BallinaKultureNoli Film Festival" nisi rrugëtimin e tij në Boston

Noli Film Festival” nisi rrugëtimin e tij në Boston

spot_img
spot_img

Flamur VEZAJ

Në kopshtin e gjelbëruar të Katedrales së Shën Gjergjit në Boston, në prani të dhjetëra artdashësve shqiptarë dhe amerikanë, solistët e shoqatës “Labëria” e nisën me iso-polifoni ceremoninë e hapjes së “Noli Film Festival.”

Pas isove labe, prezantuesja e ardhur nga Shqipëria ftoi ideatorin e festivalit, Erand Sojli nga “SojliArt Production.” Sojli falënderoi Katedralen e Shën Gjergjit, “Albanian Fighting Cancer,” Librarinë e Nolit dhe qendrën kulturore pranë saj, drejtorin artistik të festivalit, regjisorin Bujar Alimani, si dhe producentin ekzekutiv Nikolin Gace, koordinatoren Elisabeta Gaçe dhe të gjithë vullnetarët që bënë të mundur organizimin e këtij eventi. Ai u shpreh i emocionuar për këtë ngjarje, duke theksuar se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë të “Noli Film Festival,” dhe falënderoi të gjithë producentët dhe regjisorët për filmat dhe dokumentarët e sjellë për të konkurruar në këtë festival.

Në natën e hapjes së festivalit ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Washington, z. Ervin Bushati. Në fjalën e tij, ambasadori Bushati tha se “shqiptarët kanë tre heronj dhe figura të rëndësishme të historisë së tyre: Skënderbeun, Nënë Terezën dhe Fan S. Nolin. Fan Noli,” shtoi ai, “ishte njeriu i gjithë botës shqiptare. Në Boston, shqiptarët vijnë për shkak të kishës së themeluar nga Noli dhe tani e tutje do të vijnë edhe për artin që përcjell ‘Noli Film Festival.’ Shpirti i Nolit është këtu në Boston dhe ne duhet të përmbushim dimensionet që na ka lënë ai bashkë me shpirtin e tij artistik, e që ju do të vazhdoni edhe me art të ngrini shqiponjën sa më lart.”

Nga ana tjetër, Elisabetta dhe Nikolin Gaçe, koordinatorët e këtij eventi, shprehën mirënjohje për të gjithë ata persona që u angazhuan edhe si vullnetarë për të mundësuar këtë event. Në emër të qendrës kulturore pranë Librarisë së Nolit, foli ish-gjyqtari i parë shqiptaro-amerikan në Massachusetts, Robert Tochka, i cili ndër të tjera tha se aktivitete të tilla kulturore nuk do të mungojnë edhe në vazhdim, duke dhënë një lajm të mirë se me ndihmën e avokatit shqiptar Pavli Përmeti është aplikuar që “Libraria e Nolit dhe qendra kulturore” pranë saj të regjistrohet në shtetin e Massachusetts-it si një organizatë jo fitimprurëse.

Të pranishmit i përshëndeti edhe peshkopi i Kishës së Nolit, hirësia e tij Nikodhim Preston, i cili theksoi se “Noli themeloi dhe ngriti kishën për të gjithë shqiptarët, e cila hapi dyert këtu në Massachusetts.” Edhe drejtuesja e bibliotekës së Nolit, znj. Neka Doko, shprehu mesazhe pozitive për të pranishmit, duke pranuar në fund të fjalës së saj një libër dhuratë për bibliotekën, të shkruar nga profesoresha Jonila Spaho për Kristo Floqin.

Para të pranishmëve foli edhe përfaqësuesja e shoqatës “Albanians Fighting Cancer,” Roberta Noshi, e cila shprehu kënaqësinë e saj për këtë nismë të suksesshme, duke theksuar se të ardhurat e këtij festivali do të shkojnë për këtë shoqatë në ndihmë të shqiptarëve që vuajnë nga kjo sëmundje e tmerrshme. Nuk munguan mesazhet e urimit edhe nga zyrtarë amerikanë, mes të cilëve ishte edhe prokurori i qarkut Suffolk të Bostonit, Kevin Hayden, i cili nuk kurseu fjalët e bukura për këtë event dhe për shqiptarët në Boston. Gjithashtu, këshilltari bashkiak për zonën e Bostonit jugor, z. Edward Flynn, lexoi proklamatën e Bostonit për “Noli Film Festival.”

Në hapjen solemne të këtij eventi nuk munguan edhe aktorë të ardhur nga Shqipëria, si Mariana Kondi, këngëtarja Mariza Ikonomi, nga Michigan Arben Dervishi, e shumë të tjerë që përshëndetën nisjen e këtij festivali. Ndërkohë, drejtori artistik i festivalit, regjisori Bujar Alimani, prezantoi jurinë e këtij festivali duke filluar nga kryetari i jurisë: Astrit Cerma, anëtarët Mariza Ikonomi, Nensi Bregu Karanxha, Jul Neshati, Valentin Veizi, Andis Gjoni, Arben Dervishi, Bashkim Braho dhe Dhimitraq Demiraj.

Pas prezantimit të jurisë, organizatorët ftuan të pranishmit për në auditorin “Anthony Athanas” që ndodhet në katin e dytë të katedrales për të parë hapjen e këtij festivali me dokumentarin “Fan Noli – Apostuli,” të shkruar dhe montuar nga gazetari Ilir Ikonomi. Festivalin e hapi filmi “THE SPARK” i regjisorit Erand Sojli, i realizuar në Boston nga Sojli & Px Production dhe Aldo Toda. Ky film ishte filmi pritës dhe u prit shumë mirë nga audienca shqiptaro-amerikane. Në këtë festival do të shfaqen disa dokumentarë, filma me metrazh të shkurtër, filma artistikë, komedi dhe filma të animuar.

Në këtë event ishin edhe kryesia e VATRES në Boston të cilët ndihmuan për këtë event me angazhimin e përkushtuar nga anëtarja e kryesisë Lindita Meçe!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular