Nga Agron Duka Kreu i PAA
Nuk zgjidhet kjo punë me gjoba, duhet të bëhet menaxhimi i mbetjeve!
Në një propozim të dorëzuar së fundmi në Parlament për amendimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, parashikohet që masa e gjobave për subjektet private të rritet me 30 përqind. Në Raportin e Vlerësimit të Ndikimit që shoqëron projekt-ligjin e qeverisë thuhet se “Problemi kryesor lidhet me ndotjen që i shkaktohet mjedisit nga keqmenaxhimi i mbetjeve, nëpërmjet veprimeve të hedhjes, groposjes, djegjes, braktisjes, depozitimit dhe asgjësimit nga persona fizikë dhe juridikë”.
Ne si PAA jemi në mbështetje të plotë të çdo niëse që forcon masat kundër gjithkujt që ndot mjedisin, qoftë ky individ apo subjekt.
Por ndotja e mjedisit nga mbetjet urbane, prodhohet më së shumti në zona ku nuk ka infrastrukturë për mbledhjen e mbetjeve. Jashtë zonave urbane/qyteteve, mund të gjesh një fshat të tërë me vetëm një kosh mbetjesh, ose fshatra të tërë pa kosha fare. Pjesa më e madhe e zonave rurale nuk kanë fare infrastrukturë për mbledhjen e mbetjeve. Dhe banorët i hedhin nëpër përrenj, kanale e lumenj, e nga aty përfundojnë në det apo mbushin shtretërit e lumenjve.
Qeveria, me propagandën e saj të përditshme tregon se si pastrohen plazhet, por nuk tregon se ku i dërgojnë mbeturinat pasi i pastrojnë plazhet? I hedhin nëpër parqe, në rastin më të mirë, ose i djegin, shkarpa e plastika bashkë.
Qeveria, në mënyrë skandaloze, sot lejon që në ato landfille(atje ku ka), të depozitohen edhe mbetjet spitalore, ndërsa nuk bëhet fjalë fare për riciklim të mbetjeve urbane.
Vini gjoba sa të doni, edhe me vdekje dënojini ata që hedhin mbetjet në kanal. Nëse nuk vendosni të bëni menaxhimin e integruar siç parashikon ligji, ky problem nuk do të zgjhidhet kurrë.
Kjo vërehet edhe në progres – raportin e BE-së për mjedisin: Sipas Brukselit zyrtar, shkaqet kryesore të keqmenaxhimit të situatës me mbeturinat janë shtrirja e pjesshme e shërbimit për trajtimin e mbetjeve, grumbullimi dhe largimi i pamjaftueshëm i tyre, sasia e kufizuar e mbeturinave që depozitohen në landfille, numri i kufizuar i mjeteve dhe cilësia e tyre e dobët, kontenierë të pamjaftueshëm, mungesë rakordimi mes strukturave qendrore e lokale dhe mungesa e infrastrukturës për menaxhimin e mbetjeve.