Një kandidat në zgjedhjet komunale në shtetin Guerrero (në jug) të Meksikës u vra nga një person i armatosur të mërkurën, ditën e fundit të fushatës zgjedhore.
Kandidati për kryetar bashkie në fshatin Cojuca de Benitez, Alfredo Cabrera, ishte në mesin e mbështetësve kur një person i armatosur e qëlloi pas koke.
Ai është kandidati i 24- të i vrarë që nga fillimi i fushatës përpara zgjedhjeve presidenciale, parlamentare dhe rajonale të së dielës, sipas shifrave zyrtare.
Kartelet e drogës dhe bandat e tjera po kërkojnë të “imponojnë kandidatë” në zgjedhjet e ardhshme, tha së fundmi Victor Serrato, një prokuror i specializuar në çështjet penale të lidhura me proceset zgjedhore në shtetin e Michoacán.
Qeveria e presidentit në largim Andrés Manuel López Obrador ka njoftuar se do të vendosë gjithsej 27.000 ushtarë dhe anëtarë të Gardës Kombëtare për të garantuar sigurinë e qendrave të votimit të dielën.