Trofeu që të gjithë klubet dhe mbi të gjithë futbollistët ëndërrojnë ka një histori që nis nga sezoni 1966-1967, kur kupa në fjalë mori edhe formën e saj më të re, më gjigante, më madhështore. Për të modernizuar pamjen e tij u ngarkua argjendari zviceran, Jërg Shtadelman, ndonëse edhe versionin e vjetër të trofeut të ish-Kupës së Kampioneve, i fundit që e dërgoi në shtëpi ishte sërish Reali i Madridit, në sezonin 1965-1966.
Madje, versioni i vjetër ishte një origjinal, që prodhohej çdo vit. Ndërkohë që trofeu aktual, ai me veshët e mëdhenj dhe origjinali i tij, nga sezoni 2007-2008 e në vazhdim i dhurohet vetëm skuadrës që e fiton 3 herë rresht Ligën e Kampioneve, ose 5 herë në total. Kjo do të thotë se ata që ngrenë në qiell skuadrat e tjera është një kopje e tij, ndonëse vlera e tij është prestigji më shumë sesa kushton vetë trofeu. Për të rimodeluar formën, Jërg Shtadelmanit iu deshën 340 orë punë dhe ai zgjodhi që nga jashtë trofeu të ishte prej hekuri të lëmuar dhe të shkëlqyeshëm, ndërsa që nga brenda ai është i larë me flori 24 karatësh. “Kupa me veshët e mëdhenj” është po aq e rëndë sa çfarë duket, duke qenë se peshon 8 kilogramë, është e gjatë 75 centimetra dhe ka një vlerë prej 9300 eurosh.
Me këto dimensione, ajo mund të mbajë brenda saj 15 litra shampanjë, siç është bërë traditë tashmë që futbollistët fitues e përdorin shpesh në vend të gotës, si kujtim për madhështinë e këtij suksesi. Tani mbetet vetëm që të presim dhe të mësojmë sot në mbrëmje, se kush do ta ketë nderin që ta ngrejë sërish kupën më të lakmuar në arenën e futbollit për klube… PANORAMASPORT.AL