BallinaEkonomiTregu i shërbimeve postare ra me 10% në 2023

Tregu i shërbimeve postare ra me 10% në 2023

spot_img
spot_img

Tregu i shërbimeve postare pësoi rënie për të tretin vit radhazi në 2023.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ofruesit e shërbimeve postare kanë raportuar të ardhura të përgjithshme në vlerën e rreth 2.36 miliardë lekëve, çka përbën një ulje me rreth 10% në raport me vitin 2022.

Sipas AKEP, rënie të të ardhurave ka shënuar Posta Shqiptare, i cili është sipërmarrësi me pjesën më të madhe të tregut në fushën e ofrimit të shërbimeve postare. Gjithashtu, sipas AKEP, ndikim në rënien e të ardhurave të raportuara ka pasur edhe ulja e numrit të ofruesve të shërbimeve postare, numër i cili është reduktuar në 24 nga 36 që ishte në vitin 2022.

Përgjatë vitit 2023, sipërmarrësit e ofrimeve postare kanë investuar rreth 280 milionë lekë në përmirësimin e infrastrukturës së ofrimit të shërbimeve postare, kjo vlerë investimesh është dukshëm më e ulët rreth 30% krahasuar me vitin 2022. Më shumë se gjysma e investimeve të raportuara janë kryer nga sipërmarrësi United Transport me rreth 56% të totalit.

Në analizën e AKEP, sektori postar ka pësuar ndryshime të herëpashershme, duke u përpjekur të përshtatet edhe me kërkesat e tregut. Sidomos pas periudhës së pandemisë u vu re një shtim i subjekteve të cilët u pajisën me autorizimin e përgjithshëm për ofrimin e shërbimeve postare. Nga viti 2020 deri në vitin 2022 vihet re një dyfishim i numrit të subjekteve ofrues të shërbimeve postare, duke e çuar numrin e tyre nga 18 në vitin 2020, në 36 në vitin 2022.

Ndërkohë, gjatë vitit 2023 numri i subjekteve pësoi një rënie të ndjeshme në 24, çka, sipas AKEP, tregon formalizimin e këtij sektori.

Tregu postar në numër dërgesash vazhdon të dominohet nga shërbimi postar universal dhe subjekti ofrues i këtij shërbimi, Posta Shqiptare. Shërbimi universal postar përkufizohet nga AKEP si ai shërbim që përfshin ofrimin e vazhdueshëm të shërbimit postar me një cilësi të përcaktuar dhe me çmime të përballueshme, duke përfshirë pranimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e objekteve postare që peshojnë deri në 2 kg; pranimin, përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e pakove postare që peshojnë deri në 10 kg dhe shërbimet për objektet postare të regjistruara dhe objektet postare të siguruar.

Numri total i objekteve postare të shërbimit universal në vitin 2023 ishte 18.4 milionë, në rënie të ndjeshme me 16% në krahasim me vitin 2022. Objektet postare pjesë e shërbimit universal në vitin 2023 përbënin 95% të totalit të objekteve postare të Postës Shqiptare dhe 80% të totalit të gjithë objekteve postare në Shqipëri.

Rënia e ndjeshme e numrit të objekteve postare të Postës Shqiptare ka ardhur kryesisht për shkak të rënies me 17% të numrit të objekteve postare brenda vendit, të cilat përbëjnë 96% të totalit. Objektet postare ndërkombëtare rezultuan me rritje me 2% në vitin 2023, ku objektet postare ndërkombëtare hyrëse u rritën me 4%, ndërsa numri i objekteve postare ndërkombëtare dalëse u reduktua me 6%.

Për sa i takon volumit të dërgesave postare në total përgjatë vitit 2023, (duke përjashtuar Postën Shqiptare, si ofrues i Shërbimit Universal Postar dhe si dominant në treg sa i takon volumit të dërgesave dhe shpërndarjeve postare), tregu kryesohet nga Albanian Delivery Express, me rreth 35% të dërgesave totale e ndjekur nga “United Transport”, me 13% të totalit./E.Shehu

Burimi: AKEP
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular