Raporti i fundit i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri për besimin në qeverisje i zhvilluar gjatë fundit të vitit 2023 me rreth 2500 të anketuar, tregon një pasqyrë të perceptimit publik në institucionet shtetërore, transparencën, llogaridhënien e përfshirjen qytetare.
Të dhënat tregojnë se institucionet më pak të besuara janë partitë politike dhe parlamenti, si dhe gjykatat dhe prokuroritë. Por sistemi i reformuar i drejtësisë duket se ka fituar besimin e shqiptarëve, të cilët mendojnë se kontribuon në zhvillimin pozitiv të vendit. Kryesisht SPAK-ut, ka shënuar një rritje me 10% bazuar edhe nga të dhënat e vitit 2022.
“Po japin rezultat ato që thonë ndërkombëtarët, se pa pjesëmarrjen e tyre, asgjë. Puna e SPAK-ut për shembull mendoj se të stimuluar nga ata po avancon, se ndryshe, po i kërcënojnë. Të lihej në dorën e shqiptarëve asgjë s’do bëhej”, tha qytetarja.
Sondazhi zbulon se korrupsioni vijon të mbetet një fenomen shqetësues kombëtar, dhe mbi 60% e qytetarëve mendojnë se Spaku është institucioni më efektiv për trajtimin e korrupsionit.
Ndërsa besim të shtuar shqiptarët në strukturat vendase kanë te institucionet fetare si dhe organizatat e shoqërisë civile. Por rezultatet nxjerrin në pah se grupmosha 18 deri 25 vjeç ka një nivel relativisht më të ulët besimi tek të gjitha institucionet.
Sondazhi i vitit 2023 arrin në përfundimin se shqiptarët kanë më shumë besim te organizatat ndërkombëtare si OKB, BE në krahasim me institucionet vendase.
“Institucionet ndërkombëtare janë më të besueshme për arsyen se realizojnë norma të larta gjykimi, si dhe janë më të shpejta në vendimmarrje, më të shpejta”, tha qytetari.
Kënaqësia e ofrimit të shërbimeve publike mbetet e përzier, duke i ndarë në dy kahe opinionet e të anketuarve. Por vihet re një shkallë e lartë ndërgjegjësimi për njohjen e përdorimin në mënyrë të pavarur shërbimet elektronike nga e-albania.
Institucionet vendase më pak të besuara për 2023
Partitë politike 25.5%
Parlamenti 29.1%
Gjykatat 33.4%
Prokuroria 33.7%
Institucionet më të besuara në Shqipëri për 2023
BE 74.7%
OKB 74.3%
Institucionet fetare 67%
SPAK 60.3%
Shoqëria civile 55.7%