Urgjenca e sëmundjeve të brendshme në QSUT do të hapet javën e ardhshme me kapacitet të plotë për pacientët.
Drejtoresha e QSUT-ës, Alma Cani konfirmon se punimet kanë përfunduar dhe se aktualisht po testohen linjat elektrike dhe instalimet e aparaturave.
Nga testimet nuk janë konstatuar dëme në aparatura imazherike të renda si skaner dhe rezonancë, ndërsa aparatura e angiografit, që përdoret për realizimin e procedurave të koronarogrisë, ende nuk është instaluar.
Më 11 shkurt të këtij viti, një shkëndijë elektrike në një nga dhomat teknike në katin e 2-të dëmtoi të gjithë sistemin elektrik, çka bëri të pezullohet puna në spitalin e ri. 30 mln lekë u alokuan për kthimin në funksion të urgjencës së QSUT, ndërkohë Prokuroria e Tiranës kërkon një riinspektim të shkaqeve të zjarrit.