15, as për 20, as për 30, po flasim për qindra – e ka përfaqësuar Shqipërinë në tryezën e diskutimeve dhe përgatitjeve për negociatat në procesin “Screening”, atëherë përfundimisht nuk e kam fare problem, që çfarëdo të thotë kush nuk e njeh administratën nga brenda ose kush e mendon administratën si “çerdhen e të gjitha të këqijave” për shkak të perceptimit, sepse e vërteta është që ne kemi në administratën tonë një aset të jashtëzakonshëm kombëtar dhe ky  aset i jashtëzakonshëm kombëtar është faktikisht shumatroja juaj dhe e shumë të tjerëve, shumë të tjerëve si ju.

Nuk është aspak, si të thuash,  penguese për mua që ta shoh edhe ta vlerësoj punën tuaj si një kontribut të rëndësishëm kombëtar për shkak të rasteve të korrupsionit, për shkak të rasteve të keqbërjes, të cilat unë besoj se fakti që po ekspozohen dhe fakti që po trajtohen më në fund deri në nivelet më të larta është shumë inkurajues dhe është një arsye tjetër krenarie, nuk është një arsye për të ulur kokën dhe për të menduar të justifikohemi sepse ky nuk ka qenë një mister, as një rrufe në qiell të pastër, nuk është kjo që ndodh.

Ka qenë një fakt botërisht shqetësues, botërisht i njohur që në proceset administrative, në proceset e ndërveprimeve mes shtetit dhe qytetarit, ka një dimension shqetësues të abuzimit dhe korrupsionit, por ndryshimi është e kundërta e asaj që thuhet, është e kundërta. Fakti që sot, publiku ballafaqohet me më shumë raste që i sheh, nuk tregon që korrupsioni është rritur, tregon që korrupsioni po luftohet seriozisht, sepse aty kanë qenë problematikat, aty ka qenë korrupsioni, por flitej nga të katërta anët, dëgjohej nga të katërta anët dhe askush nuk ekspozohej dhe për këtë arsye, tani duke u gjendur përpara këtij ekspozimi të së keqes që është në fakt si të hysh në një sallë operacioni dhe të shohësh të keqen në plagën që është hapur për tu pastruar, vetvetiu krijohet ideja se, ose përpiqet të krijohet ideja se këtu po ndodh.Në fakt këtu po ndodh diçka shumë e rëndësishme dhe po ndodh diçka e rëndësishme dhe në aspektin e nderit të pjesës dërrmuese të punonjësve të administratës sepse është e padrejtë komplet që për shkak të një pjesë të njerëzve që janë në administratë, që janë në çdo sektor të shikohet e gjithë masa e madhe e atyre që punojnë, që kontribuojnë, si e dyshuar, si e njollosur si e infektuar.

E përsëris, fakti që ne Shqipëria, përballëm një proces aq të komplikuar, aq sfidues, aq profesional si ai “screening” të gjithë organizmit të shtetit shqiptar nga Bashkimi Europian, me aq sukses me faktin që ky rezultat u tha në mënyrë të përsëritur nga partnerët tanë në Komisionin Europian është një arsye shumë e fortë për tu ndjerë shumë të motivuar dhe për të pasur bindjen që ne do t’ia dalim këtij misionit, të pasjes më në fund të një administrate publike që është në lartësinë e nevojave dhe lartësinë e ambicieve të kësaj republike. Do t’ia dalim sepse kemi brumin dhe do ia dalim sepse këtu ka një ndërthurje shumë të ekuilibruar të eksperiencës me energjitë e reja.

Përmendi Adea që në gjithë këto vite ne nuk e kemi prekur asnjëherë ose nuk kemi tentuar të prekim Ligjin e Shërbimit Civil. Ka qenë një iniciativë shumë e vështirë, ka qenë një vendimmarrje me shumë probleme dhe më shumë risk që të ngrije në atë pozicion ku ishte një administratë të tërë e cila, ju e dini më mirë se unë, sepse ju e keni jetuar, ata që janë më me eksperiencë, e cila ishte një amalgamë mes punonjësve që ishin aty prej kohësh dhe shumë të tjerëve të futur pa meritë, por ishte një moment zero, për të thënë deri këtu, më tutje nuk shkohet me përmbysjet e vazhdueshme të administratës. Për ti dhënë një qetësi dhe siguri punonjësve të administratës që nuk janë të kërcënuar në vendin e tyre të punës për shkak të ndryshimit të pushtetit, të ndryshimit të kahjes politike të pushtetit, për t’i dhënë një perspektivë njerëzve në administrate për të kuptuar që duke patur stabilitet në punë ata mund të synojnë të rriten në karrierë dhe kështu me radhë dhe sot faktikisht ndërhyrjet që do të bëhen në ligj janë të një natyre krejt tjetër dhe synojnë krejt të kundërtën, jo krijimin e hapësirave për të ndërhyrë dhe për të hequr dhe për të hapur vende që t’i zënë të tjerët, por krijimin e më shumë hapësirave për vetë trupën që të jetë ende më e motivuar, që të jetë ende më e respektuar, që të jetën ende më e vlerësuar dhe thënë këto unë besoj se është shumë pozitive kjo që ka nisur dhe unë i jam shumë mirënjohës Adeas për pasionin edhe vendosmërinë dhe mbi të gjitha për aftësinë për të krijuar skuadër, aftësinë për të motivuar, jo vetëm me fjalë por edhe me mënyrën se si e drejton këtë proces, koleget, kolegët, punonjësit dhe mendoj që ky proces i dialogut të nisur me këto pyetësorët duhet të thellohet më tutje dhe në kushtet e anonimitetit, punonjësve të administratës duhet t’u jepet mundësia të shprehen në mënyrë periodike për çështje të ndryshme të interesit të përbashkët. Është shumë e rëndësishme. Më kujtohet shumë vite më parë dhe unë s’kisha asnjë lidhje me shtetin dhe se kisha menduar të kisha ndonjëherë lidhje në sensin që të futesha nëpër zyra  dhe të kisha punë nëpër zyra, në Francë me një mikun tim që ishte drejtori i një muzeu të famshëm dhe kishte problem me ministrinë, edhe unë i thashë; ‘’po mirë, ti pse nuk del në shtyp’’? Ai u habit sikur i thashë, pse nuk, ku  di unë!

-‘’Unë të dal në shtyp? Unë nuk mund të dal në shtyp”- tha, “sepse unë jam punonjës i shërbimit civil të Republikës së Francës dhe punonjësit e Shërbimit Civil të Republikës së Francës, përpara se të hyjnë në Shërbimin Civil bëjnë një betim për republikën. Dhe unë nuk kam asnjë mundësi që të dal e të flas e të shpreh çfarë mendoj unë për hierarkinë por çdo problem duhet ta trajtoj në hierarki ,madje edhe që t’i shkruaj drejtpërdrejt presidentit që i emëronte faktikisht drejtorët e muzeve, unë e kam të pamundur sepse niveli mbi mua është ministri’’.

Është një histori e jashtëzakonshme historia e Shërbimit Civil francez edhe mënyra se si Franca ka ndërtuar një ushtri të tërë besnikësh të Republikës dhe nuk ka asnjë lidhje ajo ushtri me ça ndodh në politikën dhe kjo është historia e vendeve të BE. Belgjika qëndroi më duket 1 vit e gjysmë pa qeveri fare, s’bënin dot qeveri dhe shteti funksiononte normalisht sepse i gjithë korpusi i administratës vazhdonte punën dhe për të qenë një vend anëtar i BE, ne duhet te synojmë që këtë korpus të Republikës ta konsolidojmë sa më shumë dhe njëkohësisht jetën në administratën publike ta bëjmë sa më përmbushëse profesionalisht, moralisht duke garantuar edhe karrierën, ngjitjen e shkallëve në karrierë brenda për brenda administratës. Duke garantuar që matja e performancës të jetë reale, jo fiktive; duke garantuar që zëri i punonjësve të administratës në atë pjesë të punës që ata kryejnë të ketë të gjithë respektin dhe të ketë gjithë dinjitetin e vet. Është proces, nuk diskutohet që nëse ju do flisnit me njëra-tjetrën, njëri-tjetrin pas këtij takimi , do komentonit fjalët e mia duke thënë ‘’po ai nuk e di, se është dhe kjo kështu’’ , patjetër që janë të gjitha, nuk diskutohet, por ama e përgjithshmja krahasuar me rrugën që është bërë është shumë inkurajuese dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.

Është gjëja më e rëndësishme sepse të ndërtosh një administratë publike që i përgjigjet kritereve dhe standardeve të shërbimit publik europian, nuk është një çështje e thjeshtë, nuk është një çështje e pak viteve, është një çështje historie, një histori e tërë dhe administratat që ne i shikojmë me admirim, unë fola për Shërbimin Civil francez, janë histori shekujsh. Fatmirësisht ne jetojmë në një kohë që nuk kemi nevojë për shekuj, nuk kemi nevojë as për dhjetëra vjeçarë sepse teknologjia na jep mundësinë që të bëjmë kapërcime epokale në një kohë shumë të shkurtër dhe prandaj edhe ajo që përmendi Adea, që është një tjetër risi, e përdorimit të inteligjencës artificiale në vlerësimin e punonjësve të administratës publike apo në konkurset e administratës publike, është një shembull që si në kohën e sotme mund të projektohesh në histori pa qenë nevoja që të kalojnë breza dhe se si historia shkruhet sot për nesër, duke pasur në dispozicion mjete të jashtëzakonshme që deri dje, as nuk imagjinoheshin.

Në mbyllje dua t’i rikthehem, mbase dikush e ka dëgjuar por është rasti, dua t’i rikthehem një përpjekjeje modeste që pata bërë në Bashkinë e Tiranës. Unë besoj që Bashkia e Tiranës në atë kohë ka qenë një pasqyrë e sesi duhet të ndihen njerëzit kur hyjnë në një institucion. Unë e besoj këtë dhe nuk është e rastit që shumë nga ata njerëz, qoftë në karrierën publike, qoftë në sektorin privat, qoftë këtu, qoftë jashtë kanë pasur, kanë bërë hapa sepse atmosfera ishte e tillë që krijonte kushtet që secili të ndihej i motivuar dhe secili të ishte pjesëmarrës i një skuadre. Njerëzit që drejtonin, njerëzit që kishin qoftë edhe një sektor të vogël e dinin se për çafra hynin në mëngjes edhe nga ku dilnin në darkë.

Pata bërë një përpjekje për të tërhequr studentët më të mirë të disa fakulteteve që lidheshin me punët që kishte Bashkia e Tiranës; ekonomiku, juridiku, inxhinieria dhe arkitektura dhe patëm marrë nga 10 nga çdo fakultet për intervista. Ishin në vitin e fundit dhe për t’i thënë ‘’ça doni ju që të vini të punoni në Bashkinë e Tiranës’’. Dhe gjëja më interesante ishte, dhe në atë kohë kuptohet që pagat ishin shumë më të ulëta se sot dhe ajo ambicia për pagën nuk ishte kaq e madhe se sot, dhe iphone-t nuk kishin dalë atëherë dhe këto turbulencat që krijon gjithë ai informacion aty që vjen me lloj-lloj bukurish të rralla që duket sikur janë komshinjtë e tu dhe thua, “po mirë, ta ketë ky e mos ta kem unë’’, “po si i bëhet”, nuk ekzistonin dhe 93%  atyre, por pa lidhje me njëri-tjetrin se 10 ishin në një fakultet, nuk thoshin “paga’’ . 93% e tyre thoshin “nuk kemi garanci që ne mund të bëjmë karrierë brenda për brenda institucioneve të shtetit falë meritës sepse nëse ne hyjmë në shtet, ne mund të jemi shumë të mirë, na parakalon dikush se ka motorrin më të shpejtë, se motorrin e ka lart”.

E dyta, prapë rreth 80% ishte mjediset e punës, ku do punoj, në çfarë dhome, çfarë korridoresh? Po atë unë e kisha merak vetë kështu që në atë pikë nuk kishte problem, kjo për bashkinë dhe për këtë arsye unë jam gjithmonë i bindur qe mjedisi ku njeriu punon, ku njeriu jeton, ku njeriu bashkëvepron është vendimtar në mënyrën se si i mendon, në mënyrën se si ai prodhon energji dhe në kapacitetin e brendshëm që ai ka për të ndarë energji me të tjerët. As nuk diskutohet!

Një mjedis që të jep kënaqësi, të bën të prodhosh komplet gjë tjetër nga një mjedis që të axhiton edhe të streson që kur hyn. Kjo është shumë e qartë dhe për këtë arsye, ne kemi filluar tani një proces, sepse kemi një pjesë të madhe të administratës nëpër zyra me qera, disa këtej, disa andej për shkak të mungesave të hapësirave dhe kemi vënë një proces për jetëzimin e infrastrukturës që kemi në dispozicion edhe të pronave që kemi në dispozicion, për të garantuar që në një periudhë 5 vjeçare, pjesën më të madhe të këtij problemi ta zgjidhim dhe që të gjithë ata që sot punojnë nëpër zyra të marra me qera, punojnë nëpër situata që nuk janë motivuese, të kenë mundësinë që të hyjnë në zyra dhe të punojnë në mjedise që janë mjedise që e shprehin vetë fizikisht vlerësimin  për punën që bëhet aty.

Patjetër që paga është shumë e rëndësishme, nuk e thashë se mos krijojmë keqkuptime.

Për këtë arsye, në qershor hyn në fuqi rritja e re e pagave dhe kështu të gjithë do të kenë një rritje në pagën e tyre dhe do ta arrijmë objektivin që kemi shpallur që paga mesatare në sektorin publik shqiptar të jetë 900 euro dhe patjetër që paga mesatare në sektorin publik shqiptar do të jetë 900 euro, nuk diskutohet!

Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që keni dhe me kryerjen e të gjitha procedurave me departamentin, paga e radhës do jetë paga e rritur dhe është në fakt një rritje shumë e konsiderueshme po të marrim parasysh totalin, domethënë, nga vjet në sivjet janë rreth 400 milion në total që janë vendosur për burimet njerëzore, për kapitalin njerëzor.

Patjetër që duhet më shumë, as nuk diskutohet, por edhe më shumë do të jenë sepse nuk është një rritje që ne shikojmë si fundin e procesit dhe pastaj shihemi 10 vjeçarin tjetër, po është një rritje domethënëse për një periudhë të caktuar kohe, ndërkohë që na duhet dhe besoj se këtu jeni dakord që të shikojmë pak më shumë se si të bëjmë edhe pjesën më të vështirë, më sfiduese që është duke filluar nga pensionet më të ulëta, të rrisim mbështetjen për pensionistët sepse kemi një numër të konsiderueshëm pensionistësh që marrin një pension nën 150 euro.

E kam thënë gjithmonë edhe të gjithë na e thonë, edhe të gjithë ekspertët ndërkombëtarë,  edhe FMN-ja, edhe BB-ja, edhe ÇC-ja, të gjithë na e thonë te pensionet bëni kujdes sepse është realisht një peshë shumë e rëndë dhe zonja që mori vlerësimin si kampione në ministrinë e Financave e di shumë mirë se për çfarë po flas. Ashtu sikundër ajo zonja tjetër me të cilën zonja është e pandarë prej 30 e kusur vitesh, ajo e di, edhe më mirë, – se mirë e dinë të dyja, – po ajo nuk të lë të harrosh as për një moment, qoftë edhe për kënaqësi, të thuash ta mendojmë njëherë, jo, jo.

Megjithatë ne jemi duke menduar shumë seriozisht dhe besoj që do të hedhim një hap edhe në atë drejtim.

Ju jam shumë falenderues për gjithçka bëni, sinqerisht.

Ju jam shumë falenderues që jeni këtu njëherë, si fillim edhe për durimin që më dëgjuat. Kishit shumë kohë pa më dëgjuar në fakt, edhe për faktin që megjithëse fola shumë shkurt, ju nuk doni që unë të flas më gjatë, kështu që po e ndërpres këtu dhe paçi çdo të mirë në ditët e ardhshme, se pastaj në javët e ardhshme me siguri do takohemi përsëri se Adea ka një plan shumë ambicioz edhe për të rritur intensitetin e takimeve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular