Fituesja e “Big Brothet VIP 3”, Egla Ceno, duket se është përballur jashtë me një sërë personazhesh që nuk kanë qenë dakord për fitoren e saj. Që kur loja vijonte në “Big Brother”, të shumtë ishin VIPat që nuk ia simpatizonin lojën. Ndër ta ishte edhe Donald Veshaj, i cili javë më parë u shpreh se Egla nuk mund të fitonte “Big Brother”, pasi kishte vetëm 70 K në rrjetet e saj sociale.
Një përgjigje për këtë e ka pasur edhe vetë aktorja. Përmes një postimi në “Instagram” duket se ka thumbuar Donald Veshajn, lidhur me një deklaratë të tij pak kohë para finales. Egla, e cila mesa duket ka parë të gjitha deklaratat kundra, shkruan në postimin e saj “Unë nuk kam K-ra, nuk kam ndjekës, nuk kam fansa, as followers! Numrat e mi në ‘Instagram’ janë familja ime team Egla”, – duke thumbuar kështu Donaldin. Kujtojmë se i ftuar në “Big Brother Fun Club”, Donaldi gjatë një debati me Ronaldo Sharkën u shpreh për Eglën se “fenomen me 70K në ‘Instagram’ nuk ka ‘bro’.
Bëhet fenomen një person që vetëm ofendon”? E ftuar në “Big Brother Radio”, edhe Monika Lubonja komentoi situatat dhe banorët e “BBV3”! E pyetur për Eglën, ajo tha se nuk ka dëshirë ta komentojë, për shkak të sjelljeve të saj brenda, sidomos ndaj vajzave. “Nuk kam dëshirë të flas për Eglën. Unë e vuaj shumë momentin që gratë më sulmojnë dhe nuk do ta përkrah kurrë një grua sulmuese ndaj një tjetre. E shoh në treshe, kam frikë mos është edhe në dyshen finale…”, – u shpreh Monika. Fituesi i sezonit të parë të “Big Brother VIP”, Ilir Shaqiri, ka treguar se nuk i ka pëlqyer aspak loja që ka bërë Egla
Ceno në shtëpinë e “BBV”, e cila arriti të fitonte çmimin e madh prej 100 mijë eurosh. Gjatë një interviste për “Top Albania Radio”, balerini tha se do të ishte masakruar me aktoren, nëse do të kishte qenë në një shtëpi me të. Sipas Ilirit, nuk është e drejtë që të kalosh limitet duke luftuar për një çmim.
“Nëse Egla do të kishte qenë në ‘Big’ kur kam qenë unë, do të isha masakruar, sepse mendoj nuk është e drejtë që të shkosh të luftosh për një çmim deri në palcë. Unë atij që më prek në palcë, i dal përtej palcës”, – tha Iliri.
Kujtojmë që Egla Ceno u përjashtua nga shtëpia e “BBV” pas një debati me Meriton Mjekiqin, ku aktorja i hodhi në kokë verën, ndërsa u rikthye sërish pjesë e garës pas një jave qëndrimi në “dhomën e bardhë” me Meritonin dhe Ilnisa Agollin, ku kjo e fundit u eliminua nga gara. Të shumta kanë qenë debatet e aktores edhe me ish-banorët e tjerë, ku Egla ua ka përmendur familjen, duke degraduar në përleshje fizike dhe i tillë ishte ai me Rike Roçin.
Një tjetër ish-banore që ka qenë kundër emrit të Eglës është edhe Julia Ilirjani dhe aktorja e ka shprehur hapur antipatinë për kolegen e saj. “Nëse ajo ka dalë me zarf të zi, nuk është më lojtare”, – shprehet Julia.
Po për faktin se ajo doli si e preferuara e publikut gjatë një televotimi të hapur? “Po e votuan, por nuk do të thotë se është e preferuar. Duan të shohin rrëmuja. Se nuk po e zgjedhin për fituese. Po e zgjedhin për të parë çudira”, – tha ish-banorja.
E pyetur nga Eni Shehu se mbase çmimi i madh mund të shkojë për një çudi si Egla, ajo u shpreh: “Epo mirë pra. Në qoftë se po këmbëngulni kaq shumë dhe po pyesni për njeriun me zarf të zi, po ju them që në qoftë se Egla fiton edicionin e ‘Big Brother VIP 3’, atëherë populli shqiptar me fatkeqësi dhe me dhimbje meritoka të gjitha vuajtjet që ka se i dashka”, – tha Julia Ilirjani.
Megjithatë, Egla ia doli që të triumfojë në këtë lojë dhe duket e pashqetësuar nga të gjithë kolegët dhe VIP-at që janë kundra saj.